Lluka zotohet se do t’i përkrahë projektet për zhvillimin e vajzave në TIK

Lluka zotohet se do t’i përkrahë projektet për zhvillimin e vajzave në TIK

Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka, ka dhënë përkrahje për projektet të cilat do të ndihmojnë në zhvillimin e grave dhe vajzave në TIK.

Lluka me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Vajzave në TIK në konferencën “Vajzat në TIK 2019”, tha se do të fillojë projekti 30 milionë euro për ndërtimin e shkathtësive, ku një pjesë i dedikohet vajzave dhe grave.

“Një projekt ku rreth 400 gra janë trajnuar dhe kanë qenë të suksesshme dhe kjo ka dëshmuar që ka vullnet. Tendenca me i motivuar vajzat fillon që nga mosha më e hershme dhe kemi filluar tek shkollat e mesme qysh vitin e kaluar. Për pjesëmarrje të grave në TIK nuk është vetëm frymëzimi duhet të jetë edhe infrastruktura. Në qershor të këtij viti do të filloj projekti me 30 milionë euro në ndërtimin e shkathtësive, ku një pjesë do tua dedikojmë vajzave dhe grave. Është motivuese fakti që kemi një bilanc të mirë mes vajzave dhe meshkujve pra nuk ka diskriminim”, tha Lluka.

Drejtoresha e Programit “IPKO Foundation”, Abetare Gojani, tha se përgjatë këtyre pesë vjetëve është shënuar rritje sa i përket përfshirjes së grave dhe vajzave në TIK.

“Ngjarja “Vajzat në TIK”, shënohet në më shumë se 171 vende, dhe është thirrje për të gjithë akterët, organizatat për të kontribuar për pjesëmarrje të vajzave të ngritin zërin e tyre. Përgjatë këtyre 5 viteve ka shënuar rritje të madhe të interesimit. Në vitin e parë kemi pasur vetëm 87 te interesuara për pjesëmarrje. Në këtë ngjarje sot kemi më shumë se 800 vajza dhe gra të regjistruara në këtë aktivitet”, tha Gojani.

Drejtoresha e RIT Kosova, Ylberina Morina -Mala, tha se përmes këtyre konferencave janë mundësuar edhe punësime te përhershme. Për këtë ajo ka falënderuar Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik.

“Jam krenare  që RIT vazhdon të avancoj gratë dhe vajzat në TIK. Kanë qenë Mbi 300 vajza në projekte të ndryshme dhe ka punësuar më shumë se 70 vajza në punë të përhershme ne jemi te përkushtuar të ju nxisim juve në avancimin në TIK. Përmes konferencave  të tilla transmetojmë mesazhe pozitive. Lajmi i mirë është se në nivele qeveritar kemi mbështetje të Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik”, tha Morina-Mala.

Drejtoresha e misionit të USAID-it në Kosovë, Lisa Magno, tha se kur gratë kanë sukses ka dhe Kosova.

Ajo bëri një krahasim duke thënë se Kosova nuk qëndron mirë në fuqinë punëtore dhe se është e njëjtë me at të Lindjes së Mesme.

“Kur gratë kanë sukses, Kosova ka sukses fatkeqësisht në fuqinë punëtore Kosova është e ulët. E dhimbshme dhe shokuese dhe shihet se është e njëjtë me at të Lindjes së Mesme,  dhe duhet ndryshuar sa më shpejt, por ka shpresë për të përmirësuar proceset dhe kompanitë në TIK  për të krijuar më shumë vende pune edhe intervenimet e USAID-it kanë qenë ku kemi trajnuar një numër të madh të grave.  Unë vi nga një kohë më e vjetër dhe ende mësoj në përdorimin e telefonit të mençur. Ajo që dua është t’u inkurajoj që të bëni karrierë në TIK, dhe së bashku të bëjmë një zhvillim më të mirë në Kosovë”, tha Magno.

Menaxherja e projektit “UNWOMEN”, Linda Sanaja, tha se gratë nuk janë të përfaqësuara sa duhet në TIK.

 “Gratë në sektorin e TIK s’janë të përfaqësuara sa duhet. Sot gratë përbëjnë vetë 1/4 në TIK. Arsyet kryesore për penguarjen e grave janë karriera stereotipet. Inkurajimi i grave dhe vajzave mundë të ndryshojë në këtë perceptim madje edhe përtej. Ndryshimi i steritipeve duhet të filloj qysh në moshë të re. Për ketë arsye jemi këtu të inkurajojmë  të bëni atë që doni. Kosova  është e fokusuar për të promovimin e grave në TIK”, tha Sanaja. /E.O