Cohen (1934-2016) poet, romancier, kompozitor këngësh dhe këngëtar

Cohen (1934-2016) poet, romancier, kompozitor këngësh dhe këngëtar

Leonard Cohen (1934-2016), poet, romancier, kompozitor këngësh dhe këngëtar. Karriera e tij letrare filloi në vitin 1956 kur botoi përmbledhjen e parë me poezi të titulluar Let Us Compare Mythologies. Derisa ishte gjallë ka botuar dhjetë përmbledhje me poezi dhe dy romane. Pas vdekjes i është botuar edhe përmbledhja The Flame: Poems Notebooks Lyrics Drawings. Albumin e parë e ka incizuar në vitin 1967 dhe deri në vitin 2016 Cohen ka edituar edhe 14 albume.

Gjatë karrierës së tij ka qenë i nderuar me shumë çmime, ndërsa në vitin 2011 ka fituar çmimin prestigjioz për letërsi “Princi Asturias”.

SUGJERIME

 

“Ne jemi vajza nga Ontario”.

“Nga cila pjesë e Ontarios?”

“Ne nuk e njohim Ontarion. Na u tha të themi se jemi nga atje”.

“E kam të qartë”.

Ato shëtisnin qëllimisht nëpër kuzhinë, e ndezën dhe e fikën

shporetin me gaz, kontrollonin dritat pilot, nxirrnin tenxheret

nga dollapët e mbushur, ranë në gjunjë para kutisë boshe të frigoriferit,

por kurrfarë ushqimi në të vërtetë nuk ishte gatuar dhe as shërbyer.

“Ne nuk dimë vërtet se si të gatuajmë”.

“E kam të qartë”.

“Ne nuk jemi gjë tjetër veçse sugjerime. Trupat tanë përfundojnë aty ku

fillojnë rrobat tona. Nuk ka asgjë përfundi”.

“E pyesja veten në lidhje me këtë”.

“Po, na është thënë të praktikojmë modesti, për t’ju bërë të qeshni

dhe buzëqeshni, dhe të mos ju trullosim me lëngje dhe lakuriqësi”.

“A do ta përmirësojë kjo mbrëmjen?”

“Po, si jo. Do të të pëlqejë”.

“Unë u nënshtrohem qëllimeve tuaja të mira”.

Secila prej tyre e kapi për krahu, dhe u mbështetën për trupin e tij

dhe ngulën kokat e tyre mbi gjoksin e tij.

“Ne të duam”.

Atij i rrodhën lotët ndërsa ato ia fshinë me shamitë e tyre shumëngjyrë-she.

“Jam i uritur”.

“Edhe ne jemi! Hajde shkojmë në një restorant në Montreal, në qendër, për të cilën kemi dëgjuar, ku ka më shumë restorante për bllok sesa Rio. Ne do të dalim çdo natë, përveç kur nuk ke qejf ti. E atëherë do të porosi-tim dhe

do të na e sjellin këtu”.

 

MË FALNI

 

Më falni, zotërinj dhe zonja,

nëse nuk mendoj për veten

si sëmundje.

Më falni nëse pranoj Shpirtin e Shenjtë

pa ju treguar juve.

Më falni,

Komisarë të Perëndimit,

nëse nuk mendoni

se kam vuajtur mjaftueshëm.

 

SHKRIMTARË TË TJERË

 

Steve Sanfield është mjeshtër i madh i haikut.

Ai jeton në fshat me Sarahën,

gruan e vet të bukur,

dhe shkruan për gjërat e vogla

që qëndrojnë për të gjitha gjërat.

Kyozan Joshu Roshi,

që i solli qindra murgjarë

në një zgjim të plotë,

trajton zgjerimin

e njëkohshëm dhe tkurrjen

e kozmosit.

Po vazhdoj më tutje

për një grua të re fisnike

që i shpërthekoi xhinset e saj

në pjesën e përparme të xhipit tim

dhe më lejoi ta prek

burimin e jetës sime

sepse isha goxha larg prej tij.

Më duhet t’ju them, miq,

parapëlqej më shumë gjërat

e mia se të tyre.

 

ROSHI

 

Kurrë nuk e kuptova me të vërtetë

çfarë tha

ama herë pas here

gjej veten

duke leh me qenin

ose duke u përkulur me shpatore

ose duke ndihmuar

në mënyra të tjera të vogla

 

(Përktheu: Fadil Bajraj. Marrë nga numri i pestë i revistës “Akademia”)