Fushata zgjedhore drejt fundit

Fushata zgjedhore drejt fundit

Fushata parazgjedhore për kryetar shteti ka filluar më 1 prill, ndërsa kandidatët të cilët synojnë të udhëheqin me shtetin edhe gjatë ditës së djeshme kanë vazhduar aktivitetet e tyre.

Blerim Reka, Gordana Siljanovska dhe Stevo Pendarovski dje kanë realizuar takime me qytetarët nëpër vende të ndryshme, të cilat Telegrafi Maqedoni jua sjell të përmbledhura në një vend.

Kandidati Blerim Reka, i cili përkrahet nga partitë opozitare shqiptare dje nuk ka pasur aktivitete në kuadër të fushatës parazgjedhore.

Kandidatja e opozitës maqedonase Gordana Siljanovska, dje ka qëndruar në Berovë ku foli për reformat dhe integrimet në Bashkimin Evropian dhe NATO.

“Për hyrje në BE janë të nevojshme reforma rrënjësore dhe jo kjo që po bën LSDM dhe Zaev”, tha Siljanovska duke shtuar se problemet e qytetarëve janë probleme të saja.

Ndërsa kandidati i partive në pushtet Stevo Pendarovski, dje ka mbajtur takime në Probishtip ku ju bëri thirrje qytetarëve të mos lejojnë kthimin pas dhe në kohën e gruevizmit.

“Nëse dikush voton për Gordana Siljanovska kjo do të thotë mandat të tretë për Ivanov. Emri është i ndryshëm, por politikat janë të njëjta. Më 21 prill dhe më 5 maj nuk do t’u lejojmë por do të vazhdojmë bashkërisht drejt integrimet në BE dhe NATO aty ku përkasim”, tha Stevo Pendarovski.

Ndryshe, kandidatët për kryetar shteti edhe gjatë ditës sotme do të vazhdojnë aktivitetet në fushatën parazgjedhore.