Bucks eliminojnë Pistons, Jazz shtyjnë festën e Rockets

Bucks eliminojnë Pistons, Jazz shtyjnë festën e Rockets

Milwaukee u bashkohet skuadra të tjera të NBA që kanë siguruar kualifikimin në raundit çerekfinal të play–off-it. Skuadra më e mirë e sezonit të rregullt e çoi në 4-0 rezultatin e serisë ndaj Detroit Piston e tashmë e presin të paktën 4 përballje me Boston Celtics, që eliminuan po me rezultatin 4-0 Indiana Pacers.

104-127 përfundoi takimi i fundit i zhvilluar në “Little Caesars Arena” të Michiganit, ku shkëlqeu  “ylli” i Bucks, Giannis Antetokounmpo, me plot 41 pikë, 3 asiste dhe 9 “rebound”, ndërsa Reggie Jackson i Pistons u ndal në 26 pikë, pa mundur të bëjë më shumë për të shmangur humbjen. Antetokounmpo bëhet lojtari i parë në historinë e NBA-së që realizon mbi 40 pikë në më pak se 32 minuta në fazën play off.

Nuk do të ketë duele të tjera që e mbyllin serinë me shifrat 4-0, pasi Houston Rockets e humbën sfidën e katërt ndaj Utah Jazz me rezultatin 107-91. Skuadra nga Salt Lake City triumfoi në “Smart Home Arena” duke e shtyrë festën e Rockets, pavarësisht se James Harden realizoi 30 pikë. Më i miri i kësaj përballjeje rezultoi Donovan Mitchell me 31 pikë, i ndihmuar nga Jae Crowder e Ricky Rubio respektivisht me 23 dhe 18 pikë.