Jasharaj: Vendimi për moskompensim të orëve është i mësimdhënësve, jo i imi

Jasharaj: Vendimi për moskompensim të orëve është i mësimdhënësve, jo i imi

Kryetari i SBASHK-ut, Rrahaman Jasharaj, ka thënë se vendimi për të mos i kompensuar orët e humbura të mësimit gjatë grevës në arsim nuk është i tij – por i mësimdhënësve.

Ai këto komente i ka bërë në Klan Kosova, duke shtuar se greva në arsim nuk është bërë për qëllime politike, por për qëllime institucionale.

“SBASHK-u asnjëherë nuk është bërë institucion paralel i Ministrisë së Arsimit. Unë e respektoj Ministrin Bytyqi dhe i qëndroj në këmbë nëse e kërkon nevoja. Ne asnjëherë nuk kemi zhvilluar grevë për teke personale të ndonjë individi”.

“Fillimisht i pata lutur mësimdhënësit që mos të hyjnë në grevë në mënyrë që t’i japim hapësirë dialogut. Mirëpo, dialogu asnjëherë nuk ka sjellë rezultate pozitive”.

“Me grevën e zhvilluar në arsim ne jemi duke e vendosur standardin që e kanë të gjitha sindikatat nëpër botë. Arsyeja që u druhen grevave nëpër shtetet e tjera është fakti se nënkuptohet që nuk do të ketë zëvendësim të orëve të humbura”, tha Jasharaj.

“Hyrja në grevë është e drejtë e sindikatave. Le ta largojë Kuvendi Ligjin për Grevat. Mirëpo, nëse kjo gjë ndodhë, atëherë unë do të ankohem në institucionet europiane”.

“Kolegët më së miri e dinë se unë jam apartiak. Unë do të flas dhe të bisedoj me cilindo deputet dhe me cilëndo parti që është nevoja”.

“Më parë është besuar se SBASHK-u guxon të bëjë grevë vetëm ndaj LDK-së. Kanë thënë se ‘nuk guxoni të hyni në grevë kundër Qeverisë Haradinaj’. Ne nuk kemi bërë grevë ndaj partive politike, por ndaj institucioneve. Qeveria është dashur që ta dijë se kompensim të orëve nuk do të ketë. Nuk ka gjasa të kompensohen 15 ditët e humbura në grevë. Nuk do të ketë kompensim të orëve dhe ky nuk është vendim i imi, por i mësimdhënësve të Kosovës”.


MË SHUME NGA Aktuale