Haxhija: Kirurgët pediatrik në Kosovë punojnë në kushte shumë të vështira

Haxhija: Kirurgët pediatrik në Kosovë punojnë në kushte shumë të vështira

Emir Haxhija është profesor i pediatrisë në Graz të Austrisë, vlerëson se kushtet në të cilat punojnë kirurgët kosovarë janë shumë të vështira.

Problematike e ka parë hapësirën në të cilën gjendet Klinika e Kirurgjisë së Fëmijëve, ndërsa thotë se ka nevojë për investime edhe në aparatura.

Profesori Haxhija ka folur për kushtet në të cilat punon në shtetin austriak, derisa ka krahasuar punën që bëhet në Kosovë. Ai ka thënë se është shumë e rëndësishme që të ketë një klinikë që është vetëm për fëmijët, ku ofrohen të gjitha shërbimet.

Në një intervistë për KosovaPress, profesori Emir Haxhija, ka folur edhe për kushtet e punës në Klinikën e Kirurgjisë së Fëmijëve në QKUK, ku ka thënë se ka nevojë për shumë renovime dhe investime në aparaturë.

Profesori Haxhija vlerëson se Kosova ka kirurgë pediatrik shumë të zot, por që thotë se duhet t’iu ofrohen kushte që ata të zgjedhin që të punojnë në Kosovë dhe të mos largohen nga vendi.

Krahas investimeve në aparaturë, ai ka deklaruar se shumë e rëndësishme është edhe investimi te personeli shëndetësor, e kjo është një nga arsyet që ai vazhdimisht bashkëpunon me kirurgët nga Kosova.

Haxhija bashkëpunimin me kirurgët nga Kosova e kishte filluar qysh në vitin 2003, por që e kishte parë të nevojshme që një bashkëpunim edhe më i madh të bëhet në mes kirurgëve shqiptarë që punojnë në shtete të ndryshme.

Në simpoziumin e parë mbarëshqiptar të Kirurgjisë Pediatrik kanë marrë pjesë kirurgë nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia, Austria, Zvicra dhe Gjermania.