Vuajtja, sëmundja, vdekja, s’më trembin

Vuajtja, sëmundja, vdekja, s’më trembin

Adem, hapësirë për ta prezantuar krijimtarinë ke kudo në Kosovë e në Shqipëri, në media fizike dhe elektronike, edhe në festivale letrare dhe të librit brenda dhe jashtë vendit. Veçse, si këtu, në “Akademi”, pra si në shtëpinë tënde, meqë je anëtar i redaksisë së revistës, duket se nuk gjen askund. Po e fillojmë këtë intervistë mbarë që të na dalë sa më mbarë edhe kur rrimë pak shtrembër. Adem Gashit kolegët e punës para disa muajsh ia kanë festuar pensionimin në vend pune. Çfarë do të na rrëfe

  • Sigurisht që nuk do t’ia dal jo me një intervistë, po as me gjithë shkrimet që kam bërë deri sot e që mund të bëj për sa më mban fryma në këtë botë. Dhe themi pastaj, ah kjo jetë sa e shkurtër! E dini përse? Sepse po t’i zbërthesh vitet në muaj, e muajt në javë, e javët në ditë, e ditët në orë, e orët në minuta, e minutat në sekonda... Po ta zbërthesh në plotni përjetimin e vetëm një sekonde të del një jetë e tërë.

Po t’i kthehem narracionit tradicional më del më kollaj. Kam lindur, siç kam marrë vesh më vonë, në vitin që kanë vdekur dy njerëz të njohur: Stalini dhe Haki Stërmilli (më 1953). Sipas nënës (e ndjera më thoshte herë “tri javë para Sh’mitri”, herë “tri javë pas Sh’mitri”, po në Librin e Amëzës është regjistruar 18 tetori.

E çuditshme, kam ardhur në këtë botë me emër! Tri vjet më herët, një vëlla imi pararendës ishte goditur nga rrufeja dhe prindërit, pa u hamendur, e kishin ruajtur për mua emrin e tij. Prandaj, në meditimet e mia të herëpashershme sikur e ndiej edhe praninë e një Ademi tjetër, të një adoleshenti të përjetshëm (ai nuk kishte rrojtur më shumë se 12 a 13 vjet). Pastaj vdiq babai. Pak më vonë motra e madhe, sapo kisha nisur shollën fillore. Duket sikur u mësuam me vdekjen, sikur bëmë një pakt. Një mysafire e paftuar që na vinte në çdo dy a tri vjet dhe, kur bëheshim shtatë anëtarë të familjes, prisnim se cili e kishte radhën. Unë nuk mund të them për fëmijërinë si Santajana: “Nuk më kujtohet ç’ishte ajo. Unë përherë e ngatërroj me parajsën”. Përkundrazi, më duket një variant ferri zbavitës me fluturime imagjinatave për jetën, vdekjen dhe amshimin.

Librat e parë që kam lexuar në fillore janë: “Kekeci mbi greminën e vetmueme” (Josip Vandot), që e kisha dhuratë dhe, “I huaji” (Albert Kamy) që ma dha një kushëriri im shumë më i moshuar, duke ma përkujtuar që studentët që e lexonin atë, të shumtët bënin vetëvrasje. E lexova po as më vajti ndërmend vetëvrasja. E imagjinoni, klasë e dytë e fillores! Tash them se më ka shërbyer si doracak për ushtrime leximi. Në katër klasat e para kam pasur mësues Habib Çelajn (një poet të cilin e keni botuar edhe ju me shtëpinë tuaj botuese). E morëm vesh se shkruante vjersha që atëherë. Me mendjen te mësuesi shkrova edhe unë. Dy vjershat e para m’u botuan në fletushkën e shkollës që shtypej si revistë, ndërkaq në “Pioneri” botova vjershën “Pranvera”, më 1965. Në klasën e shtatë, tashmë me goxha përvojë shkrimi, drejtoja grupin letrar “Migjeni” dhe shkruaja për të rritur. Demonstratat e gjashtëdhjetetetës më gjetën në vitin e parë të Normales së Prishtinës. Më fërkuan edhe aty proceset e diferencimit dhe të anatemës, po kaloi shpejt dhe, një vit më vonë, drejtoja grupin letrar me po atë emrin e fillores “Migjeni”, deri më 1973. Këtu ngulmon puna atdhetare me grupe ilegale, literaturë subversive, procese hetimore policie e të tjera.

Pastaj zë punë në shkollën e fshatit tim dhe studioj pa shkëputje Letërsinë në Fakultetin Filozofik të Prishtinës. Fill pas studimeve shokë e miq të njohur më ftojnë dhe nis punën në Radiotelevizionin e Prishtinës. Më 1980 martohem. Po atë vit dorëzoj tre libra në “Rilindje”. Libri me poezi botohet sapo dal nga burgu. S’po ju lodh me pezullimin e tij, megjithëse ai u shpërnda e shit sa hap e mbyll sytë, me zhurmat dhe luftën politike që shpërtheu gjithandej, deri në nivelet më të larta të Komitetit Krahinor të Lidhjes së Komunistëve. Më 1981 shpërthejnë demonstratat dhe vjen në jetë vajza e parë, Gresa. Më 1982 burgu dhe papunësia për gruan e për mua. Më 1986 rikthimi në televizion. Pastaj Greva e Minatorëve, protestat, dëshmorët e parë të lirisë... Më 1990 mbyllja e Televizionit. Libri im “Realiteti objektiv” shpallet libri më i mirë i vitit (tashti i pesti ky). Më 1995 “Ëndrrat e liga”. Më 1996 punoj në revistën “Ora” dhe publikoj një seri eseistike të lëmit politik. Më 1996 emërohem drejtor i Radiotelevizionit shqiptar për Programin satelitor. Më 1999 Tetovë - Tiranë. Riemërohem drejtor i Radiotelevizionit të Kosovës. Po ashtu zgjidhem nënkryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës. Viti 2001 më gjen bursist i Fondacionit “Heinrich Böll-Sttiftung” në Langenbroich të Gjermanisë. 2002-n emë-rohem këshilltar i lartë politik i Ministrit të Kulturës. Po atë vit kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës. Pastaj faza e papunësisë, si rëndom ato intermexot e pashmangshme. (Ha, ha, ha!) Në 2006-n emërohem drejtor i Zyrës për Komunikim Publik në Ministrinë e Tregtisë dhe industrisë dhe mbes aty deri në tetorin e 2018-s. Krejt këtë më mirë e më shkurt se këtu e kam thënë në poezinë “Curiculum vitae”, botuar në njërin nga librat e mi poetikë.

 

Sa ka derdhur gjak dhe djersë Adem Gashi për çështjen kombëtare?

 

GASHI: Gjak hiç, djersë po, madje shumë. Që nga Normalja e Prishtinës e deri sot, nuk gjen pothuajse një organizëm politik a jopolitik me të cilët nuk kam bashkëpunuar; nuk gjen veprimtar a individ të kauzës kombëtare me të cilët nuk jam njohur e nuk kam bashkëpunuar. Këtë çështje e mbyll këtu pa krekosje e pa modesti. E lë në dorën tuaj e të kujtdo të marrë opinione nga kushdo dhe e nënshkruaj bllanko.

 

Çfarë kontributi tjetër ka dhënë për kombin dhe shtetin?

 

GASHI: E quaj goxha punë opusin prej 25 librave, katër fëmijëve e tetë nipërve e mbesave, pa lënë mënjanë gjykimin e përditshëm kritik ndaj shoqërisë, pushtetit dhe rrjedhave kulturore.

 

Si i përjetoi Adem Gashi ditët e luftës? Ku ishte? Ç’punë bënte? Ç’shkruante? Çfarë dëgjonte?

 

GASHI: Të shumtat i thashë në përgjigjet e pyetjes së parë. Nuk thashë diçka që ma mori peng lufta. Pos zhdukjes së dy kunetërve dhe të baxhanakut tim (më 1998, ende të pagjetur); pos djegies së shtëpisë në fshat dhe të bibliotekës me rreth 5 000 libra, me dhimbje e kujtoj djegien e dy dorëshkrimeve: “Dorëshkrim i djegur” dhe “Eseistikë”. Eseistiken e gjeta në arkiv, nëpër revista, (“Nostalgjia e letrës”, “Rilindja”, 2003), ndërkaq poezinë fragmentare, publikuar nëpër gazeta e revista, pjesërisht. E merr me mend ç’remont mund t’i bëhet diçkaje të bërë shkrumb e hi? Kështu u ribë nga hiri, bashkë me titullin që s’ishte i tillë, “Dorëshkrim i djegur” (“Rozafa”, 2000).

 

Si i përjetoi ditët e para të pasluftës, Adem Gashi?

 

GASHI: Sigurisht krejt ndryshe nga ç’përrallis Mehmet Kraja në romanin voluminoz “Prishtina” e që ma kujton romanin “Korak Vuka” të Bozhidar Milidragoviqit, botuar në vitet e tetëdhjeta dhe ribotuar disa herë. Derisa romani i të dytit s’ka veçse njëqind e sa faqe, mbushur me propagandë politike perverse për gjoja eksodin e serbëve nga Kosova, shkaktuar prej shqiptarëve; i pari vlon nga surrealizmi pervers, si një antieksod a rikthim i të përndjekurve. Veprim që, përkundër ngulmimit të administratës ndërkombëtare, e habiti botën: ku shkojnë këta njerëz të cilëve u janë hapur portat e botës e të mirëqenies? Ku nxitojnë nëpër terrene të minuara? Si kthehen pa gjë e katandi në shtëpitë e djegura e të rrënuara? Kraja me apartament në pallatet e Tiranës së Re, skandalizohet se iu paska thyer dera e banesës në Prishtinë! Dhe ta mendosh se është pikërisht ky Kraja që ka bërë një kryevepër, vëllimin me tregime “Vdekja pa emër” (“Eurorilindja”, Tiranë), që më 1995!

Që të mos u hyj në hak të dyve, narracioni vjen në shkallën më të lartë dhe me një dekor estetik të shkëlqyeshëm. “Romani” im i këtij realiteti të pasluftës s’janë veçse katër poezi që po i sjell në fund të këtij bashkëbisedimi, nëse nuk jua prish standardin e intervistës. Pastaj, kij parasysh faktin se romani i Krajës vjen pothuajse dy dekada pas vakisë, kur gjakrat dhe emocionet janë bërë akull.

 

Cila është arsyeja që shkruani?

           

GASHI: Kurrë s’ia kam shtruar vetes këtë pyetje, megjithëse kam lexuar qindra përgjigje nga shkrimtarë të njohur e më pak të njohur; kam lexuar mbllaçitje teorish e teorirash nga më të ndryshmet. Tashti e mendoj se, ndoshta, me të njëjtën logjikë mund të pyesim përse marrim frymë, përse ushqehemi, përse dashurojmë, përse vdesim e të tjera. Kujtoj paragjuhën e njerëzimit, shenjën, gjestin, vizatimet murale. Pasi u maturuan këto them se njerëzit, pavarësisht prej gjuhës së komunikimit, u ndeshën edhe me kufizimet e kësaj gjuhe, me pamundësinë e shqiptimit të diçkaje orgjinare, zanafillore. Le ta marrim gjuhën e artit si një metagjuhë që kapërcen pragun e të pathënës, që i jep zë fatthënës. Njëherë si më gjysmëshaka e kam thënë diku, nisa të shkruaj si nxënës i fillores, i vetëdijshëm për mungesën e bukurisë së dukës, se mos ua marr mendjen vajzave e më duan!

 

Mund të na rrëfeni tri kujtime që s’i harroni kurrë?

 

GASHI: Përplasjen e babait me policët serbë në oborr të shtëpisë, kur unë s’isha veçse katër vjet e gjysmë, që nuk shqiteshin pa na e marrë viçin për ku ta di çfarë gjobe. Duhet të ketë qenë viti 1958. As sot nuk e kuptoj se përse nuk e vranë babanë, kur ai i goditi;

Telefonatën e 31 majit të 1998-s, kur një zë më tha se policia serbe ka vrarë të dy vëllezërit e mëdhenj të gruas, mocanik të mi. Kur ia thashë këtë Dritës, ajo shtangu një çast, pastaj më tha: “Nëse janë vrarë me plumb njitash do t’ia marr kangës”;

Zbritjen nga treni në Fushë-Kosovë (për një kinse defekt vagoni), kur vajza e madhe më dilte nga pas dhe më thoshte se po më mbronte që të mos më vrasin;

Gurin që e mori im bir me vete në Maqedoni dhe ditën që u kthyem, pas tre muajve, e la po aty ku e kishte marrë.

Ah, u bënë katra! E lashë.

 

Keni shkruar hëm prozë, hëm ese, hëm poezi. Pse?

 

GASHI: S’kam shkruar ende dramë, përjashto dy skenarë të parealizuar filmi. Poezinë, u mor vesh, e kam dashurinë e parë, flirtet me tregimin e novelën, romanin, një bashkëjetesë konviktore. Eseistika për mua është lufta e pashpallur, por e përditshme me çfarëdolloj pushteti. Më është vlerësuar më shumë poezia, ndërkohë që unë ndihem me dy këmbë në tokë me tregimin. Lexuesit e kujdesshëm, megjithatë, mund të vënë re, tema e motive ambigjene që trajtohen në të tri gjinitë. S’mund të mos e përmend se kam rreth 200 tekste për këngë dhe një seri parabolash e parodish. Nganjëherë më duket se eksperimentoj me format ligjërimore ngjashëm me shkrimtarin francez Rajmon Keno (“Ushtrime stilistike”).

 

Sa vend zë familja në shkrimet tua? Kush prej anëtarëve është “protagonist” në to?

 

GASHI: Shumë dhe pashmangshëm. Personazhi i parë, madje që në librin e parë, me një cikël poetik me titullin “Drita”, gruaja. Pastaj gjithë ardhësit e tjerë, fëmijët, nipat e mbesat. Për secilin ka nga një libër me dedikim. Madje, në librin me tregime “Udhëtimi i fundit”, i vlerësuar me çmimin libër i vitit nga LShK-ja, në vitin 2002, janë që të gjithë me emrat autentikë. Brenda familjes kam përjetuar gjithë dramat, tragjeditë, dashuritë, fitoret e disfatat; kam përjetuar gëzimet e jetës e mërzitë e burgut; ferrin e diktaturës e lulëzimin e lirisë. E dini që gruaja ime ka pritur gjashtë vjet për punësim (e vetmja infermiere e papunë atyre viteve e evidencuar në BVI-në për punësim në Gllogoc. Shkaku im sigurisht. E dini që ajo mbeti pa dy vëllezërit e saj që u morën në Poklekun e Ri nga policia serbe, më 1998, bashkë me burrin e motrës së saj dhe as shenjë prej tyre tash e dy dekada?

 

Studimet për letërsinë, edhe pse keni informacione të bollshme për letërsinë shqiptare dhe botërore, i keni lënë në gjysmë. Gjetët ndonjë “qime” në to?!

 

GASHI: Jo. E keni fjalën për studimet pasuniversitare?

 

Po, po, për to, se themeloret e di që i keni përfunduar.

 

GASHI: Po, ato i lashë në gjysmë, sepse ndodhi pikërisht në periudhën e burgut. Atyre ditëve më erdhën ndoresh për redaktim një punim doktorate dhe një punim magjistrature nga ca të njohur të mi. Kur i lexova mora vendimin përfundimtar: po qe kjo shkenca e letërsisë dhe po qenë këta të graduarit me tituj, nuk do t’i dua kurrë. Dhe, ti e di që jam “përballur” e përballem shpesh me titullarë të këtillë e më japin kënaqësi të veçantë. Para pensionimit njëfarë dore e kam ndier me goxha dozë nostalgjinë për audiencë, por e kam rikuperuar me paraqitje studimesh në konferenca e simpoziume shkencore. Për gjendjen e studimeve në këto nivele sot, para së gjithash, të interesuarit i përudh në vrojtimet e tua të paraqitura më se një herë me shkrime publike. Doni burime literature, ja ku e keni Armagedonin (Berat Dakën). Ha, ha, ha!

 

Çfarë e shqetëson Adem Gashin?

 

GASHI: Vdekja, jo se jo. As vuajtja. As sëmundjet e mundshme, as mungesat për gjërat e domosdoshme. Jo më shqetëson, po më tërbon pandershmëria e pushtetarëve. E kuptoj mungesën e dijes së tyre, po ajo edhe mund të përplotësohet nga këshilltarët e të tjerët. E kuptoj mungesën e guximit qytetar të tyre, por edhe ajo mund të përplotësohet me këshilltarë dhe mbështetës. Nuk i gjej ilaç pandershmërisë së tyre. E di që në kohë të perandorive, perandori kishte pushtet absolut, si një protokrisht mbi tokë. E di, por, se vetëm në një rrethanë senati dilte mbi perandorin. Në rastin kur konstatohej çmenduria e tij e kallnin të gjallë në dhé. I shihni qendrat tona mediatike, televizionet, portalet? Latinët thoshin: “Asnjë ditë pa një vizë”. Ne mund të themi asnjë ditë pa një marrëzi të pushtetarëve. Poende kanë kurajë dhe shfaqen përtallës e shpërfillës ndaj qytetarëve të këtij vendi.

 

Kë e grith, kë e godet, kë e mëson, kë e kundërshton Adem Gashi në librat e vet?

           

GASHI: Me të thënë të drejtën këtu nuk mund të përgjigjem. Nëse ka mbetur ndonjë lexues i ngeshëm edhe mund ta thotë. Librat e mi, mënjanë propagandës false e butaforive, nuk kanë mbetur jashtë vëmendjes së kritikëve dhe studiuesve seriozë. Tetë nga 25 librat e mi janë nderuar me çmimet më të larta kombëtare.

 

Meqë jeni pendë e mprehtë, nganjëherë edhe e rreptë, çfarë mësimesh mund të marrin shkrimtarët dhe lexuesit nga librat tuaj?

 

GASHI: Meqë po më thoni kështu, ndoshta moskonformizmin, mosoportunitetin dhe një çikë guxim. I siguroj se në asnjë rrethanë nuk dalin humbës. Vuajtës po, humbës kurrsesi.

 

Ministrisë së Kulturës të Republikës së Kosovës, me autorizimin tuaj, sivjet i kam bërë kërkesë për përkrahje të botimit të kompletit të veprës suaj. Duke parë angazhimin tuaj letrar, përditësimet në llogarinë tuaj në “Facebook”, kryesisht publikimin e poezive, duket se kompleti i veprës suaj do të jetë i pambyllur edhe këtë vit.

 

GASHI: Po. Edhe një shkas, edhe një justifikim goxha i përllogaritur për mosrealizim të këtij projekti. Korpusi i veprave të një autori, me një rast e shkas jubilar, as ezauron potencialin krijues në studion e tij, as ia hap a mbyll derën. Trajtën përfundimtare njeriut ia jep vdekja, - thoshte Sartri. Ndërkaq, lidhur me moshën, Markezi fliste për lodhje metalesh. Hëpërhë shqisat e ndijat nuk më japin sinjale të tilla. Ku ta dish?

 

Çfarë e dallon Adem Gashin, si krijues në ditët e para, nga Adem Gashi në ditët e sotme?

 

GASHI: Vlerësimin e parë në nivel studimi të dy veprave të mia e ka bërë tashmë i ndjeri, docent Mensur Raifi. Madje në kohën më të ligë për mua, kur më ishte pezulluar e drejta e publikimeve dhe botimeve në vitet e tetëdhjeta. Ai, duke folur për dy vëllimet e mia poetike, “Pa ombrellë” (1982) dhe “Duke punuar autoportretin” (1985), ka formuluar epitetin “Poet i energjisë së çliruar”! E imagjinoni energjinë e çliruar në ditët më të zeza të ndalesave e censurës së egër të monizmit? Unë shumë vite pas këtij shkrimi e kam takuar atë dhe vetëm një herë. Ishte ndër kritikët e rrallë që i hapi derën metodës së psikanalizës në studimet letrare. Ai ka publikuar edhe një antologji të tregimit shqiptar të Kosovës në gjuhën angleze, ku midis pesë a gjashtë autorëve ka futur edhe një tregim timin. Nga energjia e çliruar dje, në maturinë dhe ironinë e kultivuar sot, ma thotë mendja.

 

A duhet dhe sa mund t’i zëmë besë kritikës shqipe? Nëse keni vënë re ndër vite, na jepni disa shembuj në të cilët kritikët janë kontradiktorë për të njëjtat vepra dhe për të njëjtit autorë.

 

GASHI: Në fakt, sot as mund të flitet për kritikë letrare. Nuk ka revista të specializuara, nuk ka medie të specializuara, rrjedhimisht nuk ka njerëz të specializuar, madje as lexues me dije e kulturë që t’i përkushtohen kritikës letrare. E shumta, mund të përfillen mendimet e letrarëve të autoritetshëm dhe me një promocion shoqëror e kulturor. Perëndoi tashmë epoka e Qosjes, e Aliut e Hysniut. Sabri Hamiti nuk e ka më luksin të merret me kritikë. Bajram Krasniqi e la herët këtë botë, Xhemail Mustafës i mori haraç politika, madje deri në martirizim. Ramadan Musliu sesi e ndali hapin te recensionet. Për brezin e ri nuk jam krejt i pashpresë. E zë ngoje me respekt Nysret Krasniqin, do t’ia dëgjoni zërin, sado rrallë, Emin Z. Eminit, e përmend për goxha model Moikom Zeqon, sidomos për metodën e konceptualizmit, edhe ky me të perënduar të kësaj gjinie letrare. Diçka nga ky segment kultivoj edhe vetë.

Jua dhashë një shembull për romanin e Krajës që u prit me fanfare!

 

Gjatë 65 vjetëve të jetës suaj keni pasur edhe disa detyra me rëndësi si, t’i kujtojmë, keni qenë kryetar i Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës, drejtor i Televizionit të Kosovës, këshilltar i një ministri të Kulturës, këshilltar i një kryetari të Kuvendit të Kosovës, redaktor i qindra librave letrarë dhe shkencorë e punë të tjera këshilluese dhe profesionale keni bërë. Cila ju është dukur më e vështirë? Dhe, për çfarë arsye?

 

GASHI: Asnjëra nuk më është dukur e vështirë. E dini përse? Sepse nga të gjitha ato pozicione, kurrë, nga askush nuk më është kërkuar lojalitet dhe rreshtim politik. Madje edhe pozicioni i parë i këshilltarit politik të ministrit të kulturës, ku vetë togfjalëshi kërkon përcaktim dhe përkatësi politike, më është lejuar nga z. Bexhet Brajshori. I kam thënë, ti je ministër me çelës partie nga LDK-ja, po unë jam në luftë publike me LDK-në. Ai, shumë njerëzisht e me kulturë më është përgjigjur: Mua më duhesh për çështje të kulturës. Kaq.

Për të gjitha punët që kam bërë kam pasur këshilltar vullnetin tim dhe sovranitetin tim. Nuk ka treg për kredon time dhe për moralin tim.

 

Në jo pak poezi, me ironi, me satirë, me sarkazëm, i keni qeshur dhe përqeshur politikat e qeverive të Kosovës. A keni vënë re, pas kritikave që keni shprehur publikisht, a kanë ndërruar gjërat për të mirë apo është bërë edhe më keq?

 

GASHI: Po. Njëherë ka ndodhur në mënyrë të dukshme, disa herë në mënyrë alternative. E kam parë efektin e një statusi në “Facebook”. Ishte fjala për reagimin serb lidhur me pranimin e Kosovës në UNESCO. Argumenti i tyre i refuzimit ishte statusi i monumenteve të kultit ortodoks në Kosovë. Gjoja rrezikimi i tyre. Askush nga tanët nuk e zinte ngoje argumentin kokëfortë për të kundërtën, se anëtarësimi në UNESCO një vend e ngarkon me kushte e përgjegjësi dhe detyrime pikërisht për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore, historike dhe religjioze. Dhe kjo është garancia. Jo më larg se të nesërmen njëri nga politikanët tanë, më në fund e shqiptoi këtë devizë.

Në qoftë se ju, ndërkaq, më bindni se ka hatërmbetje në nivelet e pushtetarëve për paraqitjet e mia kritike ndihem shumë i përmbushur.

 

Jeni shkrimtar i mirë. I njohur gjithandej trojeve shqiptare, po edhe jashtë tyre. Pse u dashtë të përziheni edhe në “artin e së mundshmes” që, edhe pse është thënë se është art, mua më duket se është pjella më e keqe.

 

GASHI: S’është se s’ju jap të drejtë në këtë pikë por, duke qenë i papajtueshëm deri në klithmë me rendin e mbrapsht të partive politike në pozitë e në kuaziopozitë; duke u përballur me miq të mirë që çmojnë pikëpamjet e mia politike dhe pranojnë qëndrimin tim; duke mos pranuar statusin e qenies apolitike (ç’është ajo!?), vendosa t’i artikuloj këto pikëpamje në Vetëvendosje. Po ju kujtoj një detaj pas shfaqjes dhe regjistrimit si parti politike të LDK-së. Një anëtar i kryesisë së saj atëherë, në një intervistë, deklaronte marrëzinë më të pashembullt: “Ne jemi parti pa ideologji, - dhe ngutej të shtonte, - pa ideologji politike!”. Po ç’është ideologjia, mor im krisur, - i pata thënë, - pos tërësi idesh. Dhe të jesh pa ide do të thotë të jesh idiot.

Vite më vonë kam publikuar esenë “Intelektuali dhe politika”, ku kam zbërthyer pozicionin e intelektualit në parti dhe të intelektualit pa parti. Edhe sot kemi intelektual pa parti, por me servilitet të pështirosur ndaj akëcilës parti; kemi intelektual në parti, por me oponencë e qëndrim kritik ndaj partisë. Pretendoj ta gjej veten te ky rasti i dytë për aq sa më durojnë ata. Kam gjetur mbështetje edhe në një mendim të Gëtes që ia kishte thënë Ekermanit: Hollë e hollë, gjithë veprat e mia s’janë tjetër veçse fjalime që s’i mbajta në parlament.

Tek ata djem kam gjetur një lidership me dije, guxim dhe sidomos ndershmëri. Natyrisht, s’ka parti askund në botë që nuk ka provuar edhe fruthin, sëmundjet foshnjore “të majtizmit në komunizëm”, - siç do të thoshte Lenini. Ha, ha, ha! U trembe se mos po të akuzojnë se bisedove me një leninist. Për aq kohë sa do të jetë kështu do të jem aty.

 

Çfarë punë të mira do të kryeni nëpërmjet marrjes pjesë në politikë?

 

GASHI: Do t’i “varfëroj” shqiptarët për nga dy a tre milionë euro; do t’i tall e përbuz injorantët politikë, do t’i luftoj me çdo mjet korrupsionin dhe vjedhjen. Po pati shenjtëri në këtë tokë, të tillë e shoh funksionimin e drejtësisë, të ligjit. Po s’munda më shumë mjaftohem të jem qoftë edhe vetëm një ushtar i thjeshtë i kësaj garde.

 

Jakup Krasniqit, në një promovim libri në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës, i keni sugjeruar, pak a shumë, kështu: Jakup, tashmë jeni pensionuar dhe nuk keni ndonjë detyrë në institucione. Tërhiquni nga politika dhe merruni vetëm me shkrime. Tashmë jeni pensionuar edhe ju, Adem. Çfarë do t’i thoshit sot Jakup Krasniqit po t’ju sugjeronte njëjtë?

 

GASHI: Po, e kujtuake saktë! Z. Jakup Krasniqi sa kishte mbyllur një “betejë” me partinë ku ishte bashkëthemelues, po i hynte një të reje, gjithnjë si bashkëthemelues, me një terren po aq të rrëshqitshëm. Platforma e tij politike e shtruar në librat autorialë ishte dhe është në diskrepancë të dukshme me subjektin politik. Ky fakt e bën të dallueshëm pozicionin e tij me timin.

 

Për veprat që keni botuar keni marrë edhe disa çmime, jo pak të rëndësishme. Çmimet që keni marrë, ju kanë bërë poet më të mirë, ju kanë motivuar të botoni libra të tjerë?

 

GASHI: Pa diskutim, të marrësh çmim për një vepër letrare ndihesh i vlerësuar. Në një periudhë të hershme kur s’kisha botuar libër çmimet ishin edhe motivuese. Nganjëherë mendoj se po të mos ishin konkurset anonime, me shifër në vend të autorësisë, në revista dhe gazeta s’do të më njihte njeri për shkrimtar sot. Kam një kuotë rekorde prej rreth 50 çmimeve, në periudhën 1977-1988. Tashti edhe kjo puna e çmimeve letrare, do të thosha, është banalizuar që kur dolën këto “juritë profesionale”. Keni dëgjuar ju për to ku defilon lloj-lloj anonimusi?

 

Si nuk kam dëgjuar. I kam në nishan sa herë që përbëhen, sa herë që mblidhen në kafene, në qebaptore, në çajtore dhe sa herë që gjykojnë për libra dhe për shoqëri.

 

GASHI: E pra...

 

Zhvillimet e letërsisë shqipe dhe të huaj i përcillni. Çfarë po krijohet sot më shumë dhe çfarë do të duhej të krijohej?

 

GASHI: Nuk është se parapëlqej të jap këshilla e etiketa, po konstatimet më vijnë vetiu. Më shumë shkruhet pseudopoezia, më pak poezia e mirë dhe ende më pak tregimi e romani i mirë. Rrjetet sociale, forumet e portalet virtuale i kanë ofruar sekujt mundësinë e publikimit të shkrimeve të veta dhe iluzionin e kënaqësisë. E keni parë se me ç’krekosje deklarojnë disa që kanë botuar nga një libërth vjershash: Ne poetët, në shkrimtarët! Madje shkelin edhe rregullën drejtshkrimore. Nuk thonë ne poeteshat (ç’është kjo prapashtesë si sekretareshë), po “ne poetet”! Përkundër kësaj dalldie, nuk ka një sistem ekuilibrimi e seleksionimi. Doemos që edhe ky haraç duhet t’i paguhet periudhës së tranzicionit shoqëror, çakordimit të sistemit të vlerave, moskonsolidimit institucional e të tjera.

 

Jetoni në kryeqytetin e Kosovës, në të cilin, më shumë se në cilindo qytet të saj, promovohet disi kultura dhe, po ashtu, disi arsimi dhe shkenca. Si ju duket veprimtaria kulturore, arsimore dhe shkencore që zhvillohet përreth jush, në seminare ndërkombëtare që organizojnë fakultetet, në konferenca shkencore të instituteve dhe të akademive?

 

GASHI: E di se për muzikën është “gjetur” dhe “adoptuar”një emërtim krejt i pakuptimtë, por shumë ilustrues, tallava. Disa nga veprimtaritë shkencore e kulturore, pavarësisht prej faktit paradoksal, kur kanë ruajtur disa forma të traditës së gjatë, kanë dhënë rezultate; kur kanë bërë provën e transformimeve pa përgatitje të nevojshme profesionale e disiplinë shkencore, kanë degjeneruar në surrogate. Merreni sistemin arsimor. Me vite “bombardohemi” me nocionet reforma, si Evropa, Sistem i Bolonjës dhe del PISA e na e dëshmon nivelin e skajshëm të mosdijes.

Ndoshta pikiata më e tmerrshme e degradimit shënohet mu mbi kupolën e AShAK-ut. Aty madje janë kaq të sheshta mbrapshtitë sa s’ka pse lodhët të argumentojë gjë njeriu. Lër mënjanë shkencën e kulturën aty, pa shih dhe moralin. Një kryetar i rizgjedhur me precedent vjedhjeje të buxhetit të shtetit. Lëre se u bëmë gaz i botës para të tjerëve, po ç’do t’u themi nesër fëmijëve tanë? Në këtë plan nuk ka alibi shfajësimi asnjë instancë shtetërore e shoqërore, asnjë formacion sado i thjeshtë kulturor, madje asnjë individ me dy fije mend.

 

 

Një tekst për historinë e letërsisë shqiptare, prej fillimit të saj e deri më tash, ende na mungon. Disa histori letërsie, për disa periudha të letërsisë sonë, nuk është që s’janë shkruar. Kur duhet të shkruhet një histori letërsie që mos të shkruhet edhe një tjetër më për nja pesëdhjetë vjet?

 

GASHI: Po i pamë titujt e gradat shkencore, universitetet, kolegjet e institutet kjo punë do të dukej e tejkaluar tashmë. Edhe kjo është pasqyrë degradimi. Pas Luftës së Dytë Botërore për shumë dekada jemi mjaftuar me “Historinë e letërsisë” të Shuteriqit. Pastaj një si diçka. Pastaj një “Histori e Letërsisë Shqipe, Romantizmi I, II, III” e akademik Qosjes. Plasja si s’na vjen. Historinë më të mirë deri sot për Kosovën e bëri një i huaj (Noel Malkolm). Historinë më të mirë të Letërsisë shqipe, sërish një i huaj (Robert Elsie). Ku na mbeti ajo krekosja jonë dhe mburrja deri në marrëzi?

Kur pra? Kur do të shkruhet diçka e tillë? Me këta njerëz të sotëm jo. Po i rikthehemi sërish shpresës së horizontit të pritjes.

 

Cila periudhë e letërsisë shqipe, cilët shkrimtarë dhe cilat vepra ju kanë lënë mbresa më të mëdha?

 

GASHI: Mund t’ju duket mbase e çuditshme përgjigjja ime. Periudha e letërsisë së viteve të tridhjeta të shekullit të kaluar. Duket e paperceptueshme, në kulmin e degradimit shoqëror, politik e shpirtëror; në kulmin e krizës më të madhe sociale e politike të shkëlqejnë në qiellin e botës letrare shqiptare krijues si Noli, Migjeni e Poradeci; Kuteli, Koliqi e Merxhani.

 

Letërsia e huaj po vjen në shqipe shpejt, kryesisht nga botuesit e Shqipërisë, ndërkaq letërsia shqipe po depërton jashtë shumë pak. Është letërsi e varfër tematikisht dhe stilistikisht, apo çfarë po ndodh? Mund të na përmendi shkaqet?

 

GASHI: Jo, e mendoj të kundërtën. Në planin stilistik e tematik dhe përgjithësisht në planin artistik letërsia shqipe nuk ka pse të ndihet inferiore, së paku për aq sa lexojmë e dimë të vlerësojmë të tjerët që na vijnë në shqip. Edhe ato pak përkthime që janë bërë, sidomos të autorëve nga Kosova, janë bërë mbi bazën e njohjes dhe të kontakteve personale. Këtu nis pika e rënies. Janë përkthyer libra që as këtu nuk thonë gjë e lëre më për lexuesin e huaj. Shihni ç’kërdi është bërë me përkthimet në rumanisht. Nuk janë dhjeta po qindra. Emra djemsh e vajzash e grash e vejanash e vejushash që as dëgjuar i ka lexuesi i Prishtinës. O ç’ironi! Edhe na përcillen opinione kritikësh rumunë, me të vetmen formulë vlerësimi huazuar nga kodi etik: “Kjo është poezi e sinqertë, e vërtetë”, “Ky është një autor i sinqertë dhe transparent”... e të tjera të ngjashme.

E pra duhet ngritur një formacion përzgjedhësish ku me debat të hapur të seleksionohen veprat më të arrira, për t’ia prezantuar botës në gjuhë të huaja me mbështetje institucionale. Në Shqipëri është bërë diçka e këtillë. Provë dëshmie kemi edhe “Gjeneralin e ushtrisë së vdekur” të Kadaresë që në krye të herës u botua frëngjisht mu në Tiranë.

 

Anëtar i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës (AShAK-ut) nuk jeni sepse nuk ia keni mësyrë asnjëherë, sa di. Megjithatë, i keni parë ata që janë futur brenda saj që, së paku, nja njëzet vjet. Çfarë mund të na thoni për AShAK-un dhe për punën e saj?

 

GASHI: Thashë diçka më lart për të. Po m’u kërkua me çdo kusht të shtoj gjë duhet të qëmtoj fjalë të pista nga Fjalori i Shqipes.

 

Institucion, po kaq me rëndësi për albanologjinë sa AShAK-u, është edhe Instituti Albanologjik, i cili shkencën nuk po e zhvillon sikurse e ka zhvilluar para njëzet vjetësh, nën masat e dhunshme serbe. Pse, Adem?

 

GASHI: Nuk e lë shumë larg Akademisë, megjithatë, që të jem i sinqertë deri në fund, nuk më është e njohur sa duhet puna e Institutit. Nga punimet e disa individëve brenda tij të mbërthen neveria. Nën masat e dhunshme ishte shtysa nga vullneti i brendshëm, nga atdhetaria dhe nga ideali i lirisë. Këto tri motive tashmë janë harxhuar.

 

Sigurisht ende i ruani në celular ose në notes numrat e celularëve të miqve tuaj që tashmë kanë ndërruar jetë. Kush prej tyre ju mungon më së shumti?

 

GASHI: Më ka trishtuar vdekja e Hajdar Salihut, një prozatori të rrallë; më ka ardhur e dhimbshme vdekja e Podrimjes, e Çapriqit; më ka goditur vdekja e Abdullah Konushevcit, Arif Demollit, Ragip Sylajt...

 

Përpos kompletit të veprës, çfarë do të botoni tjetër këtë vit?

 

GASHI: Në fundjavë, në Panairin e Librit në Kukës, paraqiten dy libra të mi, njëri ribotim e tjetri premierë (“Ndeza një qiri” - poezi) nga shtëpia botuese “Adonis”, Tiranë - Durrës. Nuk do t’i falja vetes po s’e publikova sivjet edhe “Antologjinë e zezë”, të kryer tashmë.

 

Po ju jap edhe pak hapësirë, sall për një fjali të shkurtër.

 

GASHI: Do ta doja të gjatë, sa për katër poezi të pasluftës.

 

 

SKAJET E LIRISË

 

1. Ëndrra e parë

 

Mureve të holla të tendës së gjumit

Erdhi lehtë ëndrra e parë në liri

Trokiti lehtë me lehtësi zogu

Në pezulin e qiellt të syrit

 

Të gjithë u bëmë nga pak fëmijë

 

Pak si puhi e pak borë e bardhë

Trokiti ëndrra ndrojtur

Ndrojtur si dashuria e parë

 

Kujt t’i rrëfehet ëndrra

Skajeve të lirisë mungojnë më të dashurit

 

Përtej perdes së ëndrrës

Me linjë ultravalësh

Ata na i dërgojnë kujtimet

Dhe luleplagët

 

2. Lëvrimi

 

Pas dy vjetësh në arën e braktisur

Nis hullia e parë

E hollë e përdredhur

Si një lojë tekanjoze vijash

Në fletoren e bardhë

 

Dikush paska mbetur gjallë

Derisa merr farën ara

Për kallinjtë lazdrakë

 

Në skajet e saj

Si në skajet e lirisë

Prehet bujku i vrarë

Arë e vogël bëhet kontinent

Për buzëqeshjen e bimës

 

Që andej na dërgojnë mesazhe të blerta

Të rënët

Të rënët ngrihen monument

Në çdo lëvrim të stinës

 

3. Rrobat e reja

 

Në festat e harruara skajeve të lirisë

Çdo ditë e zakonshme bëhet ditëfeste

Me një pikëllim të përkorë

Çorapëve të grisura

 

Kostumet tona gjeografi e botës

Romboidë pallatesh në fanella

Savane të blerta mëngoreve

E kaktuse xhepave

 

Flokët e pakrehur e flokët e krehura

Shkundin pluhur shkrumbi e baruti

Mbi peliçe dhelprash

 

Ata që e deshën ditëfestën tonë

Të ylbertë

Prehen skajeve të lirisë

Mbështjellë me savan humusi të zi

E të përhertë

 

4. Sytë e hutuar të viçit

 

Sytë e hutuar të viçit

Në perimetrin e zmadhuar të baladës së përlotur

Askënd nuk bezdisin

 

Janë pjesë e skajeve të lirisë

Si një letër dashuri me kornizë të djegur

 

Një viç me një kone pranë

Në dhimbjen tonë paskan hise

 

Duken tërësisht sovranë

Nga mbretëria e tyre e braktisur

Para ish-diskotekës së gremisur

 

Në të zeztë e syve të tyre

Si në një ekran të prishur

Pamje krejt surrealiste

 

Mjaftojnë si shoqërim muzikor

Vetëm tingujt pitagorianë të yjeve

Nga “Dorëshkrim i djegur”, 2001

 

(Intervista është realizuar për numrin e pestë të revistës për kulturë, gjuhë dhe media, “Akademia”)

Intervistoi: B. Armagedoni