Gjykimi për mos deklarim të pasurisë

Gjykimi për mos deklarim të pasurisë

Asamblisti i Iniciativës Qytetare në Komunën e Ranillugut, Milan Aritonoviç, i akuzuar për mos deklarim të pasurisë, është shprehur i gatshëm të hyjë në marrëveshje me Prokurorinë Themelore në Gjilan, për pranimin e fajësisë.

Një propozim të tillë, ai e ka bërë të martën, në seancën fillestare në Gjykatën Themelore në Gjilan, dega në Kamenicë, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Prokurori Ismet Ukshini, nuk e ka kundërshtuar një gjë të tillë, duke kërkuar nga gjykata që të jep një afat të arsyeshëm kohor për ta negociuar marrëveshjen.

Ndërkaq, gjykatësi i rastit Sadri Krasniqi, ka marr aktvendim me të cilin e ka aprovuar propozimin për shtyrjen e seancës, për tu dhënë kohë palëve në procedurë për të negociuar marrëveshjen për pranimin e fajësisë nga ana e të akuzuarit Aritonoviç.

“Nëse brenda afatit ligjor nuk arrihet marrëveshja ndërmjet palëve në procedurë, gjykata do të caktoj shqyrtimin gjyqësor, ku palët do të ftohen me ftesa të rregullta gjyqësore”, ka thënë gjykatësi Krasniqi.

Prokuroria Themelore në Gjilan, më 21 shtator 2018, ka ngritur aktakuzë ndaj tashmë të akuzuarit Milan Aritonoviç, me arsyetimin se ai nga 1 marsi 2018 deri më 31 mars 2018, në cilësinë e Këshilltarit Komunal në Kuvendin Komunal në Ranillug, edhe pse ka qenë i detyruar ta bëjë deklarimin e pasurisë, ashtu siç është paraparë më nenin 8 paragrafi 1 të ligjit për deklarimin, prejardhjen dhe kontrollin e pasurisë të zyrtarëve të lartë publik dhe deklarimin, prejardhjen dhe kontrollin e dhuratave për të gjithë personat zyrtar, i njëjti nuk e ka përmbushur obligimin e tij, si zyrtar publik për deklarimin e rregullt vjetor, për vitin paraprak nga 1 janari deri më 31 dhjetor 2016, brenda afatit ligjor për paraqitjen e deklaratës.

Me këtë, Milan Aritonoviç, akuzohet se ka kryer veprën penale “mosraportimi apo raportimi i rremë i pasurisë, i të ardhurave, i dhuratave, i dobisë tjetër materiale ose i detyrimeve financiare”, nga neni 437 paragrafi 1 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK). 


MË SHUME NGA Betimi për Drejtësi