Zidane sfidon Barçën: Sezonin e ardhshëm objektivi kryesor është La Liga

Zidane sfidon Barçën: Sezonin e ardhshëm objektivi kryesor është La Liga

Barcelona vijon të dominojë La Ligan dhe kjo duket se e ka shqetësuar së tepërmi trajneri Zinedine Zidane.

Në prag të ndeshjes së radhës ndaj Getafes, strategu francez ka zbuluar se sezonin e ardhshëm objektivi primar do të jetë fitimi i titullit kampion.

“Nuk ka ndonjë arsye të veçantë. Mund të them se sezonin e ardhshëm do të provojmë që të bëjmë më të mirën në La Liga, sepse përndryshe do të komplikohet gjithçka. Do të jetë objektivi kryesor, edhe pse ne kemi 33 kampionate dhe Barcelona disa më pak”.

“Ata po bëjnë shumë mirë dhe duhet t’i përgëzojmë, por historia tregon se ka më shumë tituj në Madrid. Duhet të ndryshojmë këtë ecuri. Gjëja më e rëndësishme duhet të jetë La Liga. Në Champions ka 12 apo 13 ndeshje dhe më pas fiton, ndërkohë që La Liga është një kompeticion i gjatë”, deklaroi Zidane, transmeton kohajone.

Francezi po planifikon të afrojë emra të rëndësishëm në verë, teksa Hazard pritet që të jetë goditja e parë, e pasuar nga Pogba.