Banka e Japonisë e mban të ulët normën e interesit

Banka e Japonisë e mban të ulët normën e interesit

Banka e Japonisë nuk ndryshoi politikat monetare në takimin e kësaj jave dhe premtoi se do të mbajë normën bazë të interesit në nivel “ekstrem të ulët”, të paktën deri në fillim të vitit 2020. Kjo është hera e parë që institucioni jep një afat kohor specifik për kohëzgjatjen e kostove të ulëta të huamarrjes.

Vendimi për të dhënë udhëzime politike më të detajuara vjen në një kohë që ekonomia e varur nga eksportet po has vështirësi prej dobësisë së kërkesës botërore dhe luftës tregtare Kinë-SHBA. Kjo lëvizje e vendos Bankën e Japonisë në të njëjtën pozitë me Rezervën Federale dhe Bankën Qendrore Evropiane, që janë detyruar të ndalojnë normalizimin e politikave, për shkak të pasigurive në botë.

Guvernatori i bankës, Haruhiko Kuroda, tha se banka qendrore është e gatshme të përshtatë politikat, nëse do të duhet për të mbajtur vrullin ekonomik dhe arritur objektivin e inflacionit në 2 për qind.

“Duke marrë parasysh paparashikueshmërinë e ekonomisë dhe çmimeve, do të mbajmë normat e interesit në nivel ekstrem të ulët deri në fillim të 2020-së. Në mënyrë që të arrijë stabilitetin e çmimeve, banka e Japonisë ka vendosur se duhet qartësuar qasja politike, për të vazhduar lehtësimin monetar”, tha Kuroda.

Banka e Japonisë mbajti normën afat-shkurtër të interesit në -0.1 për qind dhe premtoi se do të drejtoi yield-in afatgjatë të titujve qeveritarë në 0. Institucioni përsëriti se do të vazhdojë të blejë aktive, si tituj qeveritar të borxhit dhe fonde të listuara në bursë.

Banka uli gjithashtu projeksionet për rritjen e ekonomisë së tretë më të madhe në botë, në 0.9 për qind në vitin e ardhshëm nga 1 për qind që priste më parë.