`Korça sipas një kosovari` doli nga shtypi në Prishtinë

`Korça sipas një kosovari` doli nga shtypi në Prishtinë

Libri më i ri i publicistit dhe artistit Agron Shala, “Korça sipas një kosovari”, ka dalë sot nga shtypi nën përkujdesjen e Shtëpisë Botuese “Armagedoni”.

Ky libër i zhanrit të reportazhit, sipas recensentit të librit, Bardh Frangut, “është një udhërrëfyes i shkëlqyeshëm për këtë qytet që personifikon bukurinë dhe krenarinë shqiptare, përkatësisht djepin e trashëgimisë sonë kulturore”.

“Korça sipas një kosovari” këtë udhërrëfim për këtë qytet e jep nëpërmjet disa llojeve të zhanreve që ka brenda vetes, si: nëpërmjet kronikës, udhëpërshkrimit, kujtimeve, reflektimeve, fotografive dhe fotolegjendave për njerëzit dhe për ngjarjet më kryesore të qytetit të Korçës, e cila, sipas gazetares Rose Wilder Lane, që e pati vizituar Korçën dhe i patë lënë mbresa të mëdha, “Korça për nga madhësia është qyteti i tretë në Shqipëri; për nga kultura, është kryeqyteti i saj”.

Për këtë kryeqytet të kulturës shqiptare, për djemtë e edukuar, për profesorët, për diplomatët, për farmacistët, për inxhinierët, për sportistët, për artistët, për shkrimtarët, për klubet kulturore, për yjet e kinematografisë dhe të teatrit, për vajzat e bukura, të shkolluara dhe elegante, e për djemtë dhe burrat e saj me humor të mirë, është shkruar ky libër nga një kosovar, i cili librin e ka ilustruar edhe me 50 fotografi shumë të rralla me temë Korçën, institucionet, njerëzit dhe aktivitetet e tyre, të cilat i ka marrë nga fondet personale të disa prej familjeve me traditë të vjetër e të madhe kulturore korçare.

Librin mund ta gjeni në librarinë “Artini” në Prishtinë.

 

Parathënia e librit shkruar nga Bardh Frangu

 

Libri i Agron Shalës për Korçën është një udhërrëfyes i shkëlqyeshëm për këtë qytet që personifikon bukurinë dhe krenarinë shqiptare, përkatësisht djepin e trashëgimisë sonë kulturore. Libri është konceptuar si reportazh, por ngërthen në vete udhëpërshkrimin, kronikën dhe dokumentaren, të ci-lat ndikojnë që në tërësinë e vet libri të jetë një panoramë e bukur dhe shumë domethënëse për këtë qytet, duke përfshirë edhe rrethinën e tij, e cila është karakteristike për faktin se i jep dhe i merr qytetit.

Libri i Shalës për Korçën është ndërtuar nëpërmjet një rrë-fimi dinamik me elemente dramatike dhe një gjuhe të pasur që e bën shumë të pëlqyeshëm leximin e tij edhe në kuptimin estetik, edhe në kuptimin njohës. Në kuptimin njohës, lexuesi do të habitet me këtë galeri kaq të pasur personazhesh nga e kaluara dhe nga e sotmja, për të cilat autori shprehet se ka pasur fatin të shoqërohet me ikona lëvizëse të këtij qyteti.

Libri fillon me gojëdhënat, të cilat pastaj mbështeten në hulumtimet e shumë autorëve (tanët dhe të huaj), për të vazhduar me trashëgiminë materiale, e cila ruhet brenda dhe në rrethinë të Korçës. Duke iu referuar të kaluarës së këtij qyteti simbol të dijes dhe kulturës sonë, autori heton të gjitha pasojat e prerjeve të vrazhda kulturore që ka përjetuar Korça, përkatësisht kombi ynë.

Sigurisht që një dimension i rëndësishëm që reflekton edhe sot mbi qenien tonë është raporti ndërmjet neve (Veriut) dhe atyre (Jugut), i cili shpërfaq keqkuptimet tona si pasojë e po këtyre prerjeve kulturore. Po autori, i vëmendshëm për këto, sjell mjaft referenca për vlerat tona të përbashkëta, të cilat hapin shtigje të bollshme për tejkalimin e tyre.

Libri i Shalës jo vetëm që përbën një udhërrëfyes për ata që duan ta njohin këtë qytet, por edhe për korçarët është një material kaq i nevojshëm për ta njohur pasurinë shpirtërore të këtij qyteti ku, siç do të shprehet Jonela, dita-ditës të bukurës po i zë vendin e shëmtuara.

Vërtet zor është të gjesh një libër të tillë, të tipit reportazh, të mbushur me kaq shumë të dhëna dhe të shkruar me kaq mjeshtri dhe pasion.