Dygolësh i Sterling, City mposht Crystal Palace

Dygolësh i Sterling, City mposht Crystal Palace

Tjetër pengesë e rëndësishme e kaluar nga Manchester City në spritnin final drejt titullit të radhës kampion në Premier League.

Në javën e 33-të Citizens triumfuan 1-3 në fushën e Crystal Palace, ku gjithsesi e vunë disi në diskutim suksesin në fundin e sfidës.

Skuadra e Pep Guardiolës u shfaq superiore që në minutat e para, duke kaluar në epërsi pa u mbyllur çerek ore lojë me Raheem Sterling, që mori një pasim të zgjuar vertikal nga Kevin de Bruyne dhe përballë portierit, prirët me portën, e dërgoi topin në rrjetë.

City, i vendosur mirë në gjysmëfushën e tij, shfrytëzoi një tjetër kundërsulm në minutën e 62-të, teksa i njëjti autor, Sterling, devijoi drejt rrjetës pasimin e fortë të Sane.

Futbollistët e Crystal Palace reaguan mirë në minutat në vazhdim, duke shkurtuar diferencën në 1-2 me Milivojevic, por në minutën e fundit të kohës së rregullt sfidën e “vrau” Gabriel Jesus, duke vulosur shifrat përfundimtare në 1-3.

Me këtë sukses në transfertë, Manchester City ngjitet në vendin e parë dhe pret rezultatin e ndeshjes Liverpool-Chelsea.