Corso (1930-2001) ndër poetët më të shquar të brezit bit

Corso (1930-2001) ndër poetët më të shquar të brezit bit

Gregory Corso (1930-2001) ishte një ndër poetët më të shquar të brezit bit. Formimin formal e kishte përfunduar në klasën e gjashtë. Kishte pasur një fëmijëri shumë të vështirë, duke jetuar te farefisi dhe në qendra riedukuese. Në moshën 17-vjeçare bie në burg për hajni dhe gjatë atyre dy vjetëve në burg ai do ta zbulojë magjinë e të lexuarit dhe të shkruarit kur për herë të parë i bie në dorë romani Vëllezërit Karamazovë.

Gjatë qëndrimit në burg kishte rënë në “dashuri” me veprat e Th. Chattertonit, Ch. Marlowe dhe P. B. Shelley. Kjo e formoi atë së pari si individ, pastaj edhe si shkrimtar. Doli nga burgu në moshën 20-vjeçare, me një bagazh librash të lexuar në kokë.

Librat më të rëndësishëm të tij janë: The Vestal Lady and Other Poems (1955), Gasoline (1958), The Happy Birthday of Death (1960), Long Live Man (1962), Elegiac Feelings American (1970), Herald of the Autochthonic Spirit (1981), Mind Field (1989), Mindfield: New and Selected Poems (1989).

HOQA DORË

Hoqa dorë nga qielli

së bashku me të gjitha yjet planetët hënat

si dhe retë erërat e motit

formacionet e aeroplanëve, migrimi i zogjve…

“Në asnjë mënyrë!” bërtitën pemët:

“Zogjtë janë tanët kur janë në transit; nuk mund ta bësh atë!”

Kështu që hoqa dorë edhe nga pemët

dhe toka ku banojnë

dhe të gjitha ato gjallesa që rriten e zvarriten mbi të.

“Prit pak!” kundërshtuan detet e çuara peshë:

“Brigjet janë tonat, pemët janë për të ndërtuar anije për kantiere detare,

tonat, nuk mund t’i heqësh qafe aq lehtë!”

Kështu që hoqa dorë nga detet

dhe nga të gjitha gjallesat që notojnë në to që lundrojnë në to…

“Në asnjë mënyrë!” murmuruan zotat:

“Krejt këto që po i largon ti janë tonat! Të gjitha i kemi krijuar ne, bile edhe çiftët si ti!”

Kështu që hoqa dorë edhe nga zotat.

 

SHUMË PREJ TYRE KANË RËNË

Në vitin 1958 u mora me profecinë

më të vështirë: Dita e gjykimit të madh

U bë e ditur në poezinë e lezetshme të titulluar BOMBA

që përfundonte kësisoj:

Ta dish se në zemrat e njerëzve që do të vijnë

do të lindin më shumë bomba

…po në jetën tonë do të bjerë një bombë

 

E pra, 20 vjet më vonë

jo një, por 86 bomba, bomba atomike, kanë rënë

Ne bombarduam Utahun, Nevadan, Nju Meksikon

dhe të gjithë mbijetuan

…deri dy dekada më vonë

kur të vdekurit më në fund vdiqën

 

NDËSHKIMI VDEKJEPRURËS

Kujtoj Polifemin duke ulëritur nga dhimbja

të ulur lart në shkëmb

duke i tundur këmbët e rrezitura në ujë

duart e tij të ngathëta shtrëngojnë fort syrin e djegur

Dhe ma merr mendja se ai do të mbetet ashtu

sepse është e pamundur që ai të vdesë -

 

Uliksi ka vdekur

deri tash ai ka vdekur

Dhe sa i mençur ishte ai

i cili verboi një gjë të pavdekësisë?

 

ARRITJA DERI TE POEZIA

Kam jetuar nga zemërgjerësia e hebrenjve dhe vajzave

nuk kam asgjë

dhe nuk dua gjë

 

Unë shkruaj poezi nga shpirti

për shpirtin

dhe kam gjithçka

 

Fati i poetit është sipas zgjedhjes

dhe unë e kam zgjedhur

dhe jam goxha i kënaqur

 

Një ëndërrues i dehur në realitet

është një kontradiktë e tmerrshme

Të dashurit largohen prej meje

dhe unë bëhem i kërkuar

 

Vetëdiagnostikim:

Legjendë e gjallë pa asnjë dyshkë

ka nevojë për para

ose duhet të shkruajë më shumë poezi

ose të dyja

Nëse ke mundësi të zgjedhësh

midis dy gjërave

dhe nuk mund të vendosësh

merri të dyja

Nuk është në rregull që unë të jem kërkues

 

Marr stilolapsin tim

Unë shurroj flori të bardhë

Dhe në mur

Shkruaj:

Ishte aty

gjithmonë aty

imtësisht i përfshirë

në një dorë të hapur

 

Jashtë

një dallëndyshe e rënë

shënon të martën

O zemra ime! Së fundi,

më në fund

jam në paqe

Lufta gjysmëshekullore

me të cilën jam ballafaquar

si një bushman afrikan

sakatimi i bushmastersëve ka mbaruar

 

Unë do të jetoj

dhe kurrë nuk do ta di vdekjen time

 

CILËSIA E RUAJTJES

Netët e këqija të dehjes

i bëjnë ditët për të të ardhur keq

 

Nata e mbrëmshme ishte e damkosur me frikë

unë ose bota e kishim krejt gabim

 

Sot në erë të fortë dhe shi

unë qëndroj në urën e Putneyit

duke ua hedhur biskotat Ritz mjellmave

rosave dhe pulëbardhave poshtë

duke siguruar veten time:

ditën ose natën

ti je krejt në rregull

 

(Përktheu nga anglishtja: Fadil Bajraj. Marrë nga numri i pestë i revistës “Akademia”)