PSD: Paga minimale duhet të rritet urgjentisht në 250 euro

PSD: Paga minimale duhet të rritet urgjentisht në 250 euro

Nënkryetari i Partisë Socialdemokrate, Visar Ymeri, në një konferencë për medie, ka folur rreth nevojës urgjente të ngritjes së pagës minimale në vend, gjë e cila nuk ka ndodhur prej vitit 2011, ndërkohë që në sektorin publik gjatë kësaj periudhe ka pasur tri herë ngritje pagash.

Ymeri tha se PSD-ja si parti kanë kërkuar interpelancë në Kuvend lidhur me çështjen e pagës minimale në vend, por kjo nuk ka ndodhur ende.

“Kanë kaluar saktësisht 9 vjet e 105 ditë prej kur institucionet e Kosovës janë marrë me çështjen e pagës minimale dhe kështu kanë harruar të kujdesen për vështirësitë ekzistenciale dhe përditshmërinë e punëtorëve në Kosovë. Të jesh i rrezikuar nga varfëria do të thotë të mos kesh ushqim të mjaftueshëm; do të thotë të jesh i uritur ose të ushqehesh me ushqim që nuk mban kaloritë e nevojshme dhe nuk i shëndetshëm, të jesh i rrezikuar do të thotë të mos mbërrish fundin e muajit pa e hapur fletoren e huasë tek dyqani i lagjes”, tha Ymeri.

Rritja e pagës minimale në 250 euro, sipas tij, është masa emergjente dhe si parti presin që sot apo ditëve në vijim të diskutohet kjo çështje në interpelancë.

Po ashtu, Ymeri prezantoi propozime konkrete sesi mund të përditësohet dhe funksionalizohet paga minimale.

“Duhet të ndërmerret masë urgjente që paga minimale të rritet në shumën prej 250 euro dhe kjo rritje duhet të përfshijë të gjithë të punësuarit pa dallim moshe dhe gjinie”, propozoi Ymeri.

Paga minimale në Kosovë, ndonëse sipas Ligjit të Punës do të duhej të përcaktohej çdo vit, që nga viti 2011 vazhdon të jetë 130 euro për të punësuarit e moshës nën 35-vjeç dhe 170 euro për të punësuarit e moshës mbi 35-vjeç.

Këshilli Ekonomik-Social, i cili përfshinë përfaqësuesit e punëtorëve, bizneseve dhe institucionet e vendit, qysh në vitin 2017 kishte propozuar që paga minimale të rritet, por që propozimet e dhëna deri më tani nuk kanë hyrë në fuqi.