Vlera Kastrati: “Të flasësh për ëndrra, ishte absurdi tjetër në Kosovë”

Vlera Kastrati: “Të flasësh për ëndrra, ishte absurdi tjetër në Kosovë”

Autorja dhe këngëtarja e muzikës xhaz Vlera Kastrati, së shpejti pritet ta botojë librin e saj të parë me titull “Anatomia e shpirtit të gruas kosovare”.

libri i saj i parë është shkruar në gjuhën angleze, por pritet të përkthehet dhe në gjuhën shqipe. Vlera Kastrati ka përgatitur dhe albumin me këngët xhaz kryesisht në gjuhën angleze, por ka dhe këngë edhe në frëngjisht. E veçanta e librit “Anatomia e shpirtit të gruas kosovare”, është se këngët janë të paraqitura si pjesë të librit, pra, temat e librit, reflektohen në këngë. Albumi është regjistruar në Romë të Italisë me njërin nga mjeshtrit më të shquar të muzikës italiane, Amedeo Tommasi.  Një nga këngët e albumit tashmë është publikuar dhe titullohet “I’ve sinned” ose “Unë kam mëkatuar”. Tekstet e këngëve janë shkruar nga vet autorja Vlera Kastrati, të cilat janë të ndërlidhura me realitetin e Kosovës të para dhe pas luftës, e që kanë të bëjnë me shpirtin femëror. Në intervistë për Radio Kosovës, Vlera Kastrati thotë se “Ideja ishte të shkruaja për ndjenjat e përjetimet e vështira që m’u grumbulluan të gjitha në një moment të vështirë dhe u mbështolla në një lëmsh dhimbjeje e s’po i jepja asnjë kuptim vetes dhe jetës në Kosovë”.

Çfarë është kjo anatomi e shpirtit të gruas në Kosovë?

Të hysh në brendinë tënde, ta shikosh, ta prekësh, ta ndiesh, ta rijetosh, ta vësh në fjalë e në këngë e ta shërosh, kjo është anatomia e shpirtit për mua. Të gjesh guximin të shkosh në thellësi ku gjen copëza të shpërndara të shpirtit nëpër kohë të jetës, nëpër dhimbje e lëndime dhe të gjesh mënyrën që t’i bashkosh në një tërësi, me dashuri, me përkushtim e dhembshuri, do të thotë të njohësh anatominë e shpirtit tënd. Anatomia e shpirtit të një kosovareje është mbi të gjitha tërësia e një shpirti njerëzor. Fjala anatomi është vënë qëllimisht pasi që vërtetë kam provuar të zbërthej plotësisht shpirtin tim para vetes dhe publikut.

Përmes këtij libri çfarë keni dashur të përcillni në botën anglisht folëse, meqenëse është i shkruar në gjuhën angleze?    

Libri është shkruar në anglisht për të bërë të njohur, mbi të gjitha, realitetin kosovar dhe si ngërthehet një person (o shpirt) në të për ta kuptuar më mirë e për të dalë e për t’u rritur përtej përvojave, ndjenjave e mendimeve që imponon ky realitet, për t’u bërë një person i ri o për ta rigjetur veten e të vërtetën që e ka humbur në realitet. Nga ky nivel, mikro të shpirtit dhe makro të realitetit, kam dashur të tregoj realitetin e Kosovës jashtë Kosove duke përshkruar emocionet e mia ndaj ngjarjeve kolektive. Në këtë përpjekje, mendoj unë, ilustrohet realiteti kosovar për një të huaj, por pa përjashtuar vendorin, jo vetëm si një përshkrim, por edhe një mënyrë për të kuptuar, kritikuar e padyshim ndryshuar realitetin kosovar përmes realizimit të vetes, më konkretisht të ëndrrës sime për të kënduar, e cila u bë realitet duke shkruar këtë libër. Kështu unë u bëra një person i ri, ose më mirë, u ktheva në personin që gjithmonë isha e doja të bëhesha, por s’i kisha dhënë jetë asnjëherë deri tani.

Pse e keni shkruar në gjuhën angleze?

Pyetje shumë e mirë. E kam menduar gjatë dhe vetë këtë gjë. Ka disa arsye; e para padyshim ishte ballafaqimi me veten dhe realitetin tim që nuk ishte fare i lehtë nga ana emocionale. Të rrëfesh për fëmijërinë e humbur, rininë pa kuptim e plot frika e trauma, dhimbjet e luftës e humbjen e jetëve të njerëzve dhe vitet e pasluftës në kërkim të identitetit e të një jete më të mirë, por mbi të gjitha, të pranosh se nuk e ke jetuar gjënë që ke dashur më së shumti në jetë, ëndrrën time për muzikën, ishte shumë e dhimbshme. Me duket se në këtë ballafaqim me veten e jetën time, të shprehesh në një gjuhe tjetër ishte disi më e lehtë. Dukej sikur gjuha krijonte një hapësirë, një distancë ku emocionet shpreheshin e ‘treteshin’ më mirë dhe përshkruheshin më lehtë. Së dyti, unë personalisht fillova të shpreh mendimet e mia në letër e të shkruaj me intensivisht kur bëra MA në New York, në Universitetin Columbia. Gjatë studimeve në Kosovë, shkrimit nuk iu dha prioritet e posaçërisht për ne që kemi përfunduar studimet në sistemin paralel/klandestin të arsimit ku arsimi mbijetonte, por nuk gjallonte. Me fjalë të tjera, fillova të shkruaj në mënyrë kritike duke mos hezituar të shpreh mendimet e mia atëherë. Së treti, pata shumë dëshirë që rrëfimet e Kosovës të jenë të hapura për një audiencë më të gjerë, që jeta/jetët e Kosovës të dihen e të ndihen më gjerë, që e vërteta që ende ne e kemi vështirë ta tregojmë, të depërtojë më larg.

Po në gjuhën shqipe a do të jetë?  

Po do të jetë dhe në gjuhën shqipe, padyshim. Do të provojë që sa më shpejt ta rishkruaj, apo ta përkthej në gjuhën shqipe.

E veçanta e librit tuaj “Anatomia e shpirtit të një gruaje kosovare”, është se pjesë të këtij libri i ke bërë dhe tekste për këngët e albumit. Pse kjo ide?

Në të vërtetë nuk nisa të shkruaj me këtë ide. Ideja ishte të shkruaja për ndjenjat e përjetimet e vështira që m’u grumbulluan të gjitha në një moment të vështirë dhe u mbështolla në një lëmsh dhimbjeje e s’po i jepja asnjë kuptim vetes dhe jetës në Kosovë. Dhe, sa më shumë që ballafaqohesha me të vërtetën që më krijonte dhimbje, aq më shumë gjeja dashurinë për jetën që kishte ngecur në ëndrrën time të parealizuar të muzikës. Kështu, duke shkruar, posaçërisht në momentet më emocionale si ta zëmë kur përshkruaj momentin kur shpëtova nga lufta, lindën këngët të cilat i jepnin më shumë emocion e ndjeshmëri momentit që përshkruhej. Mbi të gjitha, muzika më mbushte me dashuri për t’i shëruar momentet më të vështira të jetës në Kosovë e forcë për të ndërtuar një person të ri, të cilin nuk e ngecin më këto përvoja në jetën e re.

Kur dhe ku planifikoni ta përuroni?

Ka disa plane, të cilat do të qartësohen menjëherë sapo të botohet libri dhe CD-ja. Tani për tani, ka mjaft audienca në vend dhe jashtë, të cilat kanë interesim dhe po punoj në atë drejtim.

Ky është libri i parë që pritet të botohet shpejt. A keni diçka tjetër në dorëshkrim?

Po, në të vërtetë kam dhe dy gjëra të tjera në dorëshkrim, por janë ende në fazën fillestare. Kam dhe ide për CD të dytë dhe këngë të papërfunduara.

Muzika dhe letërsia janë pjesë të artit. Ju keni arritur t’i kombinoni shumë mirë këto të dyja. Sa ndiheni e vlerësuar për punën që po bëni?

Kënga e parë pati jehonë të madhe përkundër faktit që nuk bëra ndonjë marketing. Kënga “Unë kam mëkatuar” është pëlqyer shumë. Komentet kanë qenë superlative dhe shumë motivuese. Kam marrë shumë ftesa për prezantim të këngës, CD-së, dhe librit, meqë janë një tërësi në media në Kosovë, Shqipëri dhe Maqedoni. Po ashtu, kam dhe disa mundësi për prezantim jashtë vendit, që më bëjnë të ndihem shumë mirë dhe më se e vlerësuar deri tani.

Një ndër këngët e tua të albumit, titullohet “Unë kam mëkatuar”. Për çfarë mëkati bëhet fjalë?

Edhe kjo këngë si të shtatë të tjerat rrëfen një moment jete, kur qëllova në Romë. Ka qenë një shëtitje tre mujore që unë bëra për të ikur nga Kosova e të shkëputesha nga realiteti plot absurditete. Ndërsa, po mendohesha për jetën time dhe Kosovën dhe po mendoja çfarë duhej të bëja, më erdhi përsëri dëshira për muzikë diku nga fëmijëria ime, që tani po më trishtonte se s’po e jetoja, por edhe më gëzonte se ende ishte gjallë e më jepte dashuri, edhe pse e fshehur në thellësi të qenies sime. Këtë dëshirë se kisha folur me asnjë njeri, sepse dukej se të flasësh për ëndrra, ishte absurdi tjetër në Kosovë. Me këto mendime, hyra në një kishë në Romë, Santa Maria Maggiore dhe pashë një mbishkrim ‘confessions in English’ (mund të rrëfeheni në gjuhën angleze). Vendosa të flas e të rrëfehem te prifti. I tregova për jetën time dhe jetën në Kosovë, si dhe për dashurinë time për muzikën të cilën se kisha jetuar. Pa hamendje i thashë se dua të rrëfehem pikërisht për këtë, se s’kam jetuar dashurinë e jetës sime, muzikën. Ky për mua, i thashë, është mëkati me i madh që mund të bëhet. Mëkati më i madh është ëndrra e parealizuar. Kështu lindi kjo këngë, një copë e historisë sime që përshkruhet në libër, në tekstin, muzikën dhe emocionet e këngës.


Albumin e keni regjistruar në Romë të Italisë, dhe muzika është bërë nga një mjeshtër i muzikës. Si ratë në kontakt më këtë mjeshtër?

Ndodhi rastësisht a jo, që pas pak viteve të rikthehesha në Romë për të bërë një kurs muzikë për xhaz. Tanimë librin e kisha shkruar deri diku dhe këngët pothuajse, e një ditë derisa po hyja në orën e teknikës së xhaz këndimit me profesoreshën time, në klasë ishte një profesor tjetër i pianos Amedeo Tommasi, i cili kishte pasur orë para nesh. Unë nuk e njihja, por ai derisa po priste taksinë për të shkuar në shtëpi, i ra një pjese të pianos dhe tha kush këndon me mua. Me erdhi mua të them, ja unë dhe fillova të këndoj. Ai iku dhe pasi përfundoi ora e mësimit me profesoreshën time, e kuptova qe ai ishte një pianist shumë i njohur në Romë, por edhe në Itali. Amedeo ishte i njohur për xhaz dhe muzikë filmi dhe mbi të gjitha për njërën në bashkëpunim me Ennio Morriconen, që kishte marrë Oskarin si film i huaj “Legjenda e Pianistit 1900’, si dhe performancat e tij me legjenda të xhaz-it, si John Coltraine dhe Chet Baker. Me të fundit, kishte edhe një album. Për mua, kjo ishte një mrekulli. I shkrova Amedeos që doja ta takoja. Pas takimit të parë, u pajtuam që të punojmë së bashku dhe pas dy vjetëve lëvizje Prishtinë -Romë, realizuam albumin e parë timin dhe një nga të shumtët të Amedeos.

 

Çfarë ishte kjo përvojë për ty?

Përvojë magjike, pa kurrfarë ekzagjerimi. Ishte magjike mënyra e rastësishme si shkova në Romë, e jo në Paris për të studiuar xhaz-in, mënyra si e takova Amedeon, sinergjia, lidhja emocionale dhe harmonia muzikale në mes nesh edhe pse për mua ishte puna e parë, e për Amedeon punë në fund të karrierës së tij. Unë po lindja në muzikë, ai po perëndonte. Unë po rilindja si person duke përjetuar e jetuar dashurinë me të madhe të jetës sime. Po këndoja e po i realizoja këngët e mia në një nga qytetet më të bukura e më artistike në botë, me një artist të madh, të çiltër e të dedikuar, të sinqertë e të dashur, plot muzikalitet e plot dashuri që jepte maksimumin për të bërë albumin e jetës sime realitet. Thjesht, as në imagjinatën time s’e kisha menduar kaq bukur. Të gjitha momentet ishin magjike. Kishte natyrisht edhe shumë vështirësi, të vija në Kosovë, të punoja e të shkoja në Romë e të realizoja këngët, por gjithmonë kishte një magji që më përcillte e më shtynte para. Pas dy vjetëve u realizuan tetë këngët që janë shkruar nga unë (vija melodike e teksti) e janë aranzhuar nga Amedeo Tommasi.

 

Sa po bën bota shqiptare për Ty si artiste?

Deri tani, përkrahja ka qenë minimale. Mendoj se në Kosovë ende ka shumë për t’u bërë për të vlerësuar e përkrahur artin që mund të depërtojë edhe jashtë vendit. Në të vërtetë, arti i mirëfilltë mund të jetë padyshim një formë diplomacie për Kosovën e izoluar (kemi mjaft shembuj të artistëve, të cilët e vënë Kosovën në agjendën artistike në botë dhe i kanë dhënë shumë publicitet) dhe besoj se kjo do të duhej të ketë më shumë përkrahje.  


Diçka për fund të kësaj bisede?

Do të thosha se ne jemi në këtë jetë për t’u realizuar (qoftë femra a meshkuj, shqiptarë a të tjerë) dhe kjo do të thotë, mbi të gjitha, të njerëzohemi me atë që na bën të lumtur e të plotë. Sado që mund të tingëllojë si klishe, realizimi i asaj që na bën të lumtur, që na lartëson e na jep thellësi, i jep jetës sonë kuptim. Kur kjo dëshirë i ka rrënjët thellë brenda nesh, është e sinqertë e buron nga dashuria për veten e jetën, nuk ka realitet që të jetë kundër nesh, nuk ka vështirësi të pakalueshme dhe nuk ka mundësi që s’dalin në sipërfaqe, edhe kur janë të padukshme. Sepse, kemi forcën e dashurisë, forcë që na shpie më tej e na mbush jetën me magji përgjatë rrugës së realizimit të vetes.

 

Autor: Vera Pelaj