Burgim me kusht për mjekun,akuzohej për trajtim të pandërgjegjshëm mjekësor

Burgim me kusht për mjekun,akuzohej për trajtim të pandërgjegjshëm mjekësor

Gjykata Themelore në Prishtinë, të mërkurën, e ka dënuar me një vit burgim me kusht mjekun Hajriz Dërguti, i cili akuzohej për veprën penale “trajtim i pandërgjegjshëm mjekësor”.

Sipas aktgjykimit të shpallur nga gjykatësja Lindita Jakupi, dënimi ndaj të akuzuarit Hajrizi, nuk do të ekzekutohet nëse ai nuk kryen vepër tjetër penale brenda dy vjetësh, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Gjykatësja Jakupi, ka thënë se me rastin e matjes së dënimit me të cilin është shpallur fajtor i akuzuari Hajrizi, janë marrë për bazë rrethanat rënduese dhe lehtësuese.

“Pas shqyrtimit të përgjithshëm të gjendjes faktike, provave materiale dhe vlerësimit të provave, gjykata ka nxjerr aktgjykim fajësues, ku në rastin e matjes së dënimit gjykata ka marr për bazë rrethanat rënduese dhe lehtësuese ku si rrethanë rënduese ka gjet së i mitur T.G. ka mbetur me pasoja të përhershme që nga lindja”, ka thënë gjykatësja Jakupi

Ndërsa, si rrethanë lehtësuese për të akuzuarin Dërguti, sipas gjykatëses Jakupi, gjykata ka marrë për bazë se vepra nuk është kryer me dashje direkte.

“Si rrethanë lehtësuese ndaj të akuzuarit gjykata ka marrë se vepra penale nuk është kryer me dashje direkte, por ka dashje eventuale, i akuzuari nuk ka qenë i dënuar më parë, tërë jetën e tij ka punuar në QKUK dhe ka kontribuar në lindjen e fëmijëve, është doktor i pensionuar si dhe nga koha e kryerjes së veprës penale kanë kaluar 10 vite dhe që nga ajo kohë nuk është dyshuar se ka kryer ndonjë vepër të re penale”, ka thënë gjykatësja.

I akuzuari Dërguti është obliguar edhe në shpenzimet procedurale në emër të paushallit gjyqësor në shumën prej 50 euro.

Ndërsa, pala e dëmtuar për realizimin e kërkesës pasurore juridike është udhëzuar në kontest civil.

Pala e pakënaqur, sipas Jakupit, ka të drejtë ankese brenda afatit prej 15 ditësh nga dita e marrjes së kopjes së këtij aktgjykimi.

Sipas aktakuzës, së ngritur më 31 gusht 2016, në QKUK, në Klinikën Obstetrike-Gjinekologjike në Prishtinë, më 13 korrik 2008, specialisti i gjinekologjisë, i akuzuari Hajriz Dërguti kishte përdorur metodë të papërshtatshme të mjekimit dhe gjatë lindjes së të dëmtuarit T.G, i kishte shkaktuar lëndime të rënda në regjionin e kokës dukë ia dëmtuar rëndë shëndetin.

Në aktakuzë thuhet se këto dëmtime më vonë ishin konstatuar gjatë kontrollimeve mjekësore sepse me rastin e lëshimit të fëmijës nga klinika dëmtimet nuk ishin shënuar në fletë lëshim.

Prokuroria të akuzuarin Dërguti e ngarkon me veprën penale “trajtimi i pandërgjegjshëm mjekësor”, sipas nenit 219 paragrafit 4, lidhur me paragrafin 1, të Kodit të Përkohshëm Penal të Kosovës. 


MË SHUME NGA Betimi për Drejtësi