Drejtori i shkollës në Malishevë mohon fajësinë

Drejtori i shkollës në Malishevë mohon fajësinë

Drejtori i Shkollës Fillore të Mesme të Ultë “Ibrahim Mazreku”, në Malishevë, Jonuz Mazreku, është deklaruar i pafajshëm për asgjësim ose heqje të pajisjeve mbrojtëse dhe rrezikim i sigurisë në vendin e punës.

Në seancën fillestare të mbajtur të premten në Gjykatën Themelore të Gjakovës, dega në Malishevë, pas leximit të aktakuzës nga prokurorja Mone Syla, i akuzuari  Mazreku, ka mohuar fajësinë, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Ai tha se nuk është fajtor për këtë vepër penale, pasi që edhe pse është drejtor i shkollës, ai nuk është punëdhënësi.

“Unë nuk e kuptoj se si është ngritë kjo aktakuzë kundër meje, kur unë jam vetëm drejtor i shkollës, dhe vetëm e kam ndihmuar tani të ndjerin, kurse aktakuza është dashtë të ngritët kundër punëdhënësit që është Drejtoria për Arsim në Komunën e Malishevës”, deklaroi Mazreku.

Gjykatësi i rastit Njazi Morina, seancën e shqyrtimit të dytë, në të cilën i akuzuari mund të paraqes kundërshtimet e tij lidhur me akuzën, e ka caktuar më 5 qershor 2019, prej orës 10:20.

Prokuroria Themelore në Gjakovë, për këtë rast më 22 qershor 2016, ka ngritur aktakuzë kundër të akuzuarit Jonuz Mazreku, duke e ngarkuar atë se në cilësinë  e drejtorit të Shkollës Fillore të Mesme të Ultë “Ibrahim Mazreku”, në Malishevë, ka kryer veprën penale “asgjësimi apo heqja e pajisjeve mbrojtëse dhe rrezikimi i sigurisë në vendin e punës”, nga neni 367, paragraf 7, lidhur me paragrafin 3 të KPRK-së.

Sipas aktakuzës, i akuzuari Mazreku, në cilësinë e përgjegjësit të shkollës, vepron në kundërshtim me Ligjin për Sigurinë dhe Shëndetin në Punë, duke mos u kujdesur për sigurinë e punëtorëve, nuk ka siguruar pajisjet mbrojtëse, dhe nuk i ka mirëmbajtur në gjendje të rregullt për përdorim të nevojshëm në punë.

Gjithnjë sipas aktakuzës, i akuzuari Mazreku, ka rrezikuar jetën e punëtorit të tij, dhe në vendin ku gjendej kaldaja, e cila shërbente për ngrohtoren e shkollës fillore “Ibrahim Mazreku”, në Malishevë, i ndjeri Z.H, i cili më 5 dhejtor 2014, kishte shkuar për ta ndezur ngrohtoren e shkollës, bombola e gazit kishte eksploduar, me çka edhe ishte rrënuar i tërë objekti, dhe në këtë rast ai nga lëndimet e marra kishte ndërruar jetë. 


MË SHUME NGA Betimi për Drejtësi