Milani mbyll një tjetër sezon pa trofe, Lazio e Strakoshës në finale

Milani mbyll një tjetër sezon pa trofe, Lazio e Strakoshës në finale

Milani shpërdoron edhe mundësinë e fundit që kishte për ta mbyllur me një trofe këtë sezon.

Kuqezinjtë me mendjen te ndeshja e fundjavës ndaj Torinos në kampionat që mund të përcaktojë shumë në garën për vendin e 4-t, u mposhtën 0-1 nga Lazio në San Siro në gjysmëfinalen e kthimit të Kupës së Italisë.

Bëri autokritikë pas asaj humbjeje të shëmtuar ndaj Chievos në kampionat skuadra e Simone Inzaghit që në impiantin milanez fitoi falë një goli të Joquain Correas pas një kundërsulmi vrasës të kryeqytetasve në fillimin e pjesës së dytë dhe u kualifikua në finale pasi gjysmëfinalja e parë kishte përfunduar në barazim pa gola. Strakosha bëri një paraqitje të shkëlqyer në këtë duel duke u vendosur në evidencë me disa pritje spektakolare.

Edhe pse humbi që në pjesën e parë mesfushorin serb Milinkovic-Savic për shkaqe dëmtimi, Lazio bëri një figurë shumë të mirë në këtë sfidë dhe tashmë e sheh veten në finalen e Kupës së Italisë ku do të përballet me fituesen e çiftit Atalanta-Fiorentina me gjysmëfinalen e parë mes tyre që ka përfunduar në barazim 3-3, transmeton SS.

Përsa i përket Milanit vazhdon forma shumë e dobët e kuqezinjëve në ndeshjen e fundit, madje nuk funksionoi as ndryshimi i skemës nga ana e Gattusos që luajti me 3 mbrojtës.