Simone Biles: Jam lodhur, pas Olimpiadës tërhiqem!

Simone Biles: Jam lodhur, pas Olimpiadës tërhiqem!

Dhimbje, lodhje, stërvitja e përditshme dhe sakrifica të mëdha për të ruajtur formën sportive. Shumë arsye që legjenda e gjimnastikës Simone Biles edhe pse është vetëm 22 vjeçe, të thotë “mjaft”.

Për fat të mirë tërheqja përfundimtare nga sporti e gjimnastes amerikane nuk do të ndodhë tani, por pas Lojërave Olimpike “Tokio 2020”, shkruan telesport.

“Nuk do të jetë e lehtë të përsëris atë që realizova në Rio, ku fitova 4 të arta. Të rinisja përgatitjet pas asaj Olimpiade nuk ishte e lehtë. Kisha disa objektiva dhe dua të jem pjesë e delegacionit olimpik amerikan në Japoni. Gjithsesi, pas Olimpiadës do të tërhiqem nga sporti, pasi nuk kam më mundësi të duroj këtë dhimbje në trup”, tha Biles.

“Të përmirësohesh gjithnjë dhe të mundësh veten është e vështirë nga viti në vit. E ndjej se trupi im ka duruar shumë dëmtime dhe sforcime vitet e fundit dhe tani është në limitet e tij. Kam kohë që po bashkëjetoj me dhimbjet e trupit tim. Ndaj, Tokio do të jetë Olimpiada ime e fundit”, u shpreh Simone Biles, që ka fituar edhe 14 medalje të arta në Botërorë.