​Vidhet traktori, policia e gjen dhe ia kthen pronarit

​Vidhet traktori, policia e gjen dhe ia kthen pronarit

Stacioni Policor në Klinë dje ka arritur që të gjejë një traktor i cili ishte vjedhur nga persona deri më tani të panjohur dhe të njëjtin t’ia kthejë pronarit.

Fillimisht, policia kishte marrë informatë se persona të dyshuar janë duke e tërhequr me veturë një traktor nëpër një fushë në fshatin Gjurgjevik i Vogël të komunës së Klinës.    

Njësitet policore pas një kohe shumë të shkurtër kanë arritur ta gjejnë traktorin e tipit “Daf”, kurse personat e dyshuar kishin ikur nga vendi i ngjarjes.

Më pas, policia ishte njoftuar nga një qytetar me kombësi serbe se i ishte vjedhur traktori në fshatin Videjë të Klinës.

Lidhur më këtë rast janë angazhuar njësitet përkatëse të Policisë për të marrë masat e nevojshme adekuate dhe për këtë është informuar Prokurori i Shtetit, ndërsa traktori i është kthyer pronarit.

Hetuesit e Stacionit Policor në Klinë janë duke punuar intensivisht për të arritur që të identifikojnë dhe të arrestojnë kryerësin apo kryerësit e veprës së cekur më lart.