Promovohet libri “Marrëdhëniet shqiptaro-amerikane” nga Ndriçim Kulla

Promovohet libri “Marrëdhëniet shqiptaro-amerikane” nga Ndriçim Kulla

Nesër në Prishtinë promovohet libri “Marrëdhëniet shqiptaro-amerikane, një historik gjithëpërfshirës”, nga studiuesi, kritiku dhe publicisti i mirënjohur nga Tirana, Ndriçim Kulla. Ky libër sjell disa ngjarje dhe fakte në historinë e marrëdhënieve shqiptaro-amerikane që tregohen dhe analizohen për herë të parë.

Libri sjell për herë të parë një analizë të hollësishme historike dhe politike mbi rolin e ambasadorit George F. Williams në vitin 1914 kur shteti shqiptar rrekej të copëtohej nga fuqitë evropiane. Po ashtu, studimi i Kullës hedh dritë edhe mbi rolin e presidentit Woodrow Wilson dhe kontributin e diplomacisë amerikane në Konferencën e Paqes në mbështetje të çështjes shqiptare. Kulla sjell fakte të reja, të panjohura deri më tani, edhe mbi takimin e Fan Nolit me të presidentit Wilson, më 4 korrik 1918.

Lexuesit dhe studiuesit në librin e Kullës për herë të parë do të mund gjejnë fakte interesante edhe për rolin e gazetares dhe udhëpërshkrueses amerikane, Rose Wilder Lane, apo siç quhet ndryshe “Miis Durhami nga Amerika”.

Autori i librit Marrëdhëniet shqiptaro-amerikane, një historik gjithëpërfshirës”, Ndriçim Kulla, i takon grupit të atyre intelektualëve të persekutuar nga regjimi komunist në Shqipëri. Në kohën e diktaturës komuniste Kulla, si një intelektual i ri, e kishte të ndaluar të botonte studimet dhe hulumtimet e tij nga fusha e mendimit historik dhe kritik. Por, megjithatë, pas rënies së diktaturës ai me shumë sukses arriti ta përmbushë kohën e humbur, duke i dhuruar shkencave historike, albanologjike, si dhe publicistikës kombëtare shqiptare, studime me vlera shumë të rralla.

Opusi shkencor dhe publicistik i Kullës është shumë i gjerë, por ne do t’i përmendim vetëm disa libra më përfaqësues të krijimtarisë së tij: “Enciklopedi antologjike e mendimit shqiptar 1807-2014” (në tre vëllime), librin publicistik “Dritëhije shqiptaro - greke”, studimin mbi letërsinë e shkrimtarit tonë të madh Ismail Kadare, me titull “Ylli i shkrimtarit”, pastaj ka botuar edhe disa studime mbi trashëgiminë e “mendimit të ndaluar” shqiptar - Neoshqiptarizmës (me pararendësit: Branko Merxhani, Krist Maloki, Vangjel Koça, Tajar Zavalani etj). Ndriçim Kulla po ashtu ka hulumtuar dhe studiuar veprën e albanologut italian, Zef Valentinit etj.    

Promovimi i librit “Marrëdhëniet shqiptaro-amerikane, një historik gjithëpërfshirës” bëhet të nesër (e shtunë, 27.04.2019) në librarinë “Dukagjini” në Prishtinë, duke filluar nga ora 18:00. Ky promovim është organizim i përbashkët i shtëpisë botuese “Plejad” nga Tirana dhe librarisë “Dukagjini” nga Prishtina dhe i njëjti bëhet në shenjë të 20-vjetorit të çlirimit të Kosovës nga Serbia. Përveç referuesve nga fusha e studimeve historike e publicistike, pritet të flasin edhe politikanë vendorë e diplomatë të huaj.