Siljanovska - Davkova: Do ta kthej drejtësinë e humbur

Siljanovska - Davkova: Do ta kthej drejtësinë e humbur

Me sloganin “Drejtësi për Maqedoninë”, Gordana Siljanovska-Davkova, kandidate e VMRO-DPMNE-së, për presidente të Maqedonisë së Veriut, për Radion Evropa e Lirë, thotë se synon që qytetarëve të këtij vendi t’u garantojë që vetë të vendosin për të drejtat e tyre më elementare, për identitetin, emrin e shtetin, ruajtjen dhe kultivimin e traditës kombëtare, por edhe ruajtjen e të drejtave dhe lirive të qytetarëve të tjerë.

Siljanovska-Davkova, me profesion është profesorë e së Drejtës Kushtetuese në Universitetin e Shkupit, dhe si kandidate për kreun e shtetit thotë se është propozuar si e pavarur dhe jo si anëtare e VMRO-DPMNE-së, opozitare. Ajo është një nga kritikueset më të zëshme të ndërrimit të emrit të shtetit në “Maqedonia e Veriut”, andaj edhe fushatën po e udhëheq me sloganin “Drejtësi për Maqedoninë”.

“E drejta e vetëvendosjes është e drejtë e të gjitha kombeve, pra si për individë, ashtu edhe për grupe. Nëse kjo vlen për të gjithë, duhet të vlejë edhe për Maqedoninë. Kjo përfshin edhe të drejtën e emrit, të flamurit, të himnit, gjuhës, e kështu me radhë. Parimi i mospërzierjes ka të bëjë me të gjithë, dhe kjo duhet të vlejë edhe për Maqedoninë”, thotë Siljanovska-Davkova duke kundërshtuar emrin e ri të shtetit “Maqedonia e Veriut”.

Ajo thotë se ky emër cenon identitetin maqedonas, gjuhën dhe gjithçka që ka të bëjë me kulturën dhe trashëgiminë maqedonase.

“Te ne gjithçka është e lidhur me identitetin. Dikush thotë se ka edhe shumë vende tjera që quhen me përcaktime gjeografike. Po, është vërtetë kemi Korenë e Veriut, por kemi edhe Korenë e Jugut, por në rastin tonë kemi Maqedoninë e Veriut, por nuk e kemi të Jugut. Kemi një shtet Maqedoni, pse të mos quhet i tillë kur nuk kemi shtet tjetër. Kjo prek në identitetin tonë, dhe në disa vende na quajnë edhe maqedono-verior, këtë duhej ta kishin parasysh ata që e kanë nënshkruar Marrëveshjen e Prespës”, thekson Siljanovska-Davkova.

Në rast të zgjedhjes presidente, ajo thotë se do të iniciojë ndryshimin e Kushtetutës, jo vetëm për kthimin e emrit “Maqedoni”, por edhe për çështje tjera, si ajo për zgjidhjen e Qeverisë së re apo shmangien e krizës si ajo pas zgjidhjeve të vitit 2016 kur VMRO-ja nuk arriti të formojë qeverinë edhe pse kishte fituar zgjedhje, por edhe për faktin tjetër se as partia e dytë nuk kishte shkelur afatin për të formuar qeveri.

“Në të gjithë Kushtetutat ka afate, pra nëse partia e parë, e dytë dhe e tretë nuk arrijnë të formojnë shumicë parlamentare, atëherë shkohet në zgjedhje të jashtëzakonshme parlamentare. Pra, ne duhet të saktësojnë të gjitha procedurat, që të mos lëmë hapësirë për interpretime të ndryshme se kush duhet e kush jo të formojë qeverinë, siç kishim rastin me qeverinë e tanishme”, shprehet Siljanovska-Davkova.

E pyetur nëse slogani, “Drejtësi për Maqedoninë”, nënkupton edhe mbrojtjen e Nikolla Gruevskit, ish-kryeministrin e arratisur në Hungari, i cili ka ikur nga drejtësia për shkak të dënimit me burg për shpërdorim të detyrës, Siljanovska-Davkova thotë se në këtë rast sheh paaftësinë e drejtësisë dhe të sistemit të sigurisë, por ndoshta edhe në aftësinë e këtij personi për t’i ikur drejtësisë për shkak se dyshimeve se këtu nuk mund të ketë drejtësi në gjykimin e tij.

Ajo nuk ka dashur të komentojë debatet e fundit lidhur me faljen e të dënuarve për ngjarjet e dhunshme më 27 prill 2017 në Kuvend, nga presidenti në largim Gjorge Ivanov, duke theksuar se varësisht interpretimit të Gjykatës Kushtetuese, edhe mund të merret vendimi nga kreu i shtetit.

Në tubimet para elektoratit në kuadër të fushatës, kandidatja e opozitës për presidente shtetit, është shprehur edhe kundër Ligjit për gjuhët duke theksuar se “ligji i miratuar mund të krijojë probleme gjatë zbatimit në veçanti në gjykata, por edhe në institucione tjera për shkak se, sipas saj, mund të paraqiten interpretime të ndryshme nga përkthimet që nuk mund të jenë adekuate për një komunikim të mirë.”

Gordana Siljanovska-Davkova thotë se ky qëndrim i saj nuk mund të nënkuptohet si nacionalist dhe se në zgjedhjet më 21 prill pret të marrë edhe votat e bashkësive të ndryshme etnike./REL