Shtyhet gjykimi për kompensimin e dëmit në vlerë prej 21mijë euro

Shtyhet gjykimi për kompensimin e dëmit në vlerë prej 21mijë euro

Për herën e tretë, dështon të mbahet seanca gjyqësore në çështjen kontestimore ku paditësi Qaush Berisha po kërkon nga i padituri Arben Rrustemi kompensimin e dëmit në shumën prej 21 mijë euro.

Seanca e së enjtes, e paraparë të mbahej në Gjykatën Themelore në Pejë, ka dështuar për shkak të mungesës së paditurit Rrustemi, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Gjykatësi Veton Ademaj deklaroi se i padituri nuk e ka pranuar ftesën në mënyrë të rregullt, pasi që në fletë kthesën e cila gjendet në shkresat e lëndës, konstatohet se e njëjta është pranuar nga personi Flamur Rrustemi.

Në këto rrethana, seanca e radhës u caktua të mbahet me 27 maj 2019, në ora 9:30.

Sipas padisë së ngritur me 4 prill 2017, Qaush Berisha ka kërkuar nga i padituri Arben Rrustemi, që të ia kompensoi shumën prej 21 mijë euro, me pretendimet se atij pa bazë ligjore i është ngritur aktakuzë për uzurpim të pasurisë së paluajtshme.

Në padi thuhet se paditësi Berisha ka qenë i akuzuar në procedurë penale, për vepër penale të asgjësimit të pasurisë së huaj, duke u cilësuar si uzurpues i pasurisë së huaj, dhe në atë rast i dëmtuari ka qenë këtu i padituri Arben Rrustemi.

Andaj sipas padisë, paditësi Qaush Berisha, për shkak të aktakuzës e cila i është ngritur pa bazë ligjore, i është cënuar dinjiteti personal, është fyer dhe poshtëruar, ka pësuar dhimbje shpirtërore, si dhe i është shkaktuar zvogëlimin e gjasave për afarizëm pasi që i njëjti është ndërmarrës me autoritet, andaj si pasojë e këtyre paditësi kërkon nga i padituri kompensim dëmi në shumën prej 21 mijë euro. 


MË SHUME NGA Betimi për Drejtësi