Në Maqedoninë Veriore nis vaksinimi në terren për epideminë e fruthit

Në Maqedoninë Veriore nis vaksinimi në terren për epideminë e fruthit

Në të gjitha shkollat fillore dhe të mesme nga nesër do të fillojë vaksinimi i nxënësve. Kjo është njëra nga masat e ndërmarra kundër përhapjes edhe më të madhe të epidemisë së fruthit.

Prindërit e anketuar nga ALSAT mirëpresin masat e reja duke thënë se kjo gjë do të jetë në dobi të të gjithë fëmijëve.

Gjithsesi se duhet të vaksinohen marrë parasysh se kemi epidemi tek ne por edhe në mbarë botën, mendoj se vendimi është i mirë. Marrë parasysh seriozitetin e situatës mendoj se është e pranueshme që fëmijët mos të pranohen në shkollë, ndoshta kjo bëhet arsye që ta marrin këtë çështje më seriozisht”.

"Unë mendoj se fëmijët duhet të vaksinohen, sepse jeni të vetëdijshëm për epideminë dhe gjërat e ngjashme. Për këtë ndalesën nëpër shkolla, duhet të vendosin njerëz të tjerë të cilët janë kompetent për këtë gjë. Mendimi im është që si prind të jenë të obliguar për vaksinim”, u shprehën qytetarët

Ministri i Arsimit Arbër Ademi i paqartë mbi çështjen e mos pranimit të fëmijëve të pa vaksinuar nëpër shkolla. Ademi tha se pos imunitetit, me rëndësi është edhe shkollimi i nxënësve.

"Të gjitha zgjidhjet tona, qofshin ato ligjore apo nënligjore duhet të jenë në harmoni edhe me dispozitat Kushtetuese ku arsimi fillor është i detyrueshëm por gjithashtu edhe me vlerat Kushtetuese ku duhet të mbrohet, të mos cenohet dhe dëmtohet shëndeti publik. Edhe në ligjin ekzistues për arsimin fillor por edhe në draft ligjin fillor të cilin jemi duke e punuar ekziston detyrimi për prindërit që me rastin e regjistrimit të fëmijëve në shkollat fillore të ju ofrojnë prova, dëshmi se e kanë kryer vaksinimin e fëmijëve të tyre”, theksoi Arbër Ademi, ministër i Arsimit dhe Shkencës

Dy ditë më parë Komisioni për sëmundje ngjitëse shpalli epidemi të fruthit në gjithë territorin e vendit pasi raste me fruth ishin regjistruar në 20 qytete. Vaksinimi i fëmijëve dhe të rriturve vazhdon, ndërsa deri të premten në gjithë qendrat e shëndetit publik pritet të ketë furnizim me sasi të reja të vaksinës kundër fruthit. Epidemia e fruthit është përhapur në gjithë botën. Nga OBSH kanë njoftuar se pothuajse për 4 herë më shumë është rritur numri i të prekurve gjatë katër muajve të parë të këtij viti. Si pasojë e fruthit, në Maqedoni ndërruan jetë 3 foshnja, ndërkaq numri i viktimave në mbarë botën ka shkuar në rreth 110,000 raste.


MË SHUME NGA Shëndetësi