Rasti për kërcënimin e Haradinajt do të kalojë në Departamentin Special

Rasti për kërcënimin e Haradinajt do të kalojë në Departamentin Special

Rasti ndaj Bledar Elshanit, i akuzuar se ka kërcënuar kryeministrin e Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, do të kalojë në Departamentin Special i cili pritet të themelohet në kuadër të Gjyaktës Themelore në Prishtinë.

Ky lajm u bë i ditur nga gjykatësi Hamdi Ibrahimi, në seancën e së enjtes, ku pritej të mbahej shqyrtimi fillestar për këtë rast, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Ka kohë që ka hy në fuqi Ligji për Gjykatat që parasheh themelimin e Departamentit Special për gjykimin e aktakuzave të PSRK-së. Çdo lëndë penale për të cilën nuk është mbajtur shqyrtimi fillestar, do t’i kaloj Departamentit Special” deklaroi Ibrahimi.

Gjykatësi Ibrahimi tha se caktimin e seancës në fjalë e ka bërë për të shkak të natyrës urgjente, e që ka të bëjë me vendosjen e masës së sigurisë për paraburgim.

Në seancën e së enjtes, prezent në gjykatë janë edhe prokurori Afrim Shefkiu dhe mbrojtësi i të akuzuarit Elshani, avokati Isak Hoxha.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale, i pandehuri Bledar Elshani, nga muaji gusht i vitit 2018 e deri në muajin janar të vitit 2019, si administrator i një kanali në rrjetet sociale, me anë të fotografive dhe video – incizimeve ka bërë propagandim në lidhje me organizatën terroriste “ISIS”, duke përkrahur haptazi veprimet e tyre terroriste siç janë sulmet e fundit në botë në krijimin e shtetit Islamik.

Po ashtu, sipas aktakuzës, i pandehuri Bledar Elshani, më 23 gusht 2018, përmes po të njëjtit kanal ka postuar foton e animuar me mbishkrim: “Melodia e parapëlqyer e Muxhahidit është zëri i qafirit gjatë heqjes së kokës”, dhe më 10 janar 2019, përmes kanalit të njëjtë ka postuar foto me përmbajtje kërcënuese ndaj kryeministrit të Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, me mbishkrim “Do t’ju vijë fundi o taguta shqiptar Bi’Idhnilah”, i bërë nga një person i maskuar e ku në prapavijë shihet flamuri i organizatës terroriste “ISIS”.

Me këto veprime, sipas prokurorisë,  i pandehuri Bledar Elshani, ka kryer veprën penale “shtytja për kryerjen e veprave terroriste” nga neni 141 të KPRK-së.

Gjithashtu, vazhdon njoftimi i PSRK-së, i akuzuari më 11 janar 2019, në Drenas, në vend publik me rastin e ndaljes dhe kontrollimit nga ana e pjesëtarëve të Policisë së Kosovës në Prishtinë, është vërtetuar se i njëjti në kundërshtim me nenin 2 nën paragrafi 1.24 të Ligjit për Armët në Kosovë, ka mbajt dhe bart në trup një armë të ftohtë – thikë luftarake e përshtatshme për shkaktimin e lëndimeve trupore dhe e njëjta i është sekuestruar.

Me këto veprime i pandehuri Bledar Elshani, ka kryer veprën penale “mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” nga neni 374 paragrafi 1 të KPRK-së.

Ndryshe, kallëzimi penal kundër të pandehurit Bledar Elshanit ishte ngritur nga Drejtoria Kundër Terrorizmit e Policisë së Kosovës.

Sipas kallëzimit penal, e gjithë kjo ka ndodhur me qëllim të frikësimit serioz të popullatës apo që seriozisht të destabilizoj strukturat themelore politike e Kushtetuese të Republikës së Kosovës.

Po ashtu, Drejtoria Kundër Terrorizmit në Prishtinë, kishte bërë bastisjen e shtëpisë së të dyshuarit ku i ishte sekuestruar një “Iphone 6”, pasi që i ishte gjetur një fotografi kërcënuese si dhe një thikë.

Pas kësaj, Gjykata Themelore në Prishtinë, më 12 janar të këtij viti, personit në fjalë i kishte caktuar masën e paraburgimit prej 30 ditësh. 


MË SHUME NGA Betimi për Drejtësi