Qyteti i binjakëve, vendasit tregojnë sekretin

Qyteti i binjakëve, vendasit tregojnë sekretin

Nëse do të vizitoni qytetin nigerian Igbo Ora mund të kujtoni se keni probleme me shikimin, pasi do të shikoni dyfish. Në fakt nuk keni asnjë problem, pasi ai njihet si qyteti i binjakëve. Sipas të dhënave 50 në 1000 lindje janë binjakë në këtë pjesë të Nigerisë, një veçanti e fisit Yoruba, që jeton kryesisht aty.

Në oborrin e shkollës me 100 nxënës, fotografi i Agjencisë Reuters arriti të kapë 9 sete binjakësh, një shifër vërtet mbresëlënëse. Edhe pse studiuesit kanë vite që po përpiqen të gjejnë shkakun e kësaj norme kaq të lartë të lindjeve binjake, vendasit pretendojnë se e dinë.

“Kemi shumë binjakë pasi hamë gjethe bamjesh”, thotë një 15-vjeçar. Në fakt, gjethet e bamjes janë një ushqim popullor në krahinë, pasi përdoren për të bërë një supë tradicionale. Edhe pse mjekët e hedhin poshtë këtë teori, sipas vendasve sekreti është se supa me gjethe bamjes duhet të konsumohet e sapo bërë dhe jo të ruhet për t’u ngrënë më vonë.