Përmbysje historike e Clippers ndaj Warriors

Përmbysje historike e Clippers ndaj Warriors

Ekuilibër i plotë pas dy ndeshjeve të parë të Serisë së play off-it si në Lindje ashtu edhe në Perëndim.

Rezultati më surprizues u shënua në “Oracle Arena” të Oaklandit, ku Los Angeles Clippers arritën një përmbysje historike përballë kampionëve në fuqi, Golden State Warriors, 131-135, duke barazuar serinë në 1-1.

7 minuta e 31 sekonda para përfundimit të periodës së tretë, pas një gjuajtje e lirë të realizuar nga Kevin Durant, u duk se sfida praktikisht ishte mbyllur, pasi tabela elektronike tregonte rezultatin 94-63 në favor të Warriors, pra me një diferencë të frikshme prej 31 pikës. Por pikërisht në këtë moment nis spektakli i Clippers, të udhëhequr nga Lou Williams me 36 pikë në total, i mbështetur edhe nga Montrezl Harrell  me 25 pikë e 10 “rebound”.

Golden State dukej i bllokuar totalisht, i paaftë për të përballuar furinë e kalifornianëve, që arrijnë të barazojnë 128-128 me Williams kur kishte mbetur edhe 1 minutë e 10 sekonda lojë.  Steph Curry (29 pikë në total) reagoi me një trepikësh, por që nuk mjaftoi, pasi Landry Shamet shtangu të pranishmit në “Oracle Arena” po me trepikësh, ndërsa Harrell, pas gabimit të Curry-t në distanca, realizoi pikët vendimtare që u dhuruan një sukses historik Clippers 131-135.

Philadelphia 76ers, pas paraqitjes aspak bindëse në takimin e parë me Brooklyn Nets, barazuan serinë me një fitore mbresëlënëse 145-123, falë rikthimit mbi parket të Joel Embiid, që shënoi 23 pikë e kontrolloi 10 topa poshtë koshit. Diferenca në këtë përballje u bë në periodën e tretë, ku 76ers shfrynë të gjithë tërbimin e tyre me një rezultat të pjesshëm 51-23.

Në periodën e fundit nuk pati shumë histori, madje të zotët e shtëpisë u futën të gjithë lojë e duke shënuar dhe asnjë prej tyre nuk qëndroi më shumë se 30 minuta, duke ruajtur energjitë për përballjen e radhës, që zhvendoset në fushën e Nets.