VIDEO - Llashtica, fshati që mirëmbahet me kontributin e bashkatdhetarëve

VIDEO - Llashtica, fshati që mirëmbahet me kontributin e bashkatdhetarëve

Banorët e fshatit Llashticë të Gjilanit kanë vendosur të organizohen e të investojnë në vendlindjen e tyre. Ata bashkë edhe më mërgimtarët kanë nisur të rregullojnë fshatin, i cili çdo ditë po merr pamje bashkëkohore.

Llashtica, fshat rrëzë bjeshkëve të Karadakut në Anamoravë dita-ditës po merr pamje bashkëkohore. Banorët e këtushëm dhe ata që punojnë në mërgatë,  zonë kjo e njohur me kurbetçinj të shumtë, kanë vendosur të kontribuojnë  për të mirën e përbashkët të vendlindjes së tyre.

“Ne familjet shumica i kemi jashtë dhe i falënderojmë që po na mbajnë gjallë, po edhe na çka jemi këtu punojmë shume me bujqësi me bahçe e me krejt. Ata që janë në mërgim e kanë marrë edhe punëtorin, i kanë sjellë edhe mjetet për pastrim. Ata jashtë po na e mbajnë fshatin. Por, edhe na nuk po rrimë veç me prit prej tyre, po sa po mundemi po i japim zor në çdo aspekt vetëm le të shkon Llashtica përpara”, ka theksuar Besim Musliu, banor i fshatit Llashticë.

Çdonjëri që është në diasporë mendjen e kemi në fshatin tonë të lindjes, mendojmë të investojmë por edhe të jemi sa më shpesh vendlindje, ajo na mungon thotë Besim Ismajli me qëndrim në Gjermani.

“Kemi punuar edhe mendojmë të punojmë edhe më tutje. I kemi bë disa ndërtime, disa projekte edhe nëpër fshat çka ju kemi ndihmuar bashkëfshatarëve tonë, por kemi bë edhe grumbullim të parave. Po ashtu  e kemi bë edhe pastrimin e fshatit dhe çdo gjë që e bëjmë prej dispore, e bëjmë për të mirë të fshatit dhe për nder të fshatit që jemi fshatar të këtij vendi”, ka theksuar Besim Ismajli – anëtar i Shoqatës "Vendlindja ime".

Ekrem Hasani  thotë se përveç bashkëpunimit me strukturat lokale të Gjilanit mërgata jonë është krahu i djathtë në secilin aksion madje edhe iniciatore.

“Bashkëpunimi me diasporën është shumë i mirë d.m.th këtë vit kanë filluar atdhetarët tonë kanë grumbulluar mjete dhe e kanë po financuar për fshatin, kështu që për momentin e kemi një punëtor që e mirëmban fshatin për çdo ditë dhe ky është kontribut i bashkatdhetarëve, të cilët e kanë ble edhe një mjet transportues për bartjen e mbeturinave, kështu që bashkatdhetarët kanë kontribuar dhe janë duke kontribuar në mënyrë shumë të mirë”,  është shprehur Ekrem Hasani – administrator i fshatit Llashticë.

Bashkëpunimi me bashkëkombësit në mërgatë fshatin Llashticë do ta bëjë shembull për vetiniciativa për rregullim të ambientit dhe aspektin human për të mbështetur familjet me gjendje më të rëndë ekonomike -  thonë banorët e Llashticës.