Festivali i Letërsisë “Polip” fillon këtë të premte në Prishtinë

Festivali i Letërsisë “Polip” fillon këtë të premte në Prishtinë

Edicioni i 9-të Festivali Ndërkombëtar i Letërsisë ‘Polip’ fillon këtë të premte më 10 maj, në Prishtinë, në ora 19:00, në modelariumin e Fakultetit të Arkitekturës.

Këtë vit ‘Polip’ fokusohet në nocionin e ‚ujdisë letrare’ dhe botëkuptimeve rreth saj si një proces negociator artistik që u mundëson shkrimtarëve e artistëve ballkanikë që me veprat e tyre të shpërthejnë kufijtë e t’i plasojnë vlerat letrare në pjesët e “zhvilluara” të botës.

Rreth 40 shkrimtarë e artist të stripit e romanit grafik, nga rreth 20 shtete të ndryshme të botës, do të marrin pjesë sivjet në këtë edicion të radhës të festivalit polip dhe në edicionin debutues të Festivalit Ndërkombëtar të Romanit Grafik – GRANFest, i cili po ashtu fillon këtë të premte.

Ndër mysafirët e shumtë, sivjet do të vijnë edhe: Besnik Mustafaj nga Shqipëria, Sreten Ugriçiq nga Serbia, Tom Kaczynski nga Amerika, Lindita Ahmeti nga Maqedonia, Tanja Raich nga Austria, Olga Grjasnowa nga Azerbajxhani e shumë të tjerë.

Këtë vit, përveç mbrëmjeve të leximit, polip sjell edhe diskutime mbi letërsinë e artet.

Në panelin e parë “Epoka e opinioneve” që mbahet të shtunën do të diskutijnë të ftuarit Melinda Nadj Abonji, Olga Grjasnowa, Besnik Mustafaj e Robert Prosser.

Po të njëjtën ditë mbahet edhe paneli i radhës, “Ujdia letrare – Rruga revolucionare” me të ftuarit Veton Surroi e Sreten Ugriciq, me moderator Sasha Iliq.

Në panelin e tretë të dielën do të flitet mbi temën “Informata kreative kundër asaj manipuluese” me të ftuarit Fumio Obata, Dave McKean, Sarah Hehir, Ville Ranta, Tom Kaczynski e Marcello Quintanilha.

Paneli i fundit “Paralelni polis – një koncept disident që e ndjek të tashmen” mbahet po ashtu të dielën dhe diskuton me të ftuarit Alida Bremer, Lena Dorn, Marek Shindelka e Shkëlzen Maliqi.

Të shtunën ndërsa, nga ora 20:00, mbahet një „Homazh për Bekim Lumin“, në të cilin, aktorë kosovar do të lexojnë për herë të parë poezitë ende të pabotuara të regjisorit tashmë të ndjerë Bekim Lumi.

Polip e GRANFest këtë edicion kanë organizuar edhe programin plotësues në Prishtinë, Prizren e Graçanicë ku do të organizohen orë leximi, ekspozita të novelës grafike e sesione diskutimi mbi letërsinë e krijimtarinë letrare.