Qeveria miraton fondin: 10 mln euro dëmshpërblime për “Unazën”

Qeveria miraton fondin: 10 mln euro dëmshpërblime për “Unazën”

Plot 10 milionë euro do t’u kushtojnë taksapaguesve shqiptarë shpronësimet për rindërtimin e “Unazës së re”, në segmentin e “Astirit”. Pas disa muajsh, Autoriteti Rrugor Shqiptar ka bërë vlerësimet në terren dhe ka nxjerrë përfituesit e kostot. Më pas, fatura i ka shkuar për miratim qeverisë, e cila ka nxjerrë edhe vendimin.

Me kryerjen e shpronësimeve bie edhe pengesa e fundit ligjore për nisjen e punimeve për rindërtimin e segmentit të unazës nga “Pallati me shigjeta” te sheshi “Shqiponja”. Ndërkohë, për ndërtimin e mbikalimit te sheshi “Shqiponja”, projekti do të bëhet nga e para.

Me gjithë tenderin e mbikalimit te sheshi “Shqiponja”, prej 20 milionë eurosh, të anuluar tashmë pas skandalit me kompaninë guancë “DH Albania”, rindërtimi i këtij segmenti kapi një kosto prej gati 40 milionë eurosh.

Ndërkohë po t’i shtosh 8 milionë euro TVSH dhe 10 milionë euro shpronësime, vlera e projektit arrin në 58 milionë euro. Nuk dihet ende se me çfarë shifre do të dalë projekti i ri te mbikalimi te sheshi “Shqiponja”, për të nxjerrë koston përfundimtare.

Nga ana tjetër mbetet për t’u parë nëse 10 milionë euro do të përmbushin kërkesat e banorëve të “Astirit”, të cilët protestojnë prej më shumë se 4 muajsh.