Armenia e njeh Kosovën përmes ‘Amok’-ut

Armenia e njeh Kosovën përmes ‘Amok’-ut

Kosova është prezantuar me shfaqjen “Amok”, në Festivalin Ndërkombëtar “ARMMONO” në kryeqytetin e Armenisë, Jerevan.

Ky është një festival ndërkombëtar i njohur I monodramës, që u mbajt për herë të 17-të prej 30 prill deri me 4 maj.

Gjatë këtij edicioni u dhanë 22 shfaqje nga vende të ndryshme të botës si Izrael, Gjeorgji, Ukrahinë, Francë, Poloni, Rusi etj.

Monodrama “Amok”, regjinë e së cilës e ka bërë Prof. Elmaze Nura, me lojë të Prof. Mentor Zymberajt, me tekst nga dramaturgia dhe kritikja ndërkombëtare Nina Mazur, realizuar nga Shtëpia Teatrore Filmike AKT, u shfaq me 2 maj, ku përveç publikut, u vlerësua edhe nga kritika dhe artistët e tjerë pjesëmarrës në festival.

Kritika e vlerësoi aktorin Mentor Zymberaj, në nivelin më të lartë, për gjuhën e trupit, zërin, këndimin, lëvizjet, shikimin dhe gjithçka që ka të bëjë me lojën e aktorit, të cilat pati mundësi t’i shfaqë përmes Monodramës “AMOK”.  

Gjithashtu u vlerësua edhe aspekti regjisorial i Elmaze Nurës, për trajtimin me vemendje të secilit element të shfaqjes, që nga përzgjedhja e aktorit, skenografia, muzika, kostumet, ndriçimi dhe detajet tjera artistike.  

Edhe pse shfaqja është në gjuhën shqipe, kritikët, artistët dhe publiku u shprehën se gjuha teatrore është universale dhe nuk ka nevojë për përkthim dhe kjo flet më se miri për nivelin artistik të shfaqjes.

Kjo shfaqje ka qëndruar në skenë prej disa vjetësh dhe ka marrë pjesë në festivale të shumta ndërkombëtare, që nga Mongolia e largët, deri në Izrael, duke marrë edhe çmime.
Mentor Zymberaj është shpallur sivjet nga Ministria e Kulturës, (MKRS), aktori më i mirë në Kosovë, ndërsa AKT-i ka marrë çmimin për prezantimin më të suksesshëm ndërkombëtar në fushën e teatrit.