Kosova e Shqipëria fillojnë programin e përbashkët në arsim

Kosova e Shqipëria fillojnë programin e përbashkët në arsim

Një qind e njëzet nxënës nga Kosova dhe Shqipëria për herë të parë kanë filluar programin e përbashkët për shkëmbimin e përvojave ndërmjet dy vendeve. Zyrtarë të Ministrisë se Arsimit e vlerësojnë këtë projekt si qëllim për krijimin dhe thellimin e miqësive ndërmjet të rinjve të të dyja vendeve.

Një qind e njëzet nxënësit nga Kosova dhe Shqipëria, që për herë të parë kanë filluar programin e përbashkët për shkëmbimin e përvojave ndërmjet të dy vendeve, kanë ndjekur mësimet në gjimnazet në Kosovë dhe Shqipëri.

Këshilltari politik i Ministrit të Arsimit, Fatmir Bytyqi, tha për Radio Kosovën  se ka pasur edhe me herët projekte për shkëmbimin e nxënësve, por me Shqipërinë është hera e parë dhe ky shkëmbim i nxënësve është mjaft i rëndësishëm.

“Shkëmbime të tilla të nxënësve që janë vendosur nëpër familje ka pasur disa herë që nga paslufta, ku kanë arritur deri në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Por me Shqipërinë është hera e parë, dhe kjo është si rezultat i nënshkrimit të një marrëveshjeje ndërmjet  Ministrisë së Arsimit të Kosovës dhe asaj të Shqipërisë, për shkëmbimin e përvojave në mes të nxënësve.”

Po ashtu, Bytyqi, theksoi se ketë bashkëpunim me Shqipërinë do të vazhdojë edhe në të ardhmen. Dhe se përzgjedhja e qyteteve, ku nxënësit do të vendosen, do të jetë individuale. Aty ku nxënësit kanë dëshirë, do të qëndrojnë, tha Bytyqi.

“ Planifikojmë që ky shkëmbim i nxënësve në mes Kosovës dhe Shqipërisë të vazhdoj edhe në të ardhmen. Por mendojmë që herën tjetër ky zhvillim të jetë iniciativë individuale ku nxënësit vetë do të vendosin se në cilin qytet do të qëndrojnë, Dhe ketë shkëmbim vlerësojmë se është një e mirë për shkak se me shtetet e tjera e kemi praktikuar pse kjo mos të ndodh me Shqipërinë.”

Gjatë qëndrimit të nxënësve në  Kosovë dhe Shqipëri bashkë me moshatarët e tyre të cilët kanë qenë të vendosur në familje, përveç mësimit kanë vizituar edhe vende kulturore dhe historike.

Vizita e nxënësve nga Shqipëria do të përmbyllet ditën e shtune, me një ceremoni në Prizren, ku do të marrin pjesë zyrtarë të lartë të shtetit dhe ministrat e Arsimit të dy vendeve.

 

Autor: Ardiana Hajzeri, Radio Kosova