"Libri i Luftës" promovohet edhe në Zvicër, Austri e Slloveni

"Libri i Luftës" promovohet edhe në Zvicër, Austri e Slloveni

Pas promovimit në Kosovë, këto ditë “Libri i luftës” i autorit, gazetarit e publicistit Nuhi Bytyçi po promovohet edhe në Zvicër, Austri dhe Slloveni. Parmbrëmë dhe sot ky libër u prezantua në ambientet e Ambasadës së Republikës së Kosovës në Bern, kurse sot në Wyrenlos afër Cyrihut.

“Libri i luftës” me memoaret e Bytyçit po pritet me interesim të madh te bashkatdhetarët tanë në këto vende, nga se në të përveç ngjarjeve historike në Kosovë dhe viset e tjera shqiptare, është përfshirë edhe kontributi i diasporës shqiptare në të gjitha proceset, e veçmas gjatë periudhës së luftës për liri, pavarësi të Kosovës dhe të drejtat e plota kombëtare.

Në fjalën e hapjes së promovimit të librit, Zëvendësambasadori i Kosovës në Zvicër, Ministri Këshilltar, z.Mustafë Xhemaili, vlerësoi lartë punën dhe angazhimin e autorit Nuhi Bytyçi gjatë veprimtarisë së tij më se 40 vjeçare në gazetari.

Duke vlerësuar rëndësinë e botimit të "Librit të Luftës" zëvendësambasadori Xhemaili, në promovimin e mbajtur në Bern potencoi se "ky është Libri i Luftës për thyerjen e censurës në Televizionin e Prishtinës, Libri i luftës për të vërtetën e Kosovës, i luftës për mposhtjen e frikës dhe dinamizimin e lëvizjes për liri, Libri i Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, i Kosovës së Lirë, Libri për kontributin e diasporës shqiptare në të gjitha proceset e popullit shqiptar para, gjatë e pas luftës, Libri i luftës së shqiptarëve në Luginën e Preshevës dhe në Maqedoni, i Luftës për mbrojtjen e UÇK-së në Tribunalin e Hagës, është libri i rrugëtimit për Pavarësi dhe shtetndërtim". 
Në promovimin e "Librit të Luftës" foli edhe veprimtari i çështjes kombëtare, Ibish Neziri, i cili vlerësoi me tone pozitive angazhimin shumëvjeçar të gazetarit dhe publicistit shqiptar Nuhi Bytyçi në shërbim të lirisë dhe pavarësisë së Kosovës.
"Botimi i këtij libri është një burim i mirë i të dhënave për luftën për mbijetesë të popullit shqiptar të Kosovës nga vitet e 80-ta e këndej. Është burim i informatave dhe e plotëson mozaikun e kujtimeve të publikuara për ngjarjet e zhvilluara për rreth gjysmë shekulli në hapësirën gjeografike shqiptare të pushtuar nga fqinjët verior" tha veprimtari i çështjes kombëtare e publicisti, Ibish Neziri.

Nga ana e tij, autori i "Librit të Luftës" gazetari dhe publicisti Nuhi Bytyçi,

duke shprehur mirënjohje për kontributin e mërgatës shqiptare për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, Nuhi Bytyçi theksoi se "mërgata jonë luajti rol të rëndësishëm në organizimin e gjithanshëm të rezistencës së armatosur kundër pushtimit serbo-sllav, iu përgjigj kushtrimit të atdheut për mobilizim për liri e pavarësi.  

"Në veprën time publicistike “Librin e luftës”, kam shkruar opinionet e mia edhe për zhvillimet në Kosovën e pasluftës dhe kam shprehur domosdonë e bashkimit energjik të të gjitha forcave politike, sidomos atyre intelektuale dhe mediave, që të demaskojnë dhe luftojnë virusët që po e dëmtojnë shoqërinë shqiptare. Kjo është lufta bashkëkohore që i duhet sot Kosovës - bashkimi për zhvillim dhe emancipim, është shprehur Bytyçi".

Lidhur me përmbajtjen e “Librit të luftës” dhe veprimtarinë shumëvjeçare gazetareske të Bytyçit, folën edhe Ramadan Avdiu, ambasador i Republikës së Kosovës në Gjenevë, Islam Spahiu, Ministër-Këshilltar në Ambasadën tonë në Bern, ish-luftëtari i UÇK-së e publicisti, Metush Zenuni, veprimtari e publicist Agim Sylejmani, veprimtarja e njohur humanitare, Behide Hasanaj, Fatmir Beka e të tjerë.

Ata vlerësuan rëndësinë e botimit të këtij libri dhe shprehën domosdonë e përkthimit dhe botimit edhe në gjuhën angleze, gjermane e franceze, në mënyrë që bota të informohet për dramën e popullit shqiptar gjatë decenieve të fundit.
Gazetari dhe publicisti Nuhi Bytyçi me librin e tij u paraqit edhe para bashkatdhetarëve tanë në Wyrenlos afër Cyrihut. Veprimtarët e publicistët Ibish Neziri e Vaxhid Sejdiu dhe Shefi i Misionit diplomatik të Kosovës në Cyrih, Sami Kastrati, veprimtarët  Riza Demaj, Sali Sefa, Sylejman Beqa, Bajram Mulaj, Sylë Arifi, Rrustem Mehmeti e pjesëmarrës të tjerë i bënë një vlerësim të gjithanshëm veprës publicistike të Nuhi Bytyçit, duke e çmuar atë si thesar të rëndësishëm për historinë tonë më të re kombëtare.

  “Libri i luftës” të hënën mbrëma nga ora 18:00 do të promovohet në Konsullatën e Përgjithshme të Kosovës në Gjenevë, kurse në Austri, më 1 maj në orën 19:00 në Knittenfeld afër Gracit, më 3 maj në orën 18:00 në Ambasadën e Republikës së Kosovës në Vjenë dhe më 5 maj në Slloveni.