Trump viziton Britaninë e Madhe në qershor

Trump viziton Britaninë e Madhe në qershor

Presidenti amerikan Donald Trump në muajin qershor do të mbajë një vizitë shtetërore në Britaninë e Madhe, me ftesë të mbretëreshës Elizabeta e Dytë.

Takimi pritet të shpallet formalisht nga pallati mbretëror dhe pason konsultat dyditore që kreu i Shtëpisë së Bardhë pati me kryeministren Tereza Mej dhe mbretëreshën korrikun e kaluar.

Atëkohë qëndrimi i tij në Britaninë e Madhe u prit me demonstrata anembanë vendit, veçanërisht në Londër.

Shkaqet që nxitën mijëra protestues në sheshe ishin debatet ende të nxehta në Amerikë rreth ndarjes së fëmijëve nga prindërit emigrantë në kufirin jugor, sikurse lajmet se presidenti Trump ndër vite ishte sjellë në mënyrë të pahijshme apo seksuale ndaj grave të ndryshme.

Mobilizimi i rreth 10 mijë forcave policore për sigurinë e stafit presidencial vitin e shkuar raportohet se i kushtoi shtetit anglez mbi 20 milionë dollarë në vetëm dy ditë.

Sondazhet e fundit tregojnë se 67 për qind e britanikëve vijojnë të kenë një përshtypje negative për kreun e Shtëpisë së Bardhë, transmeton oranews.

Ai vetë ka vijuar të ndezë polemikat duke mbajtur qëndrim të ashpër ndaj mënyrës si kryeministrja e vendit ka vepruar për largimin e vendit nga Bashkimi Europian, por e ka lënë të hapur mundësinë për një marrëveshje tregtare dypalëshe pas Brexit.

Vizita e Trump pritet të përkojë me 75-vjetorin e kapitullimit të ushtrisë gjermane në Francën veriore si pasojë e mësymjes amerikano-britanike, më 6 qershor 1944.

Muajin tjetër ai gjithashtu pritet të mbajë një vizitë në Japoni, duke u bërë edhe lideri i parë botëror që takon perandorin e sapozgjedhur, Princin e Kurorës, Naruhito.