Mbahet simpoziumi i parë i kirurgëve mbarëshqiptarë të fëmijëve

Mbahet simpoziumi i parë i kirurgëve mbarëshqiptarë të fëmijëve

Sot është mbajtur simpoziumi i parë i kirurgëve të fëmijëve shqiptarë me pjesëmarrje ndërkombëtare, që për qëllim ka shkëmbimin e përvojave ndërmjet kirurgëve të fëmijëve.

Më shumë se 80 pjesëmarrës kanë ndarë përvojat e tyre në temat që janë trajtuar siç është kirurgjia neonatale, kirurgjia abdominale, kirurgjia terakale pediatrike, urologjike dhe trauma e fëmijëve.

Pjesëmarrësit e këtij simpoziumi të parë kanë marrë pjesë kirurgë nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia, Austria, Zvicra dhe Gjermania. 

Në hapje të këtij simpoziumi ka marrë pjesë edhe ministri i Shëndetësisë Uran Ismaili, i cili ka thënë se krahas investimeve që janë duke bërë në përmirësimin e kushteve të punës e rëndësishme është edhe investimi në personelin shëndetësor.

Kreu i Shëndetësisë tha se transferimi i diturisë, i praktikave më të mira do të jetë hapi më i madh në investim që mund të bëhet në sistemin shëndetësor, pasi sipas tij nuk janë pajisjet ato që e bëjnë punën por praktika dhe dituria e mjekëve.

Ismaili ka premtuar që edhe në të ardhmen të organizohen simpoziume të tilla, derisa ka bërë thirrje që të shtyjnë investimet sa më shumë në kapacitetin njerëzor.

Ndërkaq, drejtori i Klinikës së Kirurgjisë së Fëmijëve në QKUK, Murat Berisha, ka treguar se si kanë ardhur deri tek ideja për organizimin e këtij simpoziumi.