Filmi `Furgoni` pjesë e festivalit prestigjioz të Kanës

Filmi `Furgoni` pjesë e festivalit prestigjioz të Kanës

Aktorët e mirënjohur kosovarë Arben Bajraktaraj dhe Afrim Muçaj do të jenë pjesë e festivalit prestigjioz të filmit në Kanë, me filmin e metrazhit të shkurtër “The Van” me regji të Erenik Beqirit

Ky film, i cili është  koproduksion mes Shqipërisë dhe Francës, është përzgjedhur në mesin e 11 filmave në këtë kategori.

Për emocionet e përzgjedhjes zyrtare të këtij filmi aktori Muçaj ka thënë se kjo është ndjesia më e mirë që mund t’i ndodhë një aktori.
“Fillimisht dua të theksoj që jam shumë i lumtur që jemi pjesë e Festivalit prestigjioz të Kanës, është gjëja më e mirë që mund t’i ndodhë një aktori. Falenderoj regjisorin që më dha mundësi të jem ndër rolet kryesore në këtë film dhe puna jonë të prezantohet në këtë festival të madh”, ka thënë Afrim Muçaj për rtklive, duke shtuar se për rolin e tij ka punuar një kohë të gjatë me regjisorin Beqiri me një përkushtim të jashtëzakonshëm.

“Është bërë një punë e madhe dhe jam i lumtur që po shpërblehemi në këtë formë”, ka thënë Muçaj.

Me role kryesore në këtë film janë aktorët: Phenix Brossard , Arben Bajraktaraj dhe Afrim Muçaj.