Kirurgjia Pediatrike, me të ardhme të ndritur

Kirurgjia Pediatrike, me të ardhme të ndritur

Në Prishtinë po i zhvillon punimet Simpoziumi mbarëshqiptarë i kirurgëve të fëmijëve, i cili po mbahet për herë të parë në Kosovë për qëllime profesionale dhe shkëmbim të përvojave të ndryshme.

Me këtë rast, Ministri i Shëndetësisë Republikës së Kosovës, Z. Uran Ismaili, tha se ky është një fillimi i krijimit të bashkëpunimit institucional.

Sipas Ministrit Ismaili, sistemi shëndetësor është mbajtur në këmbë nga vullneti dhe dëshira e madhe e mjekëve, që kanë punuar në institucionet shëndetësore.

Por, theksoi ai, pengesë ka qenë mungesa e madhe e buxhetit dhe investimeve, që ka degraduar sistemin shëndetësor.

“Investimi më i rëndësishëm është kur bëhet në personelin shëndetësor e në këtë rast në kirurgët tanë, të cilët realisht kryejnë një punë jashtëzakonisht të madhe. Unë do të jem mbështetës i asaj që ju të gjeni këtë bashkëpunim dhe të mundohemi që këto shkathtësi, të cilat ekzistojnë edhe jashtë Kosovës, t’i sillni në Kosovë” përfundoi Ministri Ismaili.

Dr. Basri Sejdiu, drejtor i Përgjithshëm i SHSKUK-së, tha se për vetë fakti i pjesëmarrjes së ndërkombëtarëve në këtë simpozium, tregon rëndësinë e tij.

“Krahas punës profesionale, bëhet ngritja dhe shkëmbimi i përvojave akademike e shkencore. Jemi në një situatë, ku ne si SHSKUK, me hapa konkret, jemi duke punuar që të bëjmë një reformim në sistemin shëndetësor”, tha Sejdiu.

Në anën tjetër, Dr. Emir Haxhija, profesor në Universitetin e Grazit të Austrisë, duke folur për Kirurgjinë Pediatrike, tha se Kosova ka një vizion të jashtëzakonshëm në ndërtimin e një shëndetësie të shëndoshë.

“Ardhmëria është para Kosovës, e ardhmja është e sigurt të gjitha themelet janë duke u vendosur. Ndërtimi i Kirurgjisë së re Pediatrike është vizion fantastik”, tha Haxhija.