Leonardo Da Vinci, 5 shekuj nga ikja e gjeniut

Leonardo Da Vinci, 5 shekuj nga ikja e gjeniut

2 maj 1519… U mbushën pesë shekuj që nga vdekja e Leonardo da Vinci-t dhe emri i tij mbetet gjithnjë një nga referencat më të fuqishme të artit e po ashtu dhe të shkencës. Shtëpia ku Leonardo da Vinçi kaloi vitet e fundit të jetës së tij nuk është në Itali, siç mund të mendojë ndokush, as në Milano, Firence, Venecie apo Romë.

Kjo shtëpi është mijra kilometra larg vendlindjes së tij, matanë Alpeve, atje ku rrjedh lumi i Loire-s dhe ku buzë saj, në zemër të Francës, ngrihen rradhazi kështjella mesjetare nga më madhështoret në Europë.

Da Vinci, ky toskanas i një familje fshatare nga Vinci, erdhi këtu në fillim të vjeshtës së vitit 1516 ndërkohë që Raffaello mbretëronte me artin e tij në Vatikan, Michelangelo në Firence dhe Ticiani në Venecie.

Bashkë me ndihmësin e tij, Francesco Melzi dhe shërbëtorin milanez Batista de Vilanis, Leonardo përshkoi rrugët e Milanos, Firences, Torinos e më pas Alpet e malet e Grenobles, duke iu drejtuar Lyon-it dhe duke ndjekur më pas me karrocë rrugën drejt Vierzon dhe Cher gjersa mbërriti në Amboise, ku ishte dhe një nga kështjellat mbretërore të Francës së François I. Një udhëtim që do të zgjaste tre muaj e ku bashkë me të do të udhëtonin dhe sundykët me vizatimet dhe pikturat e tij, duke parandjerë se ky mund të ishte udhëtimi i tij i fundit.

Mbreti i Francës, i apasionuar siç ishte pas arteve dhe që kishte dëgjuar shumë për të, e kishte takuar Da Vinci-n në Milano dhe kishte biseduar më të. Më pas, nga Franca, ai i kishte shkruar dhe e kishte ftuar të jetonte e punonte pranë tij në Francë, në një ndërtesë kalorësiake pranë kështjellës së tij, në anën tjetër të lumit, në Clos Lucé, larg luftrave të gjata të Italisë që po i shkatërronin gjithnjë e më shumë principatat e princave italianë.

Kështu Da Vinci u vendos në atë ndërtesë mesjetare me tre kate, prej guri dhe me një oborr të madh plot pemë e gjelbërim, të ndërtuar që më 1471 në stilin e Renesancës. Dhoma e Da Vinçit ka mbetur edhe sot ashtu siç ka qenë shekuj më parë në një atmosferë mesjetare: krevati i lartë me perde, karriget ku ulej dhe punonte, oxhaku i madh e hijerëndë, tavolinat e punës, dritaret dhe muret e ashpra.

Pikërisht aty filloi tablonë e famshme «Saint Jean Baptiste» një nga tablotë e fundit dhe të mrekullueshme të tij. Rreth fytyrës së shenjtit Gjon Pagëzor, ai ka hedhur me penel ato flokë plot bukle të ndriçuara nga një dritë jo e zakontë e ku fytyra e shenjtit ka një buzëqeshje enigmatike për të cilën shumë kritikë thonë se kjo tablo është testamenti piktural i vetë Leonardo-s për natyrën njerëzore.

A thua kjo tablo ishte testamenti shpirtëror i artistit të madh? A thua se në të fshihet misteri i natyrës njerëzore që kërkonte prej kaq vitesh Da Vinci? Clos Lucé është sot një vend mjaft turistik. Nga kodra lart mund të pikasësh rrjedhën e qetë të Loire-s dhe në bregun tjetër, Blois me kështjellën e famshme mbretërore.

Leonardo sapo ishte vendosur në Clos Lucé, kur më 18 tetor të vitit 1516, kishte mbërritur ta takonte kardinali francez Louis d’Aragon, i cili vinte nga Flandra, ku kishte shkuar të takonte Charles Quint, dhe gjatë atij takimi, Leonardo i kishte treguar Xhakondën e tij dhe tablonë tjetër Saint Anne që i kishte marrë me vete gjatë kalimit të Alpeve si dhe tablonë e Gjon Pagëzorit që kishte në përfundim e sipër.

Sigurisht, vizatimet e shumta të Da Vinci-t mbi anatominë e njeriut, hidraulikën, mekanikën, gjeometrinë, fluturimet e zogjve, mundësinë e fluturimit të objekteve në qiell, etj, e magjepsën kardinalin, siç shkruan dhe sekretari i tij Antonio De Beatis që e shoqëronte: «Zoti Leonardo da Vinci, i moshuar mbi 70 vjeçar, piktor i epokës sonë, i tregoi tre tablo Sinjorisë sonë (kardinalit): një zonjë fjorentinase, një figurë natyrale bërë me kërkesën e të Mrekullueshmit Guglio II, një tjetër me Saint Jean Baptiste, i ri dhe një Virgjëresha me fëmijët, që janë në gjunjë të Shën Anës. Të trija janë me një përsosmëri të rrallë…

I famshmi Leonardo nuk mund të pikturojë tashmë me atë hirësi që është e tija, por ai vazhdon të vizatojë e të japë mësime. Ky njeri me shpirt fisnik, ka shkruar një libër anatomie tepër të veçantë, të ilustruar, me gjymtyrët, muskujt, nervat e trupit, venat, etj, libër që të jep mundësinë të zbulosh trupin, çka askush më parë nuk e ka bërë. Ai ka shkruar gjithashtu mbi ujin, mekanizmat e ndryshme, etj.»

Në dhomën e punës së Da Vincit, sot shikon të jenë të vendosura dhjetra objekte që i përkasin një shkence që lulëzoi nga imagjinata e tij e ku gjithçka që dilte nga dora e mendja e tij ishte përrallore. Aty janë vizatimet dhe skicat e avionit të parë të imagjinuar nga njeriu, e tankut të hekurt, parashutës, nëndetëses, e armës automatike, e aparatit fotografik të imagjinuar para Niepce-s, apo e skijimit mbi ujë, e fortesave mbrojtëse dhe eskavatorëve të mëdhenj, vizatimet e të cilave i gjejmë në kodikët e tij, etj.

Por në të njëjtën kohë ai merrej dhe me matematikën, gjeometrinë, luante muzikë dhe organizonte për mbretin festa të jashtëzakonshme, ndërtonte dekoret, organizonte fishekzjare për festat mbretërore dhe objekte fluturuese si ballona të mëdhenj, apo një luan të hekurt që lëvizte mbi këmbët e tij, pra një robot primitiv i para pesë shekujve, të cilat i tregoi edhe në pritjet e mëdha mbretërore, në fillim në Milano, para mbretit francez Louis XII e më pas para François I.

Të tilla ishin dhe ndeshjet kalorsiake pranë kështjellës mbretërore të Amboise, ku ai ndërtonte kështjella në miniaturë prej druri dhe ku ndër kalorësit e mëdhenj që ndesheshin, ishin dhe stratiotët shqiptarë të cilët ishin nën urdhërat e Domenico Buziki-t që kishte luftuar në betejën e Marignanos më 1515, nën flamurin e mbretit të Francës.

Eshtë interesant pasioni i Leonardos për armët e luftës dhe fortifikimet e kështjellave, edhe pse ai e cilësonte luftën “pazzia bestialissima” një “çmenduri kafshore”, por kjo nuk e pengoi të mendonte për polombarët dhe ata që do të fundosnin në det anijet armike, topat e rëndë apo barrazhet me ujë për përmbytjen e ushtrive armike, siç kishte menduar për devijimin e lumit Isonzo për mbrojtjen e Friulit, etj. Ja një “ingenium”, njeriu gjenial!

Historianët shkruajnë se Jaconde apo Monalisa, e vitit 1506, u ble nga mbreti që në të gjallë të Leonardos, ndërsa tablonë tjetër Shën Gjon Pagëzori (Saint Jean Baptiste), meqë mbretit nuk i pëlqente shumë, kjo tablo kaloi në ambiente të tjera dhe me kalimin e kohës përfundoi nga sallonet e Louis XIII te Karli I i Anglisë e më pas ajo u ble sërrish nga Louis XVI gjersa përfundoi në Luvër, si dhe tabloja tjetër Shën Ana.

Një vit para se të vdiste, mbreti francez François I erdhi sërrish në shtëpinë e tij, meqë ai e vlerësonte shumë shoqërinë me Leonardo-n, të cilin e konsideronte si filozofin, artistin dhe shkencëtarin më të ditur të botës, duke thënë: «S’ka njeri më të ditur se Leonardo, jo vetëm në pikturë, skulpturë e arkitekturë por dhe në filozofi, pasi ai është një filozof i madh”. Dhe padyshim, ai ishte i tillë. Pra, në 19 qershor të vitit 1518, siç dëshmonte dhe historiani italian Galeazo Visconti, mbreti pikasi në oborr një kupolë gjigande prej pëlhure në ngjyrë blu, ku ishin pikturuar plot yje si dhe planete, çka u shfaqnin para sysh një kozmos më vete. Mbreti ishte magjepsur nga vizionet astronomike së Leonardo-s.

Në gjithë ato drita, «dukej se Leonardo kishte përzënë natën e errët»… shkruante Vinsconti. Në atë kohë, Leonardo kishte titullin «Piktor, inxhinjer dhe arkitekt i parë i Mbretit» me një pagesë prej 1000 ecu në vit dhe ndërkohë hartoi projektin e shkallëve të kështjellës së famshme Chambord, më e bukura në botë, shkallare me një imagjinatë të jashtëzakonshme dhe që i magjepsin të gjithë ata që i shikojnë sot. Dora që dridhej Shtëpia në Clos Luce sot ka me mijra vizitorë që vijnë nga Franca, Europa apo kontinentet e tjerë për të parë atë vend mitik ku jetoi, punoi dhe vdiq një prej njerëzve më gjenialë të njerëzimit: Leonardo da Vinçi.

Në gjithë Francën, duke filluar nga mbreti mecen dhe një nga mbretërit më të mëdhenj të historisë së këtij vendi, Da Vinci mbahej si njeriu që dinte gjithçka në këtë botë dhe që mund të bënte gjithçka. Në atë kohë, si dhe gjatë njëzet vjetëve të fundit të jetës së tij, krahas pikturës, ai vazhdonte të merrej me projektet e mbrojtjes së kështjellave, e armëve të luftës, e kanaleve vaditëse dhe të transportit.

Gjenia e tij ishte e shumëanëshme: nga një anë punonte mbi tablotë e tij dhe nga ana tjetër vizatonte mekanizmat që mund të fluturonin, studjonte fluturimin e zogjve, krijonte dekore për festat e mëdha mbretërore, ndërtonte kështjella në miniaturë, hidhte fishekzjare në ngjarjet e mëdha mbretërore apo merrej me anatominë e kuajve. Imagjinata e tij i kalonte padyshim kufijtë e kohës në të cilën ai jetonte. «Facil cosa e farsi universale»? (A është e lehtë të bëhesh universal?» – pyeste ai. Shpesh, mbreti i Francës e merrte për shëtitje në udhëtimet e tij nëpër Francë, në Romorantin, ku donte të ndërtonte një kështjellë të re mbretërore, etj.

Për kanalizimin e Loire-s dhe vaditjen e tokave përreth, Da Vinci bëri projekte të mëdha, por mbreti nuk arriti dot t’i vinte në zbatim. Ato do të realizoheshin më vonë. Që kur erdhi në Francë, Leonardo kishte ndjerë një rëndesë të dorës që sa vinte dhe bëhej më shqetësuese, çka e pengonte të pikturonte. Vallë ishte kjo arësye që ai e la pikturën dhe u dha tërësisht ndaj shkencës dhe shpikjeve të mëdha? Mjeshtri u detyrua të thërriste një ndihmës nga Milano.

Një mbrëmje, i ulur pranë oxhakut, Leonardo kishte shkruar: «O Leonardo, perche tanto penate?…» (Përse kaq lodhje?)… Mos vallë mjeshtri ishte zhgënjyer nga gjithë mundi i jetës së tij, ndërkohë që e shikonte vetveten të pamundur. Kur kardinali Louis d’Aragon kishte shkuar si mik te Leonardo, sekretari i tij kishte shkruar gjithashtu: “… Eshtë e vërtetë se me një paralizë të dorës së djathtë, nuk mund të pritet ndonjë kryevepër tjetër”.

E megjithatë Leonardo vazhdonte të vizatonte me ngulm, siç e tregon dhe një shënim i tij në një nga fletët e vitit 1518, ku ai ka shkruar: “Do të vazhdoj të punoj…” Më 23 prill të vitit 1519, Leonardo kishte thirrur noterin për të bërë testamentin e tij. E ndjente që vdekja po i afrohej. Në testament, ai i la pothuaj gjithçka Francesco Meltzi-t, të cilin e konsideronte si një bir të tij. Edhe për varrimin, ai e kishte përcaktuar vetë sesi do të zhvillohej. Çuditërisht gjeniu kishte kërkuar të shoqërohej në varr nga gjashtëdhjetë të varfër, ku secili prej tyre do të mbante në dorë një pishtar. Pak ditë më vonë ai kishte shkruar: «Ashtu siç një ditë e ngarkuar me punë sjell një gjumë të ëmbël, ashtu dhe një jetë kur ke bërë diçka, sjell një vdekje të paqtë”.