Prokuroria e Prizrenit ngritë aktakuzë për keqpërdorim të pozitës

Prokuroria e Prizrenit ngritë aktakuzë për keqpërdorim të pozitës

Prokuroria Themelore në Prizren, Departamenti i Krimeve të Rënda, ka ngritur aktakuzë kundër të pandehurit E.B., në cilësinë e personit zyrtar si inspektor i ndërtimit komunal në Prizren, për veprën penale "Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar" dhe ndaj të pandehurit tjetër me inicialet F.H., për veprën penale "Heqja apo dëmtimi i vulave zyrtare ose shenjave" sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).

Sipas aktakuzës, i akuzuari i parë E.B., në periudhën kohore 2016-2017, në cilësinë e personit zyrtar si inspektor i ndërtimit komunal në Prizren, duke shfrytëzuar detyrën apo autoritetin zyrtar nuk i përmbush detyrat zyrtare ekzekutive, ashtu që shkel ligjin për ndërtimin me nr.2004/2015 përkatësisht nenin 64 duke mos rrënuar objektin i cili nuk kishte fare leje ndërtimi, me qëllim të përfitimit të dobisë për tjetrin. Në atë mënyrë, i akuzuari E.B., nuk ndërmerr asnjë veprim për rrënimin të objektit ndërtimor të ndërtuar në lagjen ,,Jenimahall” nga investitori me pronar F.H., i cili nuk ka pasur leje për trembëdhjetë (13) kate, por i akuzuari vetëm ka kryer punë administrative në hartimin e procesverbaleve duke mos sjellur konkluzionin për rrënimin e objektit pa leje. Kështu, ka mundësuar dobi pasurore trembëdhjetë (13) kate për investitorin me pronar F.H. 

Me këtë, i akuzuari E.B., ka kryer veprën penale "Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar" nga neni 422 par. 1 të KPRK-ës.

Ndërsa, i akuzuari i dytë F.H., me datë 03.06.2017 në kohë të pacaktuar heq ose dëmton vulën zyrtare apo shenjën e ngjitur nga zyrtari i autorizuar me qëllim të sigurimit të objektit, në atë mënyrë që pas vendosjes së shiritave nga inspektorët komunal të ndërtimit në Prizren, sipas procesverbalit të Drejtorisë  së inspektoriateve 0011996 të datës 30.03.2016, i pandehuri nuk i përfill vërejtjet e dhëna mbi ndalimin e punimeve në objektin e ndërtimit dhe vendosjen e shiritave. Në këtë mënyrë i heq shiritat e vendosur duke dëmtuar vulat zyrtare dhe vazhdon ndërtimin e objektit. Me këto veprime i akuzuari F.H., ka kryer veprën penale "Heqja apo dëmtimi i vulave zyrtare ose shenjave"  nga neni 414 të KPRK-së.

Prokurori i çështjes me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar Gjykatës që të akuzuarit të shpallen fajtor dhe të dënohen sipas ligjit për veprat penale të cilat u vihen në barrë​