Ndryshimi i kufijve hap çështjen e pazgjidhur të shqiptarëve në Ballkan

Ndryshimi i kufijve hap çështjen e pazgjidhur të shqiptarëve në Ballkan

Kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj, ka deklaruar se hapja eventuale e kufijve do të hapë çështjen e pazgjidhur të shqiptarëve në Ballkan, ndërkohë që ka thënë se kufijtë nuk duhet të diskutohen në asnjë tavolinë.

Haradinaj gjatë akademisë përkujtimore kushtuar 20-vjetorit të Betejës së Zhegocit dhe 50 dëshmorëve të Brigadës “Kadri Zeka”, tha se nuk duhet pranuar të diskutohet çështja e kufijve në bisedimet në Bruksel.

Ai tha se janë gabime deklarimet e udhëheqësve evropian se mund të diskutohet territori i Kosovës.

 "Janë gabim deklarimet e udhëheqësve evropian se mund të diskutohet territori, kufijtë e Kosovës. Nëse ashtu shqiptarët kanë bërë shumë lëshime për të pranuar një Kosovë të tillë. Pra, të gjithë duhet ta kuptojnë se hapja e kufijve, pra të gjithë ata zyrtarë ndërkombëtarë duhet ta kuptojnë, se hapja e kufijve do të hap po ashtu çështjen e shqiptarëve, çështjen e pazgjidhur të shqiptarëve në Ballkan. Nëse janë të gatshëm me e hap ketë çështje atëherë e hapim, por nëse jo nuk guxojmë të vazhdojmë me deklarime sikur sot kemi dëgjuar komisioneri Hahn, pra thotë se nëse palët janë dakord flasim për kufij. Nuk duhet me pranua me iu fol kufijtë e Kosovës në asnjë tryezë nga askush", tha Haradinaj.

Kreu i Qeverisë tha se lirinë e Kosovës e kanë penguar në ardhje, e mohojnë edhe sot dhe ai tha se kuptohet që e përpjesëtojnë në mënyra të ndryshme dhe do të vazhdojnë kështu.

 "Liria jonë është e sigurt, sepse për garant ka të rënët për liri dhe ka pikërisht vendin ku pushojnë heronjtë dhe dëshmorët tanë. Nëse për liri nuk i është dhimbur jeta njerëzve më të mirë të vendit, luftëtarëve me të zotë dhe nëse për liri kemi qenë të gatshëm të qëndrojmë jo vetëm në vijën e parë të zjarrit, por edhe aty ku kanë rënë heroikisht, jam i bindur se do të qëndrojmë edhe për të drejtën tonë për ta forcuar lirinë dhe shtetin tonë, Kosovën. Njëkohësisht me avancuar të drejtën shqiptare në Ballkan, shqiptarët padrejtësisht janë ndarë në mënyrën si janë ndarë, padrejtësisht janë detyruar me jetua të ndarë. Por, mohimi i Kosovës së sotme nga kushdo që bëhet, si Kosovë e tërë është gabim. Nuk do të lejojmë, ne, të gjithë ata që e dimë se sa e shtrenjtë ishte rruga për liri, të na mohohet e drejta në konsolidim, e drejta në shtet dhe shteti do të bëhet në Kosovë dhe jo në tavolinat e bisedimeve. Nuk ka si me u bë më tutje Kosova në tavolina të bisedimeve, në tavolina të bisedimeve mundet vetëm me u konfirmua ajo që ka vendosur populli i Kosovës, pra një Kosovë e pavarur që duhet të anëtarësohet në mekanizmat ndërkombëtarë, edhe në BE, në NATO, në OKB, por assesi një Kosovë që diskutohet territori i saj, kufijtë, toka e saj", tha ai.

Komandanti i Zonës Operative të Karadakut, Ahmet Isufi, tha se sot kujtojmë një ngjarje të madhe që ka ndodhë në këtë rajon, një luftë fitimtare, për shkak se në Zhegocin heroik bijtë dhe bijat e këtij vendi i dhanë goditje armikut.

"Garancia për lirinë dhe pavarësinë tonë janë bijtë e bijat që kanë rënë në këtë vend. Ata që u bënë themeli i lirisë tonë dhe që kurrë më nuk do të mund të ketë ngjarje të tilla çfarë kemi përjetuar atëherë. Garanci janë edhe të rinjtë që po kaliten tani në edukimin e tyre, në vazhdimin e jetës së tyre për ta bërë shtetin tonë të fuqishëm ashtu siç e meriton populli jonë", tha ai.

Ndërkaq, kryesuesja e Kuvendit Komunal të Gjilanit, Shpresa Kurteshi-Emini, tha se muaji prill edhe sot të freskëta na i sjellë kujtimet për të gjithë dëshmorët, e po ashtu ajo tha se kujtojnë edhe martirët dhe heronjtë e rënë për lirinë e Kosovës.

"Ne sot jemi të obliguar të luftojmë për ta ndërtuar paqen, për ta bërë vendin tonë ashtu siç deshën heronjtë tanë. Amaneti i tyre duhet të vijë në vend gjithsesi, por me një luftë që duhet të përdorim punën dhe angazhimin e drejtë si armë për ta bërë këtë shtet të fort dhe të sigurt", tha ajo.

Gjatë ditës, kryeministri Haradinaj i shoqëruar edhe nga përfaqësuesit e Komunës së Gjilanit kanë bërë homazhe tek pllaka përkujtimore në Zhegoc.


MË SHUME NGA Aktuale