Lipsius: Izolimi i Kosovës i padrejtë dhe i papranueshëm

Lipsius: Izolimi i Kosovës i padrejtë dhe i papranueshëm

Marrëdhëniet Gjermani - Shqipëri dhe Gjermani – Kosovë janë dinamike. Gjermania është sot një nga partnerët kryesor si për Shqipërinë ashtu edhe për Kosovën, për sa i takon agjendës evropiane dhe proceseve integruese, thotë për Radio Kosova publicisti i njohur gjerman, Stephan Lipsius, redaktor i Revistës “Albanische Hefte” ( Fletorja Shqiptare).

Lipsius vlerëson se izolimi i Kosovës nga regjimi i vizave është për keqardhje, i padrejtë dhe i papranueshëm “Është një padrejtësi e madhe që nuk mund të arsyetohet në as një mënyrë”, thotë Lipsius.

Radio Kosova:  Prej nga interesimi për Shqipërinë dhe shqiptarët?

Stephan Lipsius: Interesimi im për Shqipërinë dhe shqiptarët daton që në vitet e shtatëdhjeta të shekullit të kaluar, ku isha i ri në moshë dhe ka lindur nga rrëfimet e një të njohure, që atëbotë kishte bërë një udhëtim turistik në Shqipërinë e izoluar. Rrëfimet e saj ishin interesante për Shqipërinë e atëhershme që ishte e izoluar dhe aleat të vetëm kishte Kinën. Pastaj, që atëherë, në shkollë dhe studime jam marr me Shqipërinë dhe shqiptarët, historinë dhe zhvillimet politike në këtë vend.

Radio Kosova: Ka një shoqatë miqësie Gjermani – Shqipëri ku ju jeni pjesë e saj. Cili është program i shoqatës?

Stephan Lipsius:  Ekziston “Shoqata e miqësisë gjermano shqiptare”. Është një organizatë bilaterale joqeveritare, e cila është themeluar në Mynih, në vitin 1971. Programi i saj ka qenë i orientuar kryesisht në aspektin politik. Kanë qenë personalitete gjermane që kishin një simpati për Shqipërinë  komuniste të Enver Hoxhës. Anëtarë të saj kanë qenë studentë dhe akademikë gjermanë, të cilët edhe kishin nxjerrë një revistë të shoqatës. Me kalimin e kohës, në vitet 80-ta, shoqata është depolitizuar, kështu që ka më shumë se 30 vjet që shoqata është kthyer në një organizatë joqeveritare, e cila merret me forcimin e marrëdhënieve bilaterale kulturore dhe miqësore ndërmjet Gjermanisë dhe Shqipërisë. Nga vitet e 90-ta, shoqata ka në program edhe vendosjen e kontakteve me shqiptarët kudo që janë në trojet etnike jashtë Shqipërisë në Ballkan.

Radio Kosova: Shoqata boton edhe një revistë e cila titullohet “Fletorja Shqiptare”. Kur është themeluar kjo revistë?

Stephan Lipsius:  Është viti 47 që revista botohet pa ndërprerë. Revista është themelua bashkë me shoqatën në vitin 1971. Fillimisht ka trajtuar zhvillimet politike në Shqipëri. Kishte një kurs pro Shqipërisë, pastaj me kalimin e viteve, konkretisht në vitet 80-ta, ka ndryshuar, kurse nga vitet 90-ta kemi një redaksi që merret edhe me tema jashtë kufijve të Shqipërisë, me tema nga hapësirat e tjera të banuara me shqiptarë dhe sidomos kjo përforcohet me fillimin e luftës në Kosovë, dhe që atëherë unë shkruaj edhe për shqiptarët në Kosovë, Maqedoni, Mal të Zi, Luginë të Preshevës, etj. Gjithashtu kemi rubrikën për diasporën shqiptare në Gjermani dhe kështu mbulojmë gjithë spektrin shqiptar në Ballkan.

Radio Kosova: Cilat tema dominojnë në trajtesat tuaja?

Stephan Lipsius:  Dominojnë temat politike dhe kulturore. Varet shumë nga redaktorët dhe profili  i autorëve që shkruajnë për ne, pra, ka trajtesa nga fusha e historisë, shkencave politike, kultura, etj. Ka dhjetë vjet që kemi formësuar një koncept të tillë ku në secilin numër të “Albanische Hefte” (Fletorja Shqiptare) trajtojmë një temë bosht. Këto janë tema nga politika, ambienti, kultura, filmi, diaspora, minoritet, pastaj një spektër i larmishëm temash të tjera. Pra, koncepti për temën bosht për çdo numër ku pikërëndesa e trajtimit bie mbi një çështje të caktuar, besojmë se ia ka vlejtur.

Radio Kosova: A është Kosova pikërëndesë e temave tuaj në Revistën  “Albanische Hefte”?

Stephan Lipsius:  Unë jam redaktor dhe përkujdesem që temat nga Kosova dhe hapësirat e tjera shqiptare, që kanë dalë nga shpërbërja e ish Jugosllavisë, të jenë shpesh pikërëndesë e trajtimit në revistë. Kështu, përpiqem që për zhvillimet në Kosovë, para së gjithash, zhvillimet politike, të gjejnë vend në trajtesat tona në revistë.

Radio Kosova: Gjatë shfletimit të revistës kam parë që keni trajtuar dhe hulumtuar edhe lidhur me jetën dhe pozitën e komunitetit shqiptar në Turqi.

Stephan Lipsius: Para disa vitesh kemi krijuar një rubrikë të përhershme të titulluar “Diaspora”, ku trajtohen tema nga diaspora klasike shqiptare në Evropë por edhe për nëntë shtete të tjera në botë ku jeton dhe vepron diaspora e re shqiptare. Në këtë kuadër kam vizituar shoqatat e shqiptarëve në Stamboll dhe Bursa të Turqisë dhe pastaj kam filluar një fejton në vazhdime lidhur me diasporën shqiptare në Turqi, e cila është përkthyer edhe në shqip dhe është botuar në Gazetën “Epoka e Re” në Kosovë, ndërsa më vonë është botuar edhe në turqisht. Ne kemi problem të gjejmë autorë në diasporën shqiptare në botë, të cilët do të kontribuonin për rubrikën tonë me shkrimet e tyre, sepse ne vetë, si redaksi nuk kemi mundësi që të përfshijmë gjithë diasporën shqiptare, të themi nga Argjentina, që është pjesë e diasporës klasike shqiptare, deri te vendet nordike, ku është e vendosur diaspora më e re shqiptare.     

Radio Kosova: Si do t’i përshkruanit sot marrëdhëniet ndërmjet Gjermanisë dhe Shqipërisë, përkatësisht shqiptarëve?

Stephan Lipsius:  Marrëdhëniet Gjermani - Shqipëri janë të një spektri të gjerë. Ka një emigracion shqiptarësh nga Kosova në Gjermani, që ka filluar në vitet 70-të të shekullit të kaluar me ardhjen e punëtorëve mysafirë ( Gastarbeiter) nga ish Jugosllavia, ku bënte pjesë edhe Kosova. Ka qenë një numër i madh kosovarësh që kanë ardhur. Pastaj kemi një numër më të vogël emigrantësh nga Republika e Shqipërisë që ka ardhur në fillim të viteve 90-ta, pas ndryshimeve politike në Shqipëri. Siç e dini, për një kohë pas Luftës së Dytë Botërore, marrëdhëniet ndërmjet Shqipërisë dhe Gjermanisë kanë qenë të bllokuara për shkak të kërkesës së Shqipërisë për reparacion, përkatësisht dëmshpërblimin nga Lufta e Dytë Botërore. Në vitin 1987 janë vendosur marrëdhëniet diplomatike ndërmjet dy vendeve dhe që atëherë, ato janë zhvilluar në mënyrë shumë dinamike dhe të vazhdueshme. Një dinamikë e ngjashme mund të thuhet edhe për sa i përket marrëdhënieve ndërmjet Gjermanisë dhe Kosovës, veçanërisht pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës më 2008. Sot, mund të thuhet se Gjermania është nga partnerët kryesorë si për Shqipërinë ashtu edhe për Kosovën,  për sa i takon agjendës evropiane dhe proceseve integruese si të Shqipërisë ashtu edhe të Kosovës në Bashkimin Evropian. Mund të thuhet se marrëdhëniet Gjermani - Shqipëri dhe Gjermani - Kosovë janë intensive si në fushën politike, ashtu edhe në atë ekonomike dhe kulturore dhe në përgjithësi mund të cilësohen si marrëdhënie shumë të mira.

Radio Kosova: Një pyetje të fundit: edhe më tej Kosova mbetet vendi më i izoluar në Evropë. Si e shihni ju këtë temë?

Stephan Lipsius:  Kam ndjekur në mënyrë intensive të gjitha zhvillimet politike dhe të tjera në Kosovë që nga shpallja e pavarësisë. Është një rrugë e gjatë me shumë zhvillime, përparime, por edhe ngecje. Problemi i liberalizimit të vizave është një nga problemet që edhe sot e kësaj dite nuk është zgjidhur edhe përkundër paralajmërimeve disa herë nga Qeveria e Kosovës. Një ndër arsyet lidhet me faktin se brenda BE-së janë ende 5 shtete që nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës. Mund të them se është për keqardhje, e padrejtë dhe e papranueshme që kosovarët të mbahen në një ishull të izoluar në Ballkan. Është e pakuptueshme që kosovarët të mos kenë të drejtë të udhëtojnë lirshëm, ashtu si qytetarët e Shqipërisë, Serbisë e vendeve të tjera të Ballkanit! Është një padrejtësi e madhe, që nuk mund të arsyetohet në asnjë mënyrë./Intervistoi: Fadil Gashi

Image result for albanische hefte