Hudhet aktakuza ndaj të akuzuarve për aksident trafiku

Hudhet aktakuza ndaj të akuzuarve për aksident trafiku

Gjykata Themelore në Prishtinë, dega në Drenas, e ka hudhur poshtë aktakuzën ndaj të akuzuarve për rrezikim të trafikut publik, Selim Lika dhe Avni Musliu.

Njoftimin për hudhjen e aktakuzës e ka bërë gjykatësi i rastit, Shefqet Baleci, me arsyetimin se vepra penale “rrezikimi i trafikut publik”, me pasoja të lehta për shëndetin, me hyrjen në fuqi të Kodit të ri Penal të Republikës së Kosovës,  nuk parashihet më si vepër penale.

“Hudhet aktakuza e Prokurorisë Themelore në Prishtinë-Departamenti i Përgjithshëm, ndaj të pandehurve Selim Lika dhe Avni Musliu, të akuzuar për veprën penale “Rrezikim i trafikut publik, të parashikuar me nenin 378  parag.6 lidhur me parag.1 të Kodit ( të vjetër) Nr.04/L-082  Penal të Republikës së Kosovës, pasi që Kodi (i riu) Nr.06/L-074 Penal i Republikës së Kosovës, i cili ka hyrë në fuqi me 14 prill 2019, veprën penale “Rrezikim i trafikut publik” , të parashikuar me nenin 378  parag.6 lidhu me parag.1 nuk e inkriminon- parasheh si vepër penale”, thuhet në aktvendim.

Shpenzimet e procedurës penale paguhen nga mjetet buxhetore.

Kurse, të dëmtuarit Burim Lika, Muhamet Dervishi dhe R.D, për realizimin e kërkesës pasurore juridike për kompensimin e dëmit të shkaktuar janë udhëzuar në kontest civil.

Ndryshe, të premten, ka qenë e paraparë që të mbahet seanca gjyqësore për këtë rast, në Gjykatën Themelore në Prishtinë, dega në Drenas.

Prokuroria Themelore në Prishtinë, më 31 korrik 2018, ka ngritur aktakuzë kundër Selim Lika dhe Avni Musliu, të cilët i ngarkon se me 13 maj 2018, rreth orës 14:18, në rrugën Drenas-Komoran, në fshatin Zabel i Ulët, të pandehurit kanë rrezikuar jetën e njerëzve dhe pasurisë duke shkaktuar lëndime trupore dhe dëme materiale.

Sipas aktakuzës, të pandehurit kanë shkelur rregullat mbi komunikacion rrugor, nga neni 53 dhe neni 120 të Ligjit për  Rregullat e Trafikut Rrugor, duke mos e mbajtur distancën e mjaftueshme të sigurisë, duke mos përshtatur shpejtësinë e lëvizjes së automjetit.

Në aktakuzë thuhet se kanë vepruar në atë mënyrë që derisa i pandehuri Selim Lika, ishte duke drejtuar automjetin e tipit “Caddy”, godet automjetin e tipit “Opel”, të cilën e drejtonte i dëmtuari Labinot Ahmeti, i cili nga inercioni i goditjes zhvendoset duke lëvizur përpara dhe me pjesë e përparme ballore godet automjetin “Golg IV”, të cilën e drejtonte Muhamet Dervishaj.

Sipas aktit akuzues, pasi që ndalën automjetet nga prapa i vjen automjeti “BMW 320”, të cilën e drejtonte i pandehuri Avni Musliu dhe me pjesën e përparme ballore e godet automjetin “Caddy”, të cilin e drejtonte Selim Lika,

Në aktakuzë thuhet se deri te aksidenti ka ardhur nga lëshimet ekskluzive të të pandehurve, me ç`rast Burim Lika, Muhamet Dervishi dhe R.D kanë pësuar lëndime të lehta trupore.

Me këtë, ata akuzoheshin se kanë kryer veprën penale “Rrezikim i trafikut publik” nga neni 378 par.1  lidhur me par.6 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.


MË SHUME NGA Betimi për Drejtësi