Dermaku, mesazh Edy Rejas: Pres ftesën në Kombëtare

Dermaku, mesazh Edy Rejas: Pres ftesën në Kombëtare

Kastriot Dermaku, rezultoi njeriu i ndeshjes në fitoren 1-0 të skuadrës së tij, Cosenza, ndaj Spezias në Serine B, në Itali. Ishte i pari finalizim në këtë ligë, por që i dha tri pikë shumë të rëndësishme skuadrës së tij për objektivin mbijetesë.

“A është arritur shpëtimi? Nuk e di sa pikë kanë grumbulluar të tjerat, por le të themi që synimi ynë ishte të kalonim 40 pikë dhe ia kemi dalë mbanë 3 ndeshje para fundit. Ishte një gol shumë i rëndësishëm për mua, i pari në Serinë B,” – deklaroi mbrojtësi shqiptar, i grumbulluar në Kombëtare nga Cristian Panucci.

Goli dhe forma e treguar me Cosenza-n është edhe një mesazh për trajnerin e sapoemëruar të Shqipërisë, Edy Reja, që duhet ta ketë në konsideratë për ndeshjet e qershorit.

“Kombëtarja? E dija që do të ishte e vështirë të kisha vazhdimësi, sepse u kthyen edhe qendërmbrojtësit e tjerë. Unë e pres thirrjen dhe do të shkoj me shumë dëshirë në Kombëtare.

Për Dermakun ka patur interes nga Turqia, me konkretisht nga Besiktasi, por mbrojtësi shtatlartë thjesht pranon që do të jetë e vështirë të rinovojë me Cosenza-n.

“Kemi folur gjatë javës për rinovimin, por situata është paksa e ndërlikuar. Kam patur ndonjë kontakt me klube të tjera, por asgjë konkrete. Po më skadon kontrata por le të presim edhe pak.”