Në 20 vjetorin e rënies përkujtohen dëshmorët Feriz e Xhevdet Guri

Në 20 vjetorin e rënies përkujtohen dëshmorët Feriz e Xhevdet Guri

Përfaqësues të institucioneve komunale, familjarë, miq, përfaqësues të organizatave të dala nga lufta dhe qytetarë të shumtë, filluan ditën përkujtimore të dëshmorëve Feriz e Xhevdet Guri, me homazhe në Kompleksin Memorial të Varrezat e Dëshmorëve në Kaçanik.

Homazhe u bënë edhe në vendin e rënies tek Pllaka Përkujtimore në fshatin Gorancë. Akademia Përkujtimore u mbajt në Shtëpinë e Kulturës “Imri Curri” në Han të Elezit.

Në fjalën e tij, kryetari i komunës së Kaçanikut Besim Ilazi, tha se jemi mbledhur sot me një qëllim, ideal dhe një kujtim të përbashkët, duke përkujtuar dy dëshmorët, të cilët i dhanë jetë dhe frymë lirisë së atdheut.

Kryetari Ilazi tha se ndonëse vitet kalojnë, kujtimet mbesin të freskëta për tribunët e atdheut, duke i quajtur dëshmorët kadetët e parë të Ushtrisë së Kosovës.

Në fund të fjalimit të tij Kryetari Ilazi tha se sakrificën e popullit tonë për liri, më së miri e dëshmojnë lapidarët e ngritur të dëshmorëve dhe martirëve anekënd vendit, sepse liria kishte një çmim.

Me fjalë rast për të nderuar veprën e dëshmorëve Feriz Guri “ Komandant Shpata” dhe Xhevdet Guri folën edhe Kryetari i Komunës së Hanit të Elezit Rufki Suma, publicisti Nusret Pllana, Kryetari i OVL-së së UÇK-së dega në Kaçanik Hajrush Kurtaj, si dhe Rafiz Haliti.

Në emër të familjarëve Feriz e Xhevdet Guri të pranishmit i falënderoi Kjani Guri- vëllai i Komandant Shpatës. Në fund të akademisë u shfaq edhe një program kulturo artistik.

Të gjitha aktivitetet u organizuan nën përkujdesjen e përbashkët të dy kryetarëve të Komunave Besim Ilazi e Rufki Suma.


MË SHUME NGA Nacionale