Berisha: Kemi nevojë për kirurgë të profilizuar

Berisha: Kemi nevojë për kirurgë të profilizuar

Në Klinikën e Kirurgjisë së Fëmijëve në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, aktualisht janë 13 kirurgë të fëmijëve, por që vlerësohet se ka mungesë të kirurgëve të profilizuar.

Profilizimi i kirurgëve ka qenë një nga temat që është trajtuar në simpoziumin e parë mbarëshqiptarë të kirurgëve pediatrik me pjesëmarrje ndërkombëtare, që është mbajtur gjatë javës që shkoj, ndërsa janë trajtuar edhe tema siç është kirurgjia neonatale, kirurgjia abdominale, kirurgjia terakale pediatrike, urologjike dhe trauma e fëmijëve.

Drejtori i Klinikës së Kirurgjisë së Fëmijëve, Murat Berisha, në një intervistë për KosovaPress, ka thënë se në këtë simpozium është shtruar edhe çështja e nevojës që në Kosovë të ketë më shumë kirurgë të profilizuar.

Duke qenë se ende nuk ka përfunduar ndërtimi i Klinikës së Pediatrisë, Klinika e Kirurgjisë së Fëmijëve operon në Klinikën e Kirurgjisë, ku ka kapacitet prej 35 shtretërve dhe ka 2 salla operatore.

Përfundimi i ndërtimit të Klinikës për Berishën është shumë i rëndësishëm, pasi sipas tij, do të kenë mundësi që të ofrojnë shërbime më kualitative për fëmijët.

Krahas investimeve në aparaturë, drejtori i Klinikës së Kirurgjisë së Fëmijëve, ka deklaruar se shumë e rëndësishme është edhe investimi te personeli shëndetësor, e kjo është një nga arsyet që edhe e kanë organizuar simpoziumin e kirurgëve mbarëshqiptarë.

Sipas tij, bashkëpunimi në mes kirurgëve është shumë i rëndësishëm, pasi kirurgët do të kenë mundësi të diskutojnë dhe të shkëmbejnë përvoja të ndryshme. Për këtë Berisha, thotë se shpreson që simpoziumi të bëhet tradicional.

Në simpoziumin e parë mbarëshqiptar të Kirurgjisë Pediatrik kanë marrë pjesë kirurgë nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia, Austria, Zvicra dhe Gjermania.