Hapet zyrtarisht tenderi 2.3 miliardë lekë për tunelin 1.2 kilometra

Hapet zyrtarisht tenderi 2.3 miliardë lekë për tunelin 1.2 kilometra

Autoriteti Rrugor Shqiptar ka hapur tenderin 2.3 miliardë lekësh për ndërtimin e tunelin në aksin rrugor Kardhiq-Delvinë. Fondi për vitin 2019 është 560 milion lekë. Kohëzgjatja e kontratës ose afati kohor për ekzekutimin është përcaktuar 24 muaj. Afati kohor për dorëzimin e ofertave ose kërkesave për pjesëmarrje është caktuar 27 maj 2018

Referuar dokumentacionit të tenderit të shpallur, kontrata më e përshtatshme për ndërtimin e tunelit është kontrata “Lump sum, Price escalation”.

“Lump Sum” nënkupton një kontratë me çmim të fiksuar mes autoritetit kontraktor dhe kompanisë para nisjes së punimeve.

Në rast se për realizimin e projektit, elementet e paparashikuara sjellin një rritje të shpenzimeve përtej shumës, atëhere autoriteti kontraktor përballon shpenzimet shtesë ashtu si dhe në rast të kundërt, që në rast se punimet kushtojnë më pak se sa është fiksuar para nisjes së punimeve, atëhere autoriteti kontraktor (shteti shqiptar) përfiton ulje të shpenzimeve, pra një rishikim të çmimit të paracaktuar.

Aksi rrugor Kardhiq Delvinë ka një gjatësi prej 33 kilometra dhe shtrihet në jug të Shqipërisë duke përshkruar rrethin e Gjirokastrës, Delvinës dhe Sarandës.

Ndërtimi i rrugës Kardhiq-Delvinë është i ndarë në 8 lote. Aktualisht tre lote kanë përfunduar së ndërtuari dhe tre prej tyre janë në ndërtim.

“Vendi ku kalon rruga/tuneli i ri në qafën e Skarficës ndodhet ndërmjet lotit 4 dhe lotit 6 të rrugës Kardhiq-Delvinë.Ky është segmenti me kushte më të vështira si nga ana ndërtimore dhe nga kushtet gjeologjike. Aty është një qafë ku kryqëzohen disa linja tektonike të cilat kanë krijuar një reliev shumë të deformuar.

Qafa e Skarficës është e rrethuar me male të larta të cilat janë pothuajse të zhveshura nga bimësia. Aty ka një zhvillim intesiv të fenomeneve negative fiziko gjeologjike. Në këtë Qafë kalon një linjë e madhe tektonike e paraqitur në të gjitha hartat gjeologjike e cila shoqërohet me hypje, mbihypje dhe lëvizje të tjera horizontale dhe vertikale, duke u zhvendosur masa të ndryshme shkëmbinjsh në raport shumë të çrregullt” shkruhet në dokumentacionin e tenderit.

Tuneli parashikohet të ketë një gjatësi 1.2 kilometra me lartësi 5 metra mbi korsi dhe jo më pak se 4.8 metra mbi bankina.

Për hartimin e preventivit është bërë referim në punimet e ngjashme që janë realizuar në Shqipëri si dhe janë krahasuar këto punime me eksperiencën më të mirë në rajon. Punimet e ngjashme që janë marrë për referencë janë Tuneli i Qafë Buallit e Tuneli Elbasanit. /SCAN

 


MË SHUME NGA Ekonomi