Të shtunën do të votojnë 3.539 të sëmurë dhe 1.640 të burgosur

Të shtunën do të votojnë 3.539 të sëmurë dhe 1.640 të burgosur

Nga gjithsej 3.819 kërkesa të pranuara për persona të sëmurë dhe të pafuqishëm për votim të shtunën, 3.539 janë pranuar, ndërsa janë refuzuar 272 kërkesa. Në 13 njësi të burgut mbarë shtetin do të votojnë 1.640 të burgosur. Persona të zhvendosur brenda vendit janë shtatë, ndërsa në dy shtëpi për pleq, si pilot projekt, janë paraqitur 71 persona për votim, informoi kryetari i Komisionit Shtetëror Zgjedhor (KSHZ), Oliver Derkoski.

Në seancën e sotme, KSHZ-ja vendosi për ankesat e arritura për votim të personave të sëmurë dhe të pafuqishëm. Për tre raste nga Resnja ankesat janë miratuar, transmeton MIA.

“Pas pranimit të shumë kërkesave nga ana e komisioneve zgjedhore të komunës për plotësim të mjeteve financiare që u nevojiten për realizimin e procesit, KSHZ vendosi që t’i mbulojë mjetet financiare që janë të nevojshme për rrethin e parë dhe të dytë. Varësisht prej madhësisë së komisionit zgjedhor komunal, kështu janë edhe mjetet, shuma më e lartë është 15.000 denarë për Manastirin, që është një prej tre komisioneve më të mëdha komunale zgjedhore. Shuma e përgjithshme është 696.600 denarë”, tha Derkoski.

KSHZ vendosi dhe për ankesën e anëtarit të komisionit komunal zgjedhor Negotinë, të cilin në seancën e kaluar e kanë shkarkuar me votim, ndërsa shkaku ka qenë statusi martesor me anëtaren e komisionit komunal zgjedhor nga Negotina.

“Është miratuar konkludimi për ta dërguar personin e pakënaqur nga vendimi i KSHZ-së për shkarkimin e një anëtari të komisionit komunal zgjedhor Negotinë, që t’i kërkojë të drejtat e tij para Gjykatës Kushtetuese”, deklaroi Derkoski.

Gjatë ditës zhvillohet votimi i anëtarëve dhe zëvendës anëtarëve të këshillave zgjedhorë, që do të shkojnë në diasporë ta organizojnë dhe realizojnë votimin.