E majta fiton zgjedhjet në Finlandë

E majta fiton zgjedhjet në Finlandë

Socialdemokratët me kryetarin e tyre, Antti Rinne, kanë shpallur fitoren në zgjedhjet e parakohshme që u mbajtën të dielën në Finlandë. Rezultatet e ngushta mes tri partive të para, veçanërisht me ultradjathtistët finlandezë, do të thotë se asnjëra palë nuk ka marrë mbështetjen e duhur për të qeverisur e vetme.

Socialdemokratët kanë premtuar një sistem më të drejtë taksimi dhe asistence, dhe pensione më të larta për rreth 55 mijë pensionistët e vendit.

Partia Socialdemokrate ka fituar të dielën shumicën e votave në zgjedhjet e parakohshme, duke marrë pushtetin pas plot 20 vitesh.

Të majtët morën 17,7 për qind të votës popullore, kundrejt euroskeptikëve të partisë “Finlandezët e Vërtetë” me 17,5 për qind, Koalicionit Kombëtar me 17 për qind, dhe Partisë Centriste në largim me 13,8 për qind, transmeton oranews.

Kjo ishte hera e parë në një shekull që asnjë nga partitë e mëdha nuk merr më shumë se 20 për qind të votave, ndërsa pjesëmarrja në votime ishte masive në gati 72 për qind.

Rezultati i ngushtë i dy partive kryesore rivale nënkupton se palës fituese do i duhet të formojë një koalicion qeverisës për të mbajtur shumicën në parlament.

Socialdemokratët kanë 40 deputetë në parlamentin me 200 vende, ose një përfaqësues më shumë sesa partia e ekstremit të djathtë.

Të dy rivalët u shprehën të kënaqur me rezultatet paraprake.

Zgjedhjet e 14 prillit në Finlandë u njoftuan vetëm muajin e kaluar, dhe erdhën si pasojë e dorëheqjes së kabinetit aktual qeverisës pasi nuk u përmbushën disa nga objektivat politikë, siç ishte reforma e sistemit të asistencës sociale dhe të pensioneve.

Lideri i socialdemokratëve, Antti Rinne, ka premtuar se do i përmirësojë politikat për shtresat më të varfëra duke luftuar pabarazinë përmes rritjes së taksave që aktualisht është në vlerën 51,6 për qind mbi të ardhurat, dhe duke i siguruar 55 mijë pensionistëve një shumë mujore prej 1,500 eurosh.