Apeli vërteton pafajësinë e dy anëtarëve të suspenduar të OSHP-së

Apeli vërteton pafajësinë e dy anëtarëve të suspenduar të OSHP-së

Gjykata e Apelit i ka liruar përfundimisht nga akuzat për korrupsion, dy zyrtarët e suspenduar të Organit Shqyrtues të Prokurimit (OSHP), Tefik Sylejmani dhe Ekrem Salihu.

Kështu, gjykata e shkallës së dytë e ka refuzuar ankesën e ushtruar nga ana e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, e cila kishte kërkuar nga Apeli që dy të akuzuarit t’i shpall fajtorë apo që çështjen ta kthej në rigjykim, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Gjykata Themelore në Prishtinë, më 29 tetor 2018, në mungesë të provave i kishte liruar nga akuzat për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar, të akuzuarit Sylejmani dhe Salihu.

E pakënaqur me aktgjykimin e Themelores, organi i akuzës ishte ankuar në shkallën e dytë me pretendimet se aktgjykimi i shkallës së parë ishte i përfshirë me shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale dhe vërtetim të gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike.

Sipas prokurorisë¸ aktgjykimi i ankimuar bazohet ne prova te papranueshme dhe se gjykata e shkalles se parë është bazuar ne deklaratat e te akuzuarve dhe të mbrojtësve te tyre.

Po ashtu sipas ankesës së prokurorisë, dispozitivi i aktgjykimit është ne kundërshtim me arsyetimin, për shkak se është nxjerrë në kundërshtim me përmbajtjen e shkresave të lëndës, e qe kjo sipas prokurorisë paraqet bazë që aktgjykimi si i tillë, nuk mund të qëndroj dhe se i njëjti duhet të anulohet.

Sa i përket pretendimeve ankimore lidhur me vërtetimin e gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike, Prokuroria Themelore ne Prishtine pretendonte se shkalla e parë nuk ka vërtetuar fakte te rëndësishme te prezantuara nga ana e prokurorisë dhe palëve të tjera në procedurë nuk ka marrë për bazë deklaratën e ekspertit Visar Berisha i cili në cilësinë e ekspertit te prokurimit kishte përpiluar raportin e ekspertizës lidhur me ankesën e Operatorit Ekonomik “NN” për të cilin raport ka qene i autorizuar nga sekretari i OSHP-se, ku panelit shqyrtues i ka propozuar që ankesa e “NN”, te refuzohet si e pabazuar me arsyetim se i njëjti ishte i papërgjegjshëm.

Këtë ankesë e kishte mbështetur edhe Prokuroria e Apelit, ndërsa e kishin kundërshtuar mbrojtësit e të akuzuarve, avokatët Hekuran Haxhimusa dhe Blerim Prestreshi.

Megjithatë, këto pretendime të prokurorisë, i ka hedhur si të pabazuara kolegji i Apelit në përbërje të gjykatësve, Xhevdet Abazi, Abdullah Ahmeti dhe Afrim Shala.

Sipas aktgjykimit të Apelit, pretendimet ankimore të Prokurorisë Themelore në Prishtinë lidhur me shkeljet esenciale të dispozitave të procedurës penale nuk qëndrojnë, pasi aktgjykimi i ankimuar është i qartë dhe konkret, nuk përmban kundërthënie qoftë me vetveten ose me arsyetimin e tij dhe se në arsyetim janë dhënë arsye të duhura faktike dhe juridike mbi të gjitha faktet relevante.

“Gjykata e Apelit e Kosovës, konstaton se pretendimet ankimore të Prokurorisë Themelore ne Prishtinë, lidhur me vërtetimin e gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike, nuk janë të bazuara ngase gjykata e shkallës së parë, me aktgjykimin e saj, në mënyrë të kjartë dhe konkrete ka përcaktuar se cilat prova janë administruar, e ku përfshihet edhe dëshmia e dëshmitarit Visar Berisha, në cilësi të ekspertit të OSHP-së, i cili ka deklaruar se në shqyrtimin e parë, në OSHP, kanë qenë tre anëtar, ndërsa në shqyrtimin e dytë, kanë qenë pesë anëtarë të panelit shqyrtues dhe se asnjëri nga panelet nuk e ka marrë parasysh mendimin e dhënë nga ky dëshmitar kur i njëjti ka vepruar në cilësinë e ekspertit të OSHP-së, lidhur me aktivitetet e prokurimit”, thuhet në aktgjykimin e Apelit.

Sipas vlerësimit të Apelit, se të akuzuarit kanë vepruar në kuadër të autorizimeve dhe kompetencave të tyre ligjore dhe në përputhje me provat që kanë qenë në lëndën e cila ka qenë objekt shqyrtimi në OSHP, gjykata e shkallës së parë, e ka vërtetuar edhe nga dëshmia e dëshmitarit Hysni Hoxha, i cili kishte deklaruar se ekspertiza përgatitur nga ekspertët e OSHP-së në një çështje janë vetëm orientim për ndihmë panelit shqyrtues në vendim marrje dhe se ndodhë shpesh që vendimi i i panelit shqyrtues është i kundërt me ekspertizën e ekspertit të OSHP-së.

“Nga të gjitha këto prova të administruara, gjykata e shkallës së parë, ka ardhur në përfundim se në veprimet e të akuzuarve nuk ekzistojnë elementet e veprës penale ne bashkëkryerje keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar, nga neni 422 par.1 lidhur me nenin 31 të KPRK, për të cilën janë akuzuar, andaj, edhe Gjykata e Apelit, e aprovon gjendjen e vërtetuar faktike nga ana e gjykatës së shkallës së parë, duke gjetur se nuk janë të bazuara pretendimet ankimore të Prokurorisë Themelore në Prishtinë, lidhur me vërtetimin e gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike, e gjithashtu konstaton se në rastin konkret drejt është aplikuar edhe ligji penal.”, thuhet në fund të aktgjykimit të Apelit.

Ndryshe, sipas aktakuzës, Tefik Sylejmani dhe Ekrem Salihu, akuzoheshin se duke shfrytëzuar pozitën e tyre si anëtarë të OSHP-së, nga viti 2015 e deri më 19 maj 2016, kanë shfrytëzuar pozitën e tyre zyrtare dhe kanë tejkaluar kompetencat e tyre, duke vepruar në dëm të autoritetit kontraktues “Ministria e Forcës së Sigurisë së Kosovës”, që kishte shpallur tenderin “Furnizim, përgatitje dhe sigurim të ushqimit në kuzhinat e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) dhe Ministria e Forcës së Sigurisë së Kosovës (MFSK)-Loti 1”.

Për këtë tender kishin aplikuar operatorët ekonomikë N.H “Amazona”, “Oda Grup” SH.A, “Global Parajsa” dhe “Ciani Trading Servis”, SH.P.K “Beni Dona”, Plus dhe NPT. “Florenti dhe Korabi”.

Në aktakuzë thuhet se të akuzuarit në kundërshtim me ligjin e kanë aprovuar ankesën operatorit ekonomik “Florenti&Korabi Company”, për tenderin “Furnizim përgatitje dhe sigurim të ushqimit në kuzhinat e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) de MFSK-së-Loti 1”, dhe si pasojë kanë anuluar operatorët ekonomikë si të papërgjegjshëm.

Sipas prokurorisë, ka pasur më tepër se dy operatorë ekonomikë të përgjegjshëm të cilët me dokumentacion të kompletuar kanë marrë pjesë në tenderin e FSK-së dhe MFSK-së, por të akuzuarit e kanë kthyer tenderin në rivlerësim dhe e kanë shpallur të pavlefshëm.

Këtë vendim mbi aprovimin e ankesës së operatorit ekonomik “Beni Dona”, prokuroria pretendon se të akuzuarit, e kanë bërë duke votuar pa kuorum, me vetëm dy anëtarë.

Në bazë të aktakuzës, me këtë vendim, Tefik Sylejmani është caktuar në pozitën e ushtruesit të detyrës së kryetarit të OSHP-së, dhe në të ka nënshkruar vet Sylejmani, e po ashtu edhe i akuzuari tjetër Ekrem Salihu.

Me anë të këtyre veprimeve, të akuzuarit pretendohet se i kanë sjellë dëm të konsiderueshëm material FSK-së dhe MFSK-së, të cilët më pas është dashur që të veprojnë në mënyrë emergjente për furnizimin me ushqim të FSK-së dhe MFSK-së. 


MË SHUME NGA Betimi për Drejtësi