​Në Mitrovicë shënohet ‘Eksodi 99’

​Në Mitrovicë shënohet ‘Eksodi 99’

Me moton “Përkujtojmë tragjedinë- Festojmë lirinë”, sot në Mitrovicë u shënua 20-vjetori i eksodit, kur gjatë luftës rreth një milion shqiptarë u detyruan të shpërngulen në Shqipëri dhe Maqedoni nga forcat kriminale serbe.

Në këtë përvjetor morën pjesë përfaqësues komunalë të Mitrovicës, zëvendës ministra, ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Qemal Minxhozi, kryetari i Bashkisë së Kukësit Bashkim Shehu, përfaqësues fetarë, si dhe shumë qytetarë.

Kryetari i Mitrovicës, Agim Bahtiri, nën përkujdesjen e të cilit u mbajt ky manifestim, tha se sot po përkujtohen ditët e dhimbjes më të fortë të cilat shkaktuan plagë e lot për shumë qytetarë të Kosovës.

Sipas tij, në ditën e sotme para 20 vjetësh ishte habitur mbarë Evropa se si një shtet i vogël si Shqipëria po përballonte fluksin aq të madh refugjatësh në një afat të shkurtër kohor.

Kryetari i Bashkisë së Kukësit, Bashkim Shehu, potencoi se ajo që bënë shqiptarët për shqiptarët është një detyrim vëllazëror.

Ndërsa, ambasadori Minxhozi tha se shembulli i Kukësit flet shumë, pasi shqiptarët e duan njëri-tjetrin dhe nuk ndahen nga njëri-tjetri. Sipas tij, shqiptarët duhet të jenë krenarë që arritën ta kujtojnë këtë ditë për çdo vit, por me motive të reja. Ai shtoi se Kosova fitoi luftën, por duhet të fitojë edhe paqen, gjithnjë në bashkëpunim mes vete, përballë sfidave.

Ambasadori Minxhozi theksoi se ideja e kasapit të Ballkanit Sllobodan Millosheviq ishte që duke përzënë shqiptarët nga Kosova të krijojë një përplasje mes shqiptarëve, e cila nuk u realizua.

Në anën tjetër, kryetari i Organizatës joqeveritare ‘Eksodi 99’, Ali Topalli, duke elaboruar vështirësitë e eksoduesve nga Mitrovica deri në Morinë, tha se shumë prej tyre përjetuan tronditje të mëdha pasi u rrahën dhe u vranë.

Për kontributin e dhënë gjatë luftës u ndanë mirënjohje për Don Lush Sopin dhe kryetarin e Kukësit Bashkim Shehu, ndërsa për të pranishmit u shfaq edhe një program artistik.